12 të plagosur në Unazë/ Policia: Distancohuni nga dhuna, do ndëshkoheni

Policia ka dhënë detaje në lidhje me përplasjet e ndodhura mëngjesin e kësaj të martë në Astir, ku IKMT do të prishë 33 objekte.

Sipas policisë gjatë aksionit të sotëm një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë.

Policia thotë se ata kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim. Si pasojë e sulmit janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët ndodhen në spitalin ushtarak për ndihmë mjekësore.

Gjithashtu nga përplasjet sipas policisë janë lënduar edhe 7 banorë, të cilët po ashtu po marrin ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore.

Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese.

Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.

Leave a Reply