75 vjetori i çlirimit të Tiranës

Veliaj: E keqja e vendit i vjen nga brenda

Tirana feston sot 75 vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashist. Gjatë ceremonisë përkujtimore të luftës që mijëra të rinj dhe të reja bënë për çlirimin e kryeqytetit, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky jubile i çlirimit e gjen Tiranën në një qytet shumë herë më të zhvilluar. Por e keqja sipas tij, vendit i vjen nga kundërshtimet e vogla.

“Unë gjykoj se shumë nga problemet kyçe që kemi nuk na kanë ardhur nga pushtuesit, shpesh ka ardhur nga një minorancë brenda nesh që kundërshton gjithçka, kundërshton çdo progress, kundërshton çdo iniciativ. Sot shumë prej nesh do shikojnë inaugurimin e Statudimit Kombëtar. Edhe për të tilla gjera kemi beteja. Mbaj mend kryeministrin dhe lumin e sharjeve, baltës dhe të shpifjeve që duhet të duronte për idenë se si mund të kishim një stadium që në pamundësi të parave tona ne të kishim mundësi të përdornim edhe para nga sektori privat për të pasur sot një arenë kombëtare që na bën të gjithëve krenar. E përmend këtë për të kuptuar që shpesh punët e mira i pengojmë vet, sterkëmbëshat i bëjmë vet, thikat pas shpine i bëjmë vet, intrigat i prodhojmë vet, keq për Shqipërinë flasim vet, sabotimin e bëjnë një pjesë prej nesh”, tha Veliaj

Për kreun e bashkisë, ky 75 vjetor duhet t’i shërbejë qytetit edhe për të reflektuar.

“Nëse ka një reflektim nga Lufta e Dytë Botërore është pikërisht ky, kur ne shqiptarët bëhemi bashkë nuk ka forcë që na vë poshtë dhe nuk ka betejë që ne nuk e fitojmë. Ne do të jemi proaktiv dhe bashkëpunues si një ushtar dhe partizan që nuk pyeste sa e madhe ishte beteja dhe sa i fortë kundërshtari por sa i rëndësishëm ishte misioni. Sot pyetja nuk është sa e vështirë është të integrohemi pyetja është nëse ky është një mision i rëndësishëm të gjithë duhet të jemi gati për të përfaqësuar shqiponjën dy krenare dhe flamurin kuq e zi për ta fituar këtë betejë. Vetëm së bashku siç mundëm nazifashistët në shekullin e kaluar mund ta ndërtojmë një qytet modern europian për 100 vitet e ardhshme”, deklaroi Veliaj.

Katër organizata të veteranëve të LANÇ morën titullin Simbol i qytetit.  Me rastin e ditës së çlirimit të Tiranës, edhe kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha bëri homazhe në sheshin para isntitutit të përndjekurve politikë.

Leave a Reply