A na kërcënon Rusia? Gjeneral Bazo: Shqetësimi ynë është që…

Anëtarsimi i Malit të Zi në Aleancën e Atlantikut Verior i ka mbyllur një shteg të influencës ruse në rajon.

Megjithë parajmërimet dhe komentet mbi këtë ndikim, ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Jeronim Bazo e sheh Adriatikun si një liqen të NATO-s.

“Meraku dhe shqetësimi ynë është që këto vende të brishta, nga kuptimi i institucioneve deomkratike, mos të krijojnë një terren të përshtatshëm për t’u shfrytëzuar nga ana ekonomike fillimisht e më pas nga influenca politike të një aktori të tretë”, – shprehet ai.

Bazo thekson se gjithmonë ka përpjekje për ndikime të rrymave të ndryshme, përfshirë këtu edhe influencën ruse, por Shqipëria nuk është e ekspozuar.

“Në skakierën e interesave gjeopolitike në rajon, në Europë, gjithësekush mundohet të shfrytëzojë zona influence, të shfrytëzojë të çarat dhe plasaritjet që mund të ndodhin në njërin kamp ose në tjetrin. NATO dhe ne nuk jemi në ndonjë garë me aktorin e tretë se kush do të ketë më shumë influencë në këto vende të brishta që nuk janë anëtarë të NATO-s. Ne nuk bëjmë lojë të pisët”, – shprehet Bazo.

Ish-shefi i Shtabit ka komentuar edhe pozicionimin e Serbisë në marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe me Rusinë.

“Ata kanë zgjedhur këtë rrugë të mesme, duke mos i thënë jo, por përkundrazi duke aspiruar vet që të jenë pjesë e kësaj bashkësie europiane. Ndërsa në kuptimin ushtarak të fjalës kanë zgjedhur të luajnë sërish në mes të rrugës, jo duke qenë anëtarë të aleancës euroatlantike, por duke ruajtur dhe fijet e një lloj varke shpëtimi dhe me aleatin e tyre të vjetër strategjik”, – deklaroi ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Leave a Reply