Afrim Tahiri: Postin “reisul ulema” e kanë degraduar deri në kopuk

Me njërin nga njohësit më të mirë të problemeve të BFI-së në vend, z. Afrim Tahirin, zhvilluam një intervistë lidhur me problemet e fundit në këtë Institucion, sidomos pas ikjes së ish-reisit, Sulejman Rexhepit. Ikja e tij ngeli shumë misterioze, siç po ngelë misterioz edhe arsyetimi i ikjes së tij.

Z. Afrim Tahiri, botërisht njiheni si një luftëtar i paepur i të vërtetës për BFI-në. Përpjekja e juaj pesëvjeçare për të ngadhnjyer e vërteta, rezultoi me shkarkimin e Reis ul Ulemasë! Keni dyshime në këtë shkarkim?

Absolutisht po! Ky nuk është shkarkim! Këtë e di edhe vetë Sulejman Rexhepi, sepse, shkarkimi është bërë jashtë të gjitha normave të Kushtetutës së BFI-së. Për këtë shkarkim kanë votuar edhe ata që nuk kanë të drejtë në bazë të Kushtetutës aktuale të BFI-së ndaj dhe, as për së afërmi nuk ka qenë i plotë forumi i një Institucioni me fuqinë e shkarkimit. Këtë e di edhe vetë Sulejman Rexhepi, prandaj, sot, në BFI nuk e kemi as të arkivuar, as të protokoluar as të publikuar tekstin e shkarkimit teatral, kurse dy ditë më vonë e kemi të arkivur, të protokoluar dhe të publikuar dorëheqjen e Sulejman Rexhepit? Çka është kjo lojë? Sulejman Rexhepi i nxori nga situata edhe një herë ata që ishin munduar t’ia ngulin thikën pas shpine, sidomos përmes arsyetimit të shkarkimit bazuar në Nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së!
Tani, nëse ngelë shkarkimi sipas Nenit 58, atëherë, që të gjithë bashkëpunëtorët e tij duhet të ecin si Sulejman Rexhepi dhe, në këtë rast do të vinte dikush që do t’ua zbardhte të gjitha aferat antiislame që i kanë kryer sa kanë qenë “unik në rijasetin e tyre”! Me qëllim që, mundësisht, mos të vie dikush tjetër dhe të hulumtojë krime të kryera, gjithnjë duke u bazuar në këtë Nen. Tani, këta “të gjysëm rijasetit” duhet të tregojnë: e larguan Sulejman Rexhepin apo ky dha “dorëheqje”! Sido qoftë, në të dyja rastet duhet të jetë ky përfundim: iku i pari, ikin të gjithë pasuesit e tij!

Ky “gjysëm rijaset” siç thoni ju, tashmë e ka emëruar në postin e ushtruesit të detyrës, Shaqir Fetain, Myftiun e Gostivarit, i cili, me gjasë nuk po ka kohë të merret me aktivitetet imediate të BFI-së duke pritur e përcjellë mysafirë të ndryshëm që po ia urojnë postin?
Çka po i urojnë? Cilin post? Kush e zgjodhi në atë post, si erdhi, a i kaloi të gjitha procedurat për të ardhur në atë post. A kështu na u zgjidhkëka “reisi”?! Jo, ai nuk është naiv, e di fare mirë që krejt kjo është tallje me njerëz por, po provon nëse ngelë në atë post dhe po shpëton edhe vetë!! “Miqtë” e tij që ca për hatër, ca nga urdhëri e ca nga lajkat, e vizitojnë por, më të rëndësishmit e vizitojnë për të ditur se çka më tutje! Cili është aktiviteti i tij për të treguar se si ishte dikur e si do të jetë në të ardhshmen. Se si ishte dikur duhet ta shpalosë të kaluarën, ndërsa, si do të jetë në të ardhshmen duhet të ofrojë plaformë e program! Këto jo që nuk i ka por, e di fare mirë që nuk mundet t’i ketë, sepse, nuk i dihet, ai është në rolin e krijimit të komisioneve të nevojshme për kryerjen e të gjitha proceseve që do t’i jepnin fund epokës së Sulejman Rexhepit dhe të Shaqir Fetait bashkë me të manipuluarit e tij. Shaqir Fetai duhet të tregohet i suksesshëm në krijimin e komisioneve, në krehjen e dokumenteve dhe të arkivit të BFI-së, në hartimin e rregulloreve konform Kushtetutës së BFI-së dhe ta përfundojë procesin e zgjedhjeve të Kryetarit, për ç’gjë Kushtetuta aktuale parasheh, në via të trasha, kushte që duhet të plotësohen. Nëse Shaqir Fetai mendon se me aq lehtësi mund ta vjedhë postin e Reisit duke treguar afinitete në shlyerjen e gjurmëve të krimit që i ka kryer, atëherë e ka gabim sepse, nuk do ta lejojnë nja njëmilion myslimanë të Maqedonisë së Veriut.

Ju po kërcënoni?
Jo, ndoshta u shpreha shumë sinqerisht! Është një punë kolosale që do të duhet për rikthimin e besimit të myslimanëve të Maqedonisë së Veriut në Institucionin e tyre. Ky besim do të rikthehet me Shaqir Fetain? Po besimi që na duhet nga ndërkombëtarët, si nga bota perëndimore ashtu edhe nga bota arabo-islame! Ka filluar të komunikojë e të manipulojë, duke harruar se ndërkomëtarët e dinë që këtu ka një “opozitë” e cila konsultohet dhe lutet që ta konfirmojë sinqeritetin e “letrave” të Shaqir Fetait! Shaqir Fetai duhet të jetë shumë i pastër, Shaqir Fetai nuk duhet ta ketë mbi kurriz as aferën e “qendrës tregtare” që do ta ndërtonte Banka Islame për Zhvillim e që në fund do të ngelte vakëf i Myftinisë së Gostivarit! Pse ikën prej tij Banka Islame për Zhvillim? Me këtë hipotekë Shaqir Fetai duhet të turpërohet, të rrijë në familjen e vet, e jo në krye të myslimanëve të vendit.

Jeni në gjendje t’i argumentoni këto akuza kaq të rënda?
Unë u lodha duke kërkuar debate publike! Ja, publikisht po i kërkoj Shaqir Fetait, ku të dojë ai, të dalim dhe të sqarohemi! Kushdo nga BFI-ja, që të gjithë, le të zgjedhin ku të dëshirojnë studion televizive, të dalim e t’i ballafaqojmë argumentet, t’i shpalosim faktet! Myslimanët e vendit e kanë të drejtën e Zotit që të dinë gjithçka që ka ndodhur brenda BFI-së; e kanë të drejtën që të dinë të vërtetën! Të flasim me argumente e dokumenta! Unë, sa kam qenë sekretar gjeneral i BFI-së, me të gjithë këta kam qenë mirë, i kam ndihmuar, kam bashkëpunuar miqësisht dhe shumë ngusht, atëherë, shtroj pyetje publike, pse i shmangen ballafaqimit publik me mua! Nuk ka kurrfarë arsye përveçse frikës nga e vërteta që do t’i “varrosë” që të gjithë!

Po flitet se Shaqir Fetai në këtë post ka ardhur si “argat i Sulejman Rexhepit”, por edhe si i “dëgjueshmi i devotshëm” i Bashkimit Demokratik për Integrim, parti kjo që tashmë është në partneritet të kontrollimit të vakëfit të BFI-së?
Unë pres që BDI-ja, nëse vazhdon të jetë parti në pushtet, të na e shtojë vakëfin, ta kryej obligimin e vet islam dhe jo ta pengojë, aq më pak ta shfrytëzojë! Nuk do të doja të besoja kurrë se mund të gjenden fakte të tilla që flasin se funksionarë të BDI-së janë bashkëpronarë të vakëfit me BFI-në! Nuk dua ta besoj as atë konstatim se Shaqir Fetai ka ardhur si “argat i Sulejman Rexhepit”. Thjesht, Shaqir Fetai me gjestet e veta po dëshmon për një kompleks shumë të rrezikshëm – karrierë me çdo kusht, qoftë kjo të arrihet edhe duke shkelur mbi fëmijë, mbi bukë e mbi Kuran! Në këtë synim nuk ka ndihmë nga Zoti, o pasha Zotin, jo!

A e shihni veten ju kandidat për Reis të BFI-së?
Për më tepër që kam luftuar dhe kam investuar shumë mund që e verteta të triumfojë! A do të konkurroj unë për Reis! Më vjen keq por ky post është degraduar deri në kopukllëk, deri në hajn. Do të insistoj që ky titull të mos përdoret më, pikërisht për shkak të devalvimit të titullit sanksionuar sipas Nenit 58 të Kushtetutës së BFI-së! Reis i ulemasë!!! I cilës ulema, vëllezër! Kush nga ‘ulemate’ reagoi! Tani, i kësaj ulemaje dikush të pranojë të jetë “Reis”!
Këto pesë vite sa unë nuk isha brenda institucionit, jeni dëshmitarë se ku ka degraduar, kjo sikur më shtërngon të rikthehem. Shikoni se ku kanë degraduar imamlerët e hoxhallarët: në inkasanta të cilët duhet të kenë vetëm rolin e mbledhjes së taksave fetare dhe të dorëzimit te pazarxhinjtë që merren me ndarjen e taksave sipas përqindjes! Shikoni se si jemi tallur me postin “myfti”! Bota akademike myslimane nuk na e falë këtë tallje! Publikisht i pyes “myftinjtë” se a e dinë fjalën “myfti”, a e kuptojnë këtë fjalë a jo. A e dini se çka do të thotë ky titull! Turp që bie mbi tërë “ulemanë” nëse ekziston!
Kam vizion se si ta rikthej besimin shekullor ndaj BFI-së dhe secili mysliman ta ndjejë si shtëpi të veten ku mund të gjejë prehje absolute shpirtërore. Nuk dua të keqkuptohem, Kushtetuta e BFI-së ia garanton të drejtën çdo myslimani që të zgjidhet dhe të zgjedhë! Le të urdhërojnë të gjithë le të konkurrojnë, Komisioni do të jetë ai që do të përzgjedhë se kush i plotëson kushtet sipas Kushtetutës dhe sipas Rregullores për zgjedhjen e të parit të BFI-së, rregullore kjo që mungon!
Një gjë dihet, Kushtetuta aktuale fare mirë precizon se kush ka të drejtë të votojë për Kryetar! Jashtë kësaj Kushtetute – çdo gjë tjetër do të jetë manipulim dhe, mos dhëntë Zoti, hasmëri apo vëllavrasje! Askush nuk duhet të provojë që të tallet me këtë Shtëpi të të gjithë myslimanëve të vendit.

Si të zgjidhet, pra, siç thoni ju, i pari i BFI-së dhe të jetë i pranueshëm e legjitim për të gjithë?
Vetëm sipas Kushtetutës aktuale, të asaj Kushtetute të deponuar në organet e drejtësisë së shtetit dhe jo sipas Kushtetutës si rezultat i përpjekjeve të matrapazëve për të manipuluar zgjedhjet! Duhet urgjentisht të formohet sidomos një Komision për hartimin e Rregullores për zgjedhje të kryetarit të BFI-së, e cila duhet të bazohet në Kushtetutën aktuale të BFI-së! Hapet konkursi, konkurrojnë të interesuarit dhe, pas analizimit të programeve dhe synimeve të kandidatëve, bëhet zgjedhja nga anëtarët aktualë të Rijasetit. Nënvizoj – vetëm nga anëtarët aktualë dhe jo nga ata që vetëm mund të jenë problemi dhe jo zgjidhja! Jashtë asaj që parasheh Kushtetuta e BFI-së do të jetë lojë e zgjatur e armiqve të BFI-së dhe të islamit në vend!/Fol/

Leave a Reply