Fushata “pa gjurmë”. Mediet e huaja vënë re mungesën e posterave

Shumë aspekte të kësaj fushate janë prekur nga mediet e huaja këto ditë, por vëmendjen e shtypit ndërkombëtar e ka tërhequr edhe një element i veçantë: mungesa e posterave nëpër rrugë.

Si rrallëherë në kohë të tilla, tani nuk gjen më foto kandidatësh nëpër qytet. Bulevardi kryesor i Tiranës është i mbushur vetëm me “banner”-a për Muajin e Shenjtë të Ramazanit.

Gati-gati e ke të vështirë të thuash se në kryeqytet ka zgjedhje këtë të dielë: nuk gjen shumë gjurmë fushate. Edhe vet tubimet elektorale nuk kanë qenë aq të zhurmshme sa më parë. Nuk pati tone agresive e as ofendime nga ato që lëshoheshin rëndom pa mëshirë mbi kundërshtarët politikë.

Në kafenetë e superpopulluara, po kështu nuk dëgjon më diskutime të përflakura mes mbështetësve të njërit apo tjetrit krah, të llojit që duken të destinuara të përfundojnë në akte dhune.

Në sytë e të huajve, e jo vetëm, kjo ka qenë një prej fushatave më të qeta të përjetuara ndonjëherë në këtë vend. Shumica e partive politike janë mbështetur më shumë këtë herë te mediet sesa te mitingjet, e shihet me pozitivitet edhe fakti që politikanëve të punësuar në administratën publike nuk iu lejua pjesëmarrja në fushatë.

Kjo qetësi është pjesërisht një prej pasojave anësore të marrëveshjes së 18 majit, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, të sponsorizuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Por edhe në kushte të tilla, turbullirat nuk janë shmangur dot plotësisht.

“Më 20 qershor, – kujton shtypi i huaj, – Lëvizja Socialiste për Integrim depozitoi një padi kundër Edi Ramës lidhur me thirrjen drejtuar efektivëve të policisë për të dalë në fushatë pas pune”. LSI-ja ka ngritur dhe pretendimet se, socialistët po nxisin dhunën kundër mbështetësve të saj. Ekspertët mendojnë se u takon udhëheqësve partiakë që t’u vënë frè ngacmimeve dhe mosmarrëveshjeve, me qëllimin të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës. /TCH/

Leave a Reply