Kryeudbashi

Kjo BFI e Sulejman Rexhepit duhet të rrënohet deri në themel, të zhbihet ky koncept i funksionimit të një institucioni fetar islam si filiale e shërbimeve sekrete dhe, të krijohet një Institucion i mirëfilltë fetar që do të ishte edhe shtylla kryesore e interesit kombëtar. Një BFI si kjo e Sulejman Rexhepit, me aq shumë spiunë e udbashë, nuk i duhet askujt në botë, më së paku shqiptarëve myslimanë në Maqedoni!

Shkruan Haxhi Isa Xhaviti

Kam lexuar dy-tri recensione rreth veprës më të re të Sulejman Rexhepit, memoaret nën titullin “Kush ma prek kombin më ka sharë fenë”, si dhe nja 10-15 mij komente të shqiptarëve që i frekuentojnë portalet e ndryshme ku edhe kanë pasur rastin t’i lexojnë këto memoare. Recenionet me autorësi që më kanë lënë përshtypje është ai i Bardhyl Mahmutit si dhe një i fundit i kritikut letrar nga Tirana, Mendim Nazarko. Që të dy rrahin në të njëjtin tel ku rrahin edhe të gjithë shqiptarët e tjerë që kanë hedhur nga një koment si përshtypje të trishta mbi atë që kanë lexuar nga Sulejmn Rexhepi.
Po krijohet një përshtypje se, me çdo kusht po tentohet që Sulejman Rexhepi, ai i memoareve “Kush ma prek kombin më ka sharë fenë”, të dalë si bashkëpunëtorë më i rexhur i shërbimeve serbo-sllave. Pra, po nxirren në pah afinitetet e tij prej spiuni si dhe qasja e tij e vullnetshme në luftë kundër “nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar”, si minues potencialë të Jugosllavisë së Titos. Sulejman Rexhepi nuk e fsheh në asnjë moment se ka qenë në celula antishqipare dhe se ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në gjuajtjen dhe në minimin e ideve të shëndosha kombëtare.
Megjithatë, nuk qëndron gjithmonë fakti se Sulejman Rexhepi na paska qenë bashkëpunëtorë i pashembullt në historinë e shqiptarëve i shërbimeve të zbulimit dhe kundërzbulimit jugosllav e maqedonas, pra, alet i UDB-së! Po, ky fakt nuk mohohet, por, megjithatë, në suprinën e oqeanit të memoareve të Sulejman Rexhepit lundron edhe një afinitet i tij i cili është edhe më i tmerrshëm. Mbase ka të bëjë me dhunën familjare që e ka përjetuar Sulejman Rexhepi që në fëmijëri. Mbase i është lindur një refleks anti-klerik që në çastet kur i ati dhunshëm e ka orientuar që të bëhet hoxhë, me shpulla e shqelma e ka nisur për në mektebe e në medrese që të marrë mësimet e para islame! Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet urrejtja patologjike e Sulejman Rexhepit që e ushqen për hoxhallarët. Tërë karriera e tij është ngritur, jo vetëm falë ndihmës së UDB-së por, edhe falë asaj urrejtje të brendshme të tij që e ka pasur kundërt teologëve të mirëfilltë. Duke përdorur sulmin e etiketimit të hoxhallarëve si “udbashë” ai ka bërë përpjekje që ta ruajë “pastërtinë e figurës së tij”, duke dalur edhe si i vetmi hoxhë i pastër por edhe si i vetmi pa konkurrencë që duhet të vazhdojë në krye të BFI-së si i përjetshëm. Madje në disa memoare Sulejman Rexhepi pa dashja na e zbërthen edhe këtë skenar të tij të ulët.
Pa, nuk janë Bardhyl Mahmuti e Mendim Nazarko që paskan thënë se BFI-ja na qenka bastion i udbashëve, sepse ata as që kanë pasur kontakte ndonjëherë me hoxhallarë apo me institucionet fetare islame në Maqedoni. Këto të dhëna, thjesht, dalin nga goja e Sulejman Rexhepit. Kur i pari i fesë flet gojëplotë për hoxhallarët spiunë që e sulmojnë, pse të mos merren të mirëqenme këto “zbulime” të Sulejman Rexhepit. Madje edhe nisur nga fakti se të gjithë e kanë diitur që Sulejman Rexhepi ka qenë nëpunës i UDB-së, fare lehtë i kanë pranuar si të sakta etiketimet e tij, si faktor i vetëm i cili saktësisht mund ta dijë se cilët hoxhallarë janë bashkëpnëtorë të UDB-së.
Pra, nuk ka asnjë drejtor shkolle që ka eliminuar konkurrencën duke i etiktuar arsimarët si spiunë, nuk ka drejtor ambulance apo spitali që ka ruajtur pozitat e veta duke i etiketuar mjekët e infermierët se janë udbashë, nuk ka drejtor të qendrave kulturore, nuk ka drejtor të shoqatave kulturo-artistiko-letrare që kanë këmbëngulur të qëndrojnë në krye të udhëheqësisë duke i eliminuar të tjerët se janë spiunë apo bashkëpunëtorë të UDB-së. Nuk ka drejtor të asociacioneve të esnafit, të odave ekonomike, të subjekteve të ndryshme, të cilët kanë ngritur karrierë duke i etiketuar të tjerët si të padenjë për ta zëvendësuar sepse kanë qenë spiunë apo udbashë. Nuk ka kryetar të komuniteteve fetare, as në Maqedoni, as në Kosovë e as në Shqipëri që e eliminojnë konkurrencën e vet duke etiketuar klerikë se kanë qenë bashkëpunëtorë të pushtetit. Përkundrazi, në të gjitha komunitetet e këtyre tri vendeve ka shumë klerikë të shpallur si martirë të pushtetit diktatorial.
Fatkeqësisht, vetëm në Maqedoni, vetëm në BFI-në e Mulla Sulës nuk mund të gjeshë teologë martirë të terrorizuar nga ish-pushteti. Ish-pushteti ka qenë ideal, kështu na e përshkruan të paktën Sulejman Rexhepi dhe, të gjithë ata që kanë luftuar kundër ish-pushtetit, ose kanë qenë spiunë, ose “irridentistë dhe seperatistë”, ose grupe terroristësh (kështu e quante Mulla Sula ish-UÇK-në)! Nuk ka asnjë institucion në vend, nuk ka asnjë komunitet që në mesin e vet ka pasur dhe ka spiunë më shumë se sa BFI-ja, sipas Sulejman Rexhepit. Sepse, tash e 28 vjet Sulejman Rexhepi, të gjithë ata hoxhallarë që nuk e kanë dashur apo që e kanë sulmuar, i ka etiketuar si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete serbo-sllave, madje, për ta përforëcuar tezën e vet të mbrapshtë jo njëherë publikisht ka kërkuar nga policia maqedonase që t’i mbajë duart sa më larg BFI-së! Kurrë, asnjë polic, asnjë shërbim sekret maqedonas, asnjë institucion i zbulimit dhe kundërzbulimit nuk ka theksuar asnjë emër, madje as në kohën e hapjes së dosjeve, ndërsa shërbimin e etiketimit të hoxhallarëve më së miri e ka kryer Sulejman Rexhepi. Ka pasur momente kur të gjithë kanë menduar se BFI-ja është shndërruar në arkiv të dosjeve policore të hoxhallarëve dhe Sulejman Rexhepi vetëmsa po i shfleton, ndërkohë që, ka pasur edhe sugjerime të atilla që kanë thënë, kujdes nga Sulejman Rexhepi i cili ka shumë të dhëna nga shërbimet sekrete serbo-sllave.
Kjo karakteristikë e Sulejma Rexhepit, e cila çuditërisht po kalon pa u vërjetur, flet se ai është armiku më i madh i teologëve të Maqedonisë, ai një jetë të tërë ka sulmuar dhe sharë, ka pështyrë e etiketuar hoxhallarë. Një numër jashtëzakonist të madh të hoxhallarëve i ka etiketuar dhe paditur si udbashë kurse kurrë nuk e ka theksuar qoftë një emër të udbashkëve jo-teologë! Ndonëse asnjë hoxhë nuk ka punuar si Sulejman Rexhepi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ndonëse asnjë hoxhë si Sulejman Rexhepi nuk ka qenë bashkëpunëtorë i ngushtë i Kiro Fuzofskit, i Sllobodan Bogoevskit, i Sasho Mijallkovit, ndonëse asnjë hoxhë nuk ka mbledhur guxim që ta bekojë Nikolla Grruevskin, që ta rehabilitojë Ivanovin si islamdashës i madh meqë me ëndje e dëgjon ezanin tek këndohet në kabinetin e tij, megjithatë, Sulejman Rexhepi kurrë nuk ka pushuar së kërkuari dhe së “gjeturi” hoxhallarë spiunë në radhët e UDB-së. Sulejman Rexhepi një jetë të tërë ka kaluar duke sulmuar dhe etiketuuar hoxhallarë, një karrierë të tërë ka zhvilluar duke e nxjerrë veten mbi hoxhallarët, të cilët, gjithnjë sipas Sulejman Rexhepit, kanë qenë dhe janë bashkëpunëtorë të UDB-së. Me mijëra deklarata janë dhënë nga goja e Sulejman Rexhepit duke nxjerrë emra të teologëve të nderuar si bashkëpunëtorë të shrbimeve policore serbo-sllave, si: Jakup Selimovskin, Tasin Teufikun, Mulla Zekirija Bajramin, Mulla Jakup Asipin, Mulla Sabahudin Mahmutin, Hafëz Zenun Berishën, Hafëz Idriz Selamin, Mulla Zejnulla Fazliun, Mulla Nevzati i Kondovës, Mulla Jahjën, Mulla Muzaferin, Mulla Qerimin, Mulla Abdullahun, Mulla Shaban Azirin, Mulla Isa Ismailin, Mulla Nazmiun, Mulla Abedin Imerin, Mullla Jusuf Zimerin, Doc, prof. Faredin Ebibin, Hafëz Irfanin, Prof. Taxhudin Bislimin, Dr. Ismail Bardhin, Dr. Ramadan Ramadanin, Mulla Bekir Halimin, Mulla Qenan Ismailin, Dr. Fatmir Zaimovin, dr. Atulla Aliun, Mulla Muamer Veselin, Ali Baragonin, Mulla Mustafa Dautin, Alifikri Esatin, Haki Agushin, Nexhati Limanin, Ejup Selmanin, Dr. Metin Izetin, Idriz Idizin, prof. Muhamet Mustafa, prof. Elez Ismaili, prof. Nurtene Saiqpin, Shaqir Fetahun, Sherif Deharin, Arif Eminin, Mushtebah Shehun, Mulla Ramadanin, Murat Huseinin, Afrim Tahirin, Ibrahim Shabanin, Skender Buzakun, Ismet Bytiqin, Abaz Islamin, Rexhep Jusufin, Muharrem Ismailin si dhe të gjithë imamët e diasporës, të cilët, sipas Sulejman Rexhepit, ashtu si më herët edhe tani, nuk mund të shërbejnë si imamë pa u besatuar me shërbimet serbo-sllave të cilëve do t’ju raportojnë për shqiptarët irredentistë dhe seperatistë sa herë që do të vijnë në vendlindje!
Janë vetëm një grusht emrash të teologëve që i theksuam më sipër në krahasim me të gjitha ata emra të teologëve të etiketuar nga Sulejman Rexhepi si bashkëpunëtorë të shërbimeve serbo-sllave. Së këndejmi, askush nuk e stigmatizon BFI-në si bastion i udbashëve, por, me këtë nofkë e pagëzoi vetë Sulejman Rexhepi, i cili, për t’u dukur si i vetmi “teolog i devotshëm që e meriton kreun e BFI-së”, të gjithë të tjerët që do ta refuzojnë do të shpallen si udbashë! Prandaj me të drejtë Sulejman Rexhepi do të quhet si Kryeudbashi, i cili kurrë nuk u padit, të cilit kurrë nuk iu tërhoq vërejtja për etiketim dhe sulme të pabaza ndaj hoxhallarëve, etiketime që mund t’i dëmtojnë edhe vetë shërbimet e zbulimit dhe kundërzbulimit, sepse, në mesin e atyre hoxhallarëve të etiketuar Sulejman Rexhepi ka “zbuluar” edhe plotë pederastë e çka jo tjetër!
Kjo BFI e Sulejman Rexhepit duhet të rrënohet deri në themel, të zhbihet ky koncept i funksionimit të një institucioni islam si filiale e shërbimeve sekrete dhe, të krijohet një Institucion i mirëfilltë fetar që do të ishte edhe shtylla kryesore e interesit kombëtar. Një BFI, si kjo e Sulejman Rexepit, me aq shumë spiunë e udbashë nuk i duhet askujt në botë, më së paku shqiptarëve myslimanë në Maqedoni!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *