KTHIMI I LEVIZJES NE BFI DO TA ÇLIROJE JETEN FETARE ISLAME

Intervistë e portalit Shqipmedia me Afrim Tahirin, ish-sekretar i përgjithshëm i BFI në RM

Afrim Tahiri, një teolog i urtë, intelektual e krijues letrar, një publicist e një ithtar i paepur i filozofisë “feja e ngritur në ideologji është xhelat i një kombi”, deri para do kohe ishte sekretar i përgjithshëm në BFI të RM-së. Ishte promotori kryesor i të gjitha aktiviteteve të ndërmarra nga ky Institucion. Tash e 6 muaj është i suspenduar nga Kryetari i BFI-së dhe i akuzuar si “puçist”. Ky është momenti kur do të themelohet Lëvizja për reforma në BFI dhe do të nisë një fushatë e furishme kundër kreut të kësaj Bashkësie. Për më tepër lexuesi ynë do informohet hollësisht nga kjo intervistë e zhvilluar me zotin Tahiri.

Z. Tahiri, deri në maj të këtij viti, për vite me radhë keni drejtuar postin e sekretarit të përgjithshëm në Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni. Tani jeni i suspenduar nga ky Institucion fetar, si “rrebel”, “puçist”…

Të gjithë diktatorët, të gjithë kriminelët e fuqishëm, të gjithë shkelësit e dinjitetit të krijesës së Zotit, nëse përballen me pakënaqësinë, nëse përballen me lëvizjen që ia tund kolltukun e pushtetit, sakaq të vetmën akuzë që e kanë është “puçi”, sepse vetëm përmes kësaj akuze mund ta paraqesin veten “të viktimizuar nga elementet armiqësore”! Fundja, puçi bëhet përmes subjektit ushtarak, përmes digastereve të caktuara për rend, siguri e paqe të një shteti, apo edhe përmes opozitës së armatosur. Diktatorët vetëm puçit i frikohen, prandaj, çfarëdo lëvizje që mund të shfaqet kundër tyre, do ta trajtojnë si “puç”, sepse kësisoj do t’i arsyetojnë mjetet e përdorur për ruajtjen e “rendit shoqëror” të instaluar prej tyre.

Kush kundër kujt përdori dhunë? Ju personalisht, por edhe grupi i juaj, jeni të akuzuar si dhunues dhe kundër jush ka proces gjyqësor. Kjo u dëshmua edhe përmes publikimit të videomaterialeve të inçizuara nga kamerat e sigurisë?

Është material i montuar. Gjyqi nuk e ka pranuar si provë material. Ne kemi fakte deklaratë prej vetë personit që e ka montuar materilin! Edhe akuza ishte e korruptuar. U kapën tek korruptohen disa të ashtuquajtur gjyqtarë. Megjithatë, pas të gjitha provave të ofruara po del që disa nëpunës dhe njerëz të uzurpatorit të postit të kryetarit të BFI-së kanë qenë dhunues dhe jo ne. Në momentin kur kanë shpërthyer krismat e armëve, unë dhe kolegët e mi kemi qenë nëpër vendet tona të punës. Këta kriminelë e kishin uzurpuar Bashkësinë Fetare Islame dhe i kishin mbyllur dyert, nuk lëshonin njeri të futet brenda Institucionit. Ata që përdorën armë zjarri dhe elektrike ishin njerëzit e uzurpatorit të postit kryetar i BFI-së. Këtë e pohuan edhe vet ata në seancë gjyqësore. Ky ishte momenti kur pastaj qytetarë të ndryshëm do t’i kërcejnë dyert e BFI-së dhe do të futen brenda. Me thirrje nga njerëzit e Sulejman Rexhepit vjen edhe policia, situata qetësohet, u merren armët atyre që ato i përdorën, pra njerëzve të Sulejman Rexhepit! Më pastaj, të gjithë palët barrikadohemi nëpër zyre. Nuk kemi lëvizur plotë 13 ditë, sepse e prisnim uzurpatorin të vijë dhe të merremi vesh se pse na kishte larguar nga puna, neve 4-5 vetëve të cilët edhe e kishim rikthyer në postin e Kryetarit pasiqë njëherë organi i BFI-së e kishte shkarkuar nga ky post vite më parë. Pala tjetër nuk dilte nga zyrët sepse kështu u thoshte uzurpatori, sepse deri sa ata rrinin brenda ai para opinionit na akuzonte si pengmarrës të nëpunësve të BFI-së, ndërkohë që policët aty rrinin natë e ditë dhe vetë ata ishin dëshmitarë se uzurpatori po luante lojë tepër të ndytë. Ndodhi rasti i Kumanovës dhe ne u tërhoqëm, me qëllim që mos ta defokusojmë opinionin nga një tragjedi e madhe që i kishte ndodhur popullatës sonë.

Kush është uzurpatori i postit kryetar i BFI-së? Për kë e keni fjalën?

Për Sulejman Rexhepin!

Po ju a ishit sekretar i përgjithshëm derisa ai ishte kryetar?

Po, por pastaj e ndërrum Kushtetutën e BFI-së. Në fakt e ndërroi ai sepse deshti që të zgjidhet në atë post me mandat të hapur.

Dhe revolta e juaj fillon pikërisht këtu se ai do të zgjidhet kryetar i përhershëm. Na thuani, mos e lakmonit edhe ju këtë post?

Jo, hidhërimi ynë i madh dhe definitiv do të shkaktohet në momentin kur, pas një manifestimi fetar, uzurpatori, si i çartur do të nis të shajë nëna, motra e gra të imamëve tanë para një numri të madh të pubikut që po dilte nga salla e operës dhe baletit. Nuk pati njeri që nuk u rëqeth e që nuk u turpërua nga ajo sjellje rrugaçërie e Sulejman Rexhepit.

Po çka ia shkaktoi këtë reagim rrugaçërie, siç thoni ju? Nuk shkoi mirë manifestimi?

Atij as që i interesonte manifestimi. Ai e kishte gjetur momentin për të na provokuar mua, myftiun legjitim të Shkupit, Ibrahim ef. Shabanin, operativën e kësaj Muftinie, konkretisht Skender Buzakun, Ismet Bytiçin si dhe Drejtorin e Standardit Hallall, Abaz Islamin. Ne kemi qenë shumë të afërt dhe bashkëpunëtorë më të ngushtë të Sulejman Rexhepit. Ne ia shprehëm pastaj kundërshtimin tonë për uzurpimin e postit, jo se u bë kryetar, por sepse u vetëemërua, faktikisht e uzurpoi këtë post, pa kaluar në kurrfarë procedure të zgjedhjeve, pa hartuar dhe zbatuar kurrfarë rregullore. Më pastaj nisi edhe organet t’i emërojë pa kurrfarë procedure. Në fakt, ky emërtim i tyre do t’i fus ata në grusht të Sulejman Rexhepit i cili fushëveprimin e keqpërdorimit të detyrës e zgjeroi. Askush nuk i thoshte asgjë, sepse secili varej nga vullneti i tij diktatorial. Ia kemi tërhequr vërejtjen vazhdimisht dhe, fare në fund, kur na hetoi se ne po ia hetonim veprimtarinë shkatërrimtare dhe grabitqare të BFI-së, e ulëm në zyret e Myftinisë së Shkupit dhe ia numëruam të gjitha. Ai u frikësua dhe u turpërua tepër shumë. Na luti që ta ruajmë e ta kursejmë qoftë edhe me dorëheqen e tij. Dhe, dy-tri ditë më vonë, do të rrebelohet kundër nesh, me qëllim që të na inatosë e të bëjmë ndonjë veprim të papëlqyer, ose edhe, pas asaj inatosjeje të mos ngelte më hapësirë për t’u kthyer ne në BFI. Kur e pa që ne nuk e pranuam skenarin e tij dhe kërkuam që të takoheshim në zyren e tij dhe të merreshim vesh pa u tronditur opinioni, ai e aktivizoi planin tjetër, atë të përdorimit të armëve me zjarr madje edhe sikur të vritej ndokush. E priste këtë tragjedi, sepse, pas një tragjedie të tillë çfarëdo akuze kundër tij do të ishte e pavlerë. Nuk i ndezi as ky plan, ndaj shkoi në variantin e akuzave gjyqësore duke ofrur material të montura për prove, madje edhe duke shpifur e gënjyer. As kjo nuk i shkoi! Gjyqi tashmë na ka shpallur të pafajshëm dhe tani kemi edhe disa procese për kthimin nëpër vendet tona të punës. Tani të shohim se si do të dalë Sulejman Rexhepi pas akuzave tona personale që i kemi ngritur kundër tij për shpifje e gënjeshtra.

Pse askush nuk e kundërshoi këtë uzurpim të postit të kryetarit. Pse ky akt t’ju revoltojë vetëm juve?

Sepse, ai po kërkonte që disa punë të cilat për ne ishin të jashtëligjshme t’i kryej përmes nesh, sepse ne ishim bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Pa ne nuk merrte as frymë! Nuk na dukej normale qasja e tij. I kemi thënë se nuk ka lënë gjë nga Kushtetuta pa shkelur, ai thoshte për nevoja tona, dmth. është i prirur të fajëson të gjith rreth vetes. Ne ia kemi tërhequr besimin tonë duke ia bërë me dije që sa më parë duhet të kalojë nëpër procedurat zgjedhore, në të kundërtën, të gjitha aktivitetet që do t’i ndërmarrë do t’ia trajtojmë si të jashtëligjshme dhe se ne nuk do të pranojmë të përfshihemi nëpër vepra penale që do ta rëndojnë atë.

Po të tjerët, udhëheqësit e organeve të BFI-së pse heshtin, pse nuk distancohen prej tij?

Kjo pyetje do të ishte mirë tu bëhet atyre. Unë deri më tani nuk kam ndonjë përgjigje. Ata as nuk po përgjigjen e as që po e mbrojnë Sulejman Rexhepin nga akuzat e shumta !

A janë predikues të islamit? A janë kujdestarë të zhvillimit të jetës fetare islame. Kështu thotë islami?

Për fat të keq, me pak përjashtime, këta persona dhe krejt kjo situatë fare nuk ka të bëjë me islamin, aspak nuk i përket islamit dhe është, pa dyshim, kundër vetë islamit. Keqpërdorimi i BFI dhe institucioneve të saja si dhe mjeteve të saja për nevoja private dhe familjare si dhe nepotizmi i skajshëm, ka bërë që zëri i keq i BFI dhe Sulejman Rexhepit të arrijë edhe në media më me renome ndërkombëtare. Për fat të keq, jeta fetare islame në Maqedoni ka mbetur në duart e do matrapazëve të cilët më tepër kanë qejf të shesin poza kaubojësh se sa të reflektojnë devotshmëri. Le të ngelin edhe pak në verbërinë e tyre !

Si të dilet nga kjo situatë?

Nuk ka dalje nga situata pa u larguar Sulejman Rexhepi dhe pa u nxjerrë para organeve të drejtësisë. Ju e dini që në Maqedoni edhe më tej zhvillohet pëlcitja e « bombave », në fakt publikimi i përgjimeve të cilat i ka siguruar partia opozitare maqedonase, LSDM-ja. Me dhjetra «bomba» kanë lakuriqësuar veprimtarinë e tmerrshme korruptive, grabitçare, spiuneske, kriminale të Sulejman Rexhepit dhe të familjes së tij. Asnjë nga këto «bomba » nuk ka arritur t’i demantojë. E si të demantoj kur rrethi i tij i ngushtë përbëhet prej kriminelëve, njerëzve që bredhin me armë, diletantëve, pseudoteologëve, të cilët të gjithë i mbanë me pagesë. Kjo arradhë truprojesh paguhet nga buxheti i BFI-së. Fundja, kujt i duhen këta, pse Sulejman Rexhepi shpëtimin e vet e kërkon prej tyre. Kujt i ka borxh Sulejman Rexhepi, kujt i ka bërë ndonjë të keqe që frikësohet kaq shumë sa të angazhojë dhjetra truproje, madje t’i armatosë edhe bashkëpunëtorët e vet pseudoteologë? Sulejman Rexhepi nuk guxon të dalë deri në Çarshinë e Vjetër e të hajë një çorbë bashkë me qytetarët, të futet qoftë vetëm një herë vetë në mesin e myslimanëve, dyqanxhinjve, t’ua dëgjojë hallin, sepse atyreve ua merr qeranë. Sulejman Rexhepi, tamam si gangsterët holivudianë, që nga shtëpia e tij e deri në oborr të BFI-së, përcillet me dhjetra truproje. Ma gjeni një prijës klerikësh të tillë në botë? Ai njeri duhet të dalë para drejtësisë, të marrë fund epoka e tij gangsteriane dhe të kryhen shërbimet e mirëfillta fetare islame në Maqedoni.

Cili është qëndrimi i subjekteve politike shqiptare në Maqedoni në raport me këtë njeri të rrezikshëm, siç po e përshkruani ju?

Asnjë parti politike nuk merret me te. Asnjë subjekt, asnjë institucion. Po, të gjithë e respektojnë Institucionin e BFI-së por jo edhe Sulejman Rexhepin. Për hirë të respektit që kanë për myslimanët e këtij Institucioni detyrohen që «ta respektojnë» apo ta përfshojnë në ndonjë manifestim. Është i njohur si njeri kundërthënës, herë lavdëron e herë shan një subjekt, herë bekon një lider e herë mallkon, herë antivehabiu me i madh e herë miku më i madh i tyre !

Po si është e vërteta me këta «mjekrroshë» ? Pas Shqipërisë dhe Kosovës, më në fund, edhe Maqednia zhvilloi një aksion policor kundër tyre. Në Maqedoni ka shumë të tillë. Kush qëndron prapa tyre?

Për momentin ata janë miq të ngushtë të Sulejman Rexhepit. Ai ata i ka futur nëpër institucionet e BFI-së. Të gjithë këta dikur Sulejman Rexhepi i akuzonte si vehabistë, si njerëz të rrezikshëm dhe me këmbëngulje kërkonte nga organet gjegjëse që të merrnin masa kundër tyre. Në momentin kur e pa se ngeli vetë, se nisi t’i rrezikohet posti, sakaq i grumbulloi rreth vetes, u fotografua me ta duke përçuar mesazhe tepër të rrezikshme për shqiptarët e Maqedonisë dhe më gjërë. Kam përshtypjen se i vetmi vend që i ka institucionalizuar ata është Maqedonia, gjegjësisht, BFI-ja e Sulejman Rexhepit. Shfrytëzoj rastin që përmes kësaj interviste të shpreh brengosjen time për situatën e muslimanëve në Maqedoni. Shumë shpejt do të gjenden para një situate të palakmueshme, situatë kjo që po krijohet nga sjelljet diletanteske (mbase edhe me porosi!!!) të Sulejman Rexhepit. Kur unë muaj më parë përmes 24 NEWS ngrita një iniciativë për themelimin e një këshilli gjithëkombëtar nën patronatin e kryetarit apo kryeministrit shqiptar, ku do të përfshiheshin të përfaqësues të partive, të komuniteteve fetare, të akademive, të shërbimeve kombëtare të intelegjencies si dhe ministra të rendit e të sigurisë etj, me qëllim të hartimit të një strategjie mbarëkombëtare kundër dukurive dhe ideologjizmave të ndryshme fetare që po nxjerrin kokë në trungun tonë kombëtar, për Sulejman Rexhepin sikur kisha bërë herezi dhe, paramendoni, ka zhvilluar një fushatë të tmerrshme kundër meje. Pse i dogj propozimi im Sulejman Rexhepit, ndoshta kjo lidhet me faktin që me aminin e tij, lloj lloj figura të dyshimta po bredhin botës arabe, kuptohet për donacione!

A mos keni ju pretendime karrieriste? Mos dëshironi t’ia zini vendin e kryetarit Sulejman Rexhepit?

Ai vend është i uzurpuar dhe, herdo-kurdo duhet të lirohet me leje të Zotit. Sa i përket pretendimeve të mia, unë, i kam thënë publikisht Sulejman Rexhepit, në prezencë të njerëzve: “nëse mendon se po dua të ta zë vendin, eja të japim që të dy dorëheqje, të ikim e të noterizojmë një deklaratë të përbashkët se, kurrë në jetë, as unë dhe as ti nuk do të shkelim në BFI”!

Epilogu?

Epilogu! Kemi shpresë se më në fund do të funskionojë drejtësia te ne. Sulejman Rexhepi veçmë ka nisur t’i humbë aktpaditë që i ka ngritur kundër nesh. Tani do të përballet me aktakuzat tona private. Dyshoj se mund të shpëtojë pa u paditur edhe nga prokuroria shtetërore. Manipulimet, mallverzimet, falsifikimet e tij rëndojnë shumëfish më tepër se sa ndonjë “autoritet” i tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *