Nishani: Ngjarjet e fundit tregojnë se terrorizmi nuk njeh kufij

Sfida ndaj terrorizmit, të shfaqur pak ditë më parë përmes sulmeve në Paris, ka mbledhur në institucionin e Presidentit të Republikës krerët më të rëndësishëm të vendit.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani tha se ngjarjet e fundit tregojnë se terrorizmi nuk njeh kufij, ndaj nevojitet bashkëpunim dhe masa të forta për të mos lejuar kërcënimin e tij.

“Shqipëria është ndeshur me fenomenin e luftëtarëve të huaj, me kontigjentin e elementëve nga Shqipëria që kanë luftuar në Siri dhe Irak. Por ato janë raste të hetuara dhe përfitoj nga rasti të bëj vlerësimin tim për bashkëpunimin e shkëlqyer mes policisë, shërbimeve të inteligjencës dhe prokurorisë”, deklaroi Nishani.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se vendi ka mjaft struktura sigurie, por ka ende hapësirë për t’i bërë ato më efikase. Krijimi i një strukture në shërbim të këtij qëllimi, që do të kryente funksionet e qendrës së sistemit të sigurisë, është prioritet, ashtu sikurse forcimi i sistemit të paralajmërimit të hershëm ndaj rreziqeve të kërcënimit.

“Funksionimi i sistemit të sigurisë kombëtare është sfida jonë dhe padyshim ai kërkon një koordinim në nivelin më të lartë politik dhe atë ekzekutiv. Kërkon trajnim, stërvitje dhe testim të funksionimit të tij papritur, në mënyrë që të testohet në momentin kur diçka ndodh dhe e vë në sfidë sistemin”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama e vuri theksin edhe tek nevoja e përmirësimit të kapaciteteve të inteligjencës, trajnimit të personelit dhe strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimi me strukturat e sigurisë jashtë vendit. /Top Channel/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *