Një drekë si “Darka magjike”

Sipas mësimeve biblike, në darkën e fundit të Krishtit me dishepujt e vet, ai paralajmëroi se do të ndodhë një tradhëti dhe se tradhëtari gjendej në po atë tavolinë. Dhe, ndodhi ashtu siç e kishte paralajmëruar ky i Dërguar i Zotit

Shkruan Andi Rakipi

 

Më 25 tetor, Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, do të shtrojë një “drekë pune” për Sulejman Rexhepin në të cilën do të prezantonin plus tre sekserë të cilët, më vonë, do ta dekonspirojnë tërë planin, procesin dhe mënyrën për “dekoratat” që do të pasojnë për Sulejman Rexhepin. Kësisoj, ajo tavolinë e asaj “dreke” në fakt u shndërrua në “Darkë magjike” mbi një tryeze që nuk ishte asgjë tjetër përveçse një tezgë e rëndomtë në të cilën “dekoratat” ishin nxjerrur në pazar si mall i falcifikuar!

“Dishepujt” e Sulejman Rexhepit si dhe ata të Presidenti Ilir Meta kishin punuar me muaj të tërë për këtë tregëti të pandershme dhe, kishin konstatuar që, Sulejman Rexhepit i duhen dekorata me të cilat do ta kamuflonte veprimtarinë e vet prej polici udbash, ndërkohë që do të “mohoheshin” edhe të gjitha sulmet dhe fushatat që po zhvillohen kundër tij si element destruktiv dhe mjaft i rrezikshëm për kauzën fetare e kombëtare të popullit tonë. Konstatimi tjetër i këtij grupi “dishepujsh” ishte edhe fakti që tashmë për dekorata të tilla Sulejman Rexhepi është në gjendje të paguaj aq sa do të kërkohet. Pas këtij konstatimi shumë të saktë, fillon projektimi i mashtrimit të madh: Mulla Sula të marrrë “dekoratën” e Donald Trampit dhe, pas kësaj dekorate, Ilir Meta do ta ketë më të lehtë për ta dekoruar, sepse, “kur një shqiptar dekorohet prej një presidenti amerikan pse këtë mos ta bëjë edhe presidenti shqiptar”!

Babadimri i Vitit të Ri i Sulejman Rexhepit

Në prag të Vitit të Ri, ndodhi mashtrimi i madh dhe i turpshëm, në të cilën stafi mashtrues i Sulejman Rexhepit i përbërë nga matrapazë e hajna të regjur, deshtën që ta involvojnë edhe tërë korin dipomatik që funksionon në vend. Nevoja e Sulejman Rexhepit për një “dekoratë” ishte më e madhe se turpi dhe pasojat prej tij, prandaj, ndonëse patën shumë paralajmërime që mos t’i futeshin një aventure të tillë, ata, megjithatë, më 28 dhjetor, e pritën Babadimrin që të sjellë një dhuratë të madhe! Të gjithë, edhe të moshuarit, edhe fëmijët, edhe të urtit edhe budallenjtë, që të gjithë e dinë se Babadimri dhe dhuratat prej tij janë një gënjeshtër e madhe, e dalur nga mentaliteti skamnor. Përkundër këtij fakti, çuditërisht, që nga dalja në skenë e këtij miti, që të gjithë i gëzohen dhe seç e ndjejnë një lumturi dhe kënaqësi të papërshkrueshme nga kjo gënjeshtër. Seç bëhët një atmosferë festive e cila i dedikohet fund e krye mashtrimit. Kështu ishte edhe ai 28 dhjetori, kur në sallën e një restoranti, dy babagjyshër mashtrues ordinerë, ia sollën Sulejman Rexhepit “dhuratën” që ia paska nisur e personalizuar (!!!) vetë Presidenti Amerikan, Donald Tramp! Stafi i tij ishte përkujdesur që këtij mashtrimi t’i japë paksa nuanca të “së vërtetës” duke e sjellë në “mexhlis” Donald Trampin përmes një fotografie-portret nga ato që përdoren për nderim në momente mortore të një personaliteti! Donald Trampi është me ne dhe ai po ia jep “Çmimin për të arritura jetësore” Sulejman Rexhepit, njeriut që dështimet në rapot me sukseset i ka si një mal gjigant përballë një guraleci. Një jetë të tërë duke punuare, duke aritur suksese të paimagjinueshme, deri sa është bërë multimiliarder, një jetë të tërë duke ia kushtuar Amerikës dhe popullit amerikan, duke u shndërruar në simbol të krenarisë së këtij populli, megjithatë Donald Trampi kurrë nuk u dekorua nga asnjë president amerikan. Dhe, na doli puna që të arriturat e Sulejman Rexhepit qenkan shumë më të dobishme se ato të Trampit. Në fakt, dështimet e tmerrshme të Sulejman Rexhepit kanë bërë që prej tij të nxjerrin një njeri kriminel, hajn, zhvatës, shkatërrues e përçarës, veti këto që, do ta përligjin tërë atë “konstatim të Trampit” i cili paskësh konstatuar se Sulejman Rexhepi na qenka angazhuar për paqe, mirëqenie, bashkëjetesë, kundër ekstremizmit dhe terrorizmit fetar islam, ndërkohë që “dekorimin” e feston në KONAKU-n e vet me të gjitha nishanet e kriminelëve dhe të terroristëve, duke ia dhënë rrafallit me kallashë e revole, e duke bërë ahengje të denja për njerëzit e nëntokës. Prandaj u bojktua dhe u injorua nga tërë diplomatët e huaj në vend, përfshirë këtu edhe diplomatët e Ambasadës amerikane në Shkup.

Babadimrat e Mulla Sulës, (dy sekserët e Ilir Metës) dy muaj më parë e kishin qethur bisnesmenin nga Kumanova, z. Feriz Dervishin, duke ia marrur fiks 17 mij euro për “dekoratën” që do t’ia “ndante” Universiteti në Florida ku po ligjeruaka ai far Otto von “leshi”! Po ky çmim nga po ky farë “leshi” iu nda edhe dy “dishepujve” të Mulla Sulës, Qani Nesimit dhe Shaqir Fetahut, të cilët, pa dyshim që e kanë paguar po të njëjtin çmim si bisnesmeni i gjorë nga Kumanova!

Ndjesë z. President

Këto ditë qarkulluan disa informacione mjaft interesante, të cilat mund të kenë rjedhur nga ndonjë sirtar i shërbimeve intelegjente. U tha që javë më parë në “Drilon” të Pogradecit janë takuar Sulejman Rexhepi me dy sekserët e Ilir Metës të cilët paskan marrur ratën paradekoruese! Kjo flet se Presidenti Shqiptar Ilir Meta nuk ka hequr dorë nga dekorimi i Sulejman Rexhepit, ndonëse përmes një letre të hapur që ia nisi ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i Sulejman Rexhepit, ish-sekretari i BFI-së, Afrim ef. Tahiri, presidentit shqiptar i janë ofruar shumë të dhëna të cilat që në start ia komprementojnë aktin e dekorimit që do ta ndërmarrë në të mirë të Sulejman Rexhepit. U tha se janë paguar një dorë lekësh por deri më tani nuk i është ndarë dekorata para se ta përmbushë tërë detyrimin që e ka Mulla Sula ndaj dekoratës presidenciale. Sulejman Rexhepi e ka harxhuar tërë buxhetin e BFI-së duke paguar “dekorata” të këtilla manipulative, sa që të punësuarit e BFI-së ngelën duke i thyer gishtat në pritje të ndonjë rroge dhe nga kërcënimi i bankave në të cilat janë futur në kredira të ndryshme. “Fatmirësisht” Sulejman Rexhepit i doli një mundësi për të gjetur para dhe për ta paguar tërë detyrimin e vet ndaj “dekoratës presidenciale” të Ilir Metës!

Në fund të muajit nëntor të vitit 2017 Jugu i Shqipërisë u përmbyt nga vërshimat katastrofale me ç’rast shumë shqiptarë ngelën pa kulmb mbi kokë e pa bukë në gojë. Shtetet mike të Shqipërisë u solidarizuan dhe dërguan ndihma të ndryshme. Sulejman Rexhepi me gojë të vet, para ekraneve televizive, e shpalli javën e solidaritetit, të grumbullimit të mjeteve finansiare, për t’ia dërguar shtabeve emergjente shqiptare. U tha se u mblodhën shumë para. U tha se shumë myftini e sabotuan këtë aksion duke mos ia dorëzuar tërë shumën e mbledhur Sulejman Rexhepit, por, pati informata edhe të tipit se, aksioni dështoi, se asnjë shqiptar nuk dëshiron më t’i japë ndihma humaniare Sulejman Rexhepit etj. Një është më se e vërtetë, deri më sot, paratë e grumbulluara nuk u dorëzuan në asnjë shtab emergjent shqiptar. Fatkeqësisht, me gjasë, këto para iu dorëzuan në formë pagese Ilir Metës për dekoratën që duhet t’ia japë Sulejman Rexhepit. Do ta bëjë këtë gafë presidenti shqiptar që me paratë humanitare të mbledhura për shqiptarët që pësuan nga vërshmat katastrofale në Jug të Shqipërisë, të shesë dekorata presidenciale! Deri në këtë derexhe ka degraduar ky Institucion?!

Vërtet, cila e arritur jetësore e Sulejman Rexhepit, e cila e bën krenar popullin shqiptar apo që ia shton vlerat kombit tonë, mund ta motivojë Ilir Metën për ta dekoruar këtë figurë kontraverse?

Ndjesë President! Mbase të gjitha këto që po thuhen rreth tij në raport me Sulejman Rexhepin janë vetëm spekulim! Ndoshta ajo drekë e shtruar në 25 tetor, me elemente të “Darkës së fundit”, nga ana e Presidentit Ilir Meta për Suejman Rexhepi, ka qenë përpjekje për ta bindur që të heq dorë nga Komuniteti bektashian në Maqedoni dhe ta lejojë regjistrimin e këtij Institucioni, më vete dhe i barabartë me Institucionin e BFI-së. Regjistrimi i Komunitetit bektashi në Maqedoni tashmë ka ndodhur dhe, përderisa vite më parë Suejman Rexhepi kërcente si zorra në prush sa herë që zihej ngoje ky Komunitet, kësaj radhe nuk e dridhi as qerpikun e syrit! Nëse ky mision u përmbush dhe po përmbyllet me dekorimin e Mulla Sulës, megjithatë, ky akt pason pas një marrëveshje matrapazësh ku nuk mbahet llogari për asnjë të arritur jetësore. Pra, Ilir Meta e dekoron Sulejman Rexhepin pasi ky përmbushi një kërksesë të Ilir Metës, dhe jo se e meritoi për shkak të të arriturave të mëdha të cilat do ta bënin krenar një komb të tërë.

President, ndjesë! Edhe ky veprim është një xhambazllëk shumë ofendues për kombin shqiptar, madje nga vetë presidenti i këtij kombi!!! A mos duhet që vetingu ta përshkojë edhe presidentin shqiptar?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *