Thaçi dhe Vuçiç diskutojnë për “korrigjim të mundshëm territori”

Bekim Shehu/

Thaçi dhe Vuçiç flasin së bashku për “korrigjim të mundshëm territori”. Në Alpbach të Austrisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci dhe ai serb, Aleksandër Vuçiq kërkuan mbështetje nga të gjithë për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, që mund të derivojë edhe me “korrigjim territori”.

Konferencë shtypi në Alpbach

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, folën hapur rreth mundësisë së korigjimit të kufirit, por të dy në mënyrë të kujdesshme e shprehën këtë ide, pa dashur të shkaktojnë shqetësime në opinion për ndonjë tensionim të mundshëm në Ballkan.

Hahn: Gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në rajon

Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi, morën pjesë në forumin e Alpbach-ut në Austri, ku të pranishëm ishin edhe Presidenti i Austrisë, Aleksander Van der Bellen ai i Sllovenisë, Borut Pahor dhe komisioneri i BE-së për zgjerim Johanes Hahn. Madje edhe ky i fundit tha se çfarëdo marrëveshje që del nga të dyja palët, ajo duhet përkrahur. “Pa marrë parasysh se cila është zgjidhja dhe ne nuk përjashtojmë asgjë, duhet ta dimë se gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në rajon. Kjo lloj marrëveshje nuk duhet të shtyjë ide të tjera në rajon”, tha Johanes Hahn.

Thaçi: Duhet arritur marrëveshja për kufirin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në përfundim të forumit tha në një konferencë të përbashkët për medie se “Prishtina dhe Beogradi kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta arritur një marrëveshje finale. “Presim marrëveshjen për kufirin, ngase nëse nuk e arrijmë këtë e rrezikojmë të ardhmen evropiane. Andaj, kemi vendosur të eksplorojmë shumë mënyra dhe jemi të gatshëm të arrijmë deri te marrëveshja”, tha Presidenti Thaçi, duke shtuar se “askush nuk duhet të ketë frikë nga një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë edhe nëse kjo marrëveshje do të thotë korrigjim kufiri”. Sipas tij, “Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat, as të fundit që bëjnë korrigjim kufiri”.

Pa marrëveshje bllokimi i dyanshëm Kosovë – Serbi vazhdon

Sipas Presidentit të Kosovës, “pa arritjen e një marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do ta bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së dhe rajoni do të vuajë nga rreziku i jostabilitetit”.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga ana e tij, thotë se shqiptarët dhe serbët si dy popujt më të mëdhenj në rajon, duhet të arrijnë një marrëveshje historike. “Ne duhet t’i zgjidhim problemet tona me shqiptarët, për hir të serbëve për hir të shqiptarëve dhe për hir të gjithë rajonit. Sepse serbët e shqiptarët janë bindshëm popujt më të mëdhenj në rajon”, tha Aleksandër Vuciq, duke shtuar se megjithatë, “njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, pa fituar asgjë në këmbim, nuk ka gjasa të ndodhë”.

Vuçiq: Të bëjmë më të mirën për të zgjidhur problemin qindravjeçar

“Nuk jam i sigurt se njerëzit në Serbi do të mbështesin ndonjë marrëveshje, por ne do të bëjmë më të mirën për të zgjidhur problemin qindravjeçar. Premtimi për njerëzit e mi është se do të investojmë të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje finale për problemin me shqiptarët. Zgjidhja do të jetë e dhimbshme për të dyja vendet, por kjo do të thotë që në të dyja anët do të ketë sadopak kënaqësi gjithashtu”, tha Vuçiq. Sipas tij, konflikti i ngrirë me shqiptarët nuk duhet të vazhdojë sepse në fund “dikush dikur do ta shkrijë dhe më pas do të kemi luftë”.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili ishte nikoqir i takimit, të Forumit Evropian në Alpbach, tha se “procesi i integrimit dhe zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojë”, ndërsa duke ju referuar dialogut Kosovë-Serbi, ai tha se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje historike. “Dialogu mbetet esencial në rrugën e Kosovës dhe Serbisë për integrim. Jam i bindur se të dy presidentët Thaçi dhe Vuçiq janë të përkushtuar në arritjen në një marrëveshje historike”, tha Presidenti i Austrisë, Van der Bellen.

Opozita në Kosovë e shqetësuar

Në një kohë që presidenti Thaçi dhe Vuçiq folën në Alpbach të Austrisë për një marrëveshje të mundshme finale ndërmjet dy vendeve, në Prishtinë partitë opozitare janë të shqetësuara për këtë debat, duke akuzuar Presidentin e Kosovës se ai ”nuk ka mandat nga parlamenti të flasë për një marrëveshje finale me Serbinë, ku mund të ketë edhe lëvizje kufiri”. Më i zëshmi në këtë mes, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, tha pas këtyre qëndrimeve të Thacit, Vuçiq dhe Johannes Hahnit, se “Kosova nuk do të përfitojë asgjë nga ky dialog”.

“Kosovën po duan ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale. Vuçiqi do marrëveshje fitimtare për Serbinë, që ta fitojë bindshëm referendumin për ndryshimet kushtetuese atje. E tillë mund të jetë vetëm një marrëveshje fort e keqe për Kosovën”, shkroi në rrjetin social Albin Kurti.

Presidenti Hashim Thaci dhe Aleksandër Vuçiq do të takohen me Bruksel më 7 shtator në zyrën e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini. Edhe Thaçi edhe Vuçiq, thonë se takimi pritet të jetë i vështirë, ndërsa, nuk e konfirmuan nëse në këtë takim do të hapet zyrtarisht “tema e korigjimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Leave a Reply