Xhamia e Prilepit si shpirti i Sulejman Rexhepit

(Reagim kundër një kolumne të Agim Mehmetit që e ka nënshkruar me emrin e h. Sulejman ef. Rexhepit, me titull “Vrasja e një bukurie”, të botuar në disa protale të paguara nga Sulejman Rexhepi me paratë e arkës së BFI-së së uzurpuar prej tij)

Shkruan Haxhi Isa Xhaviti

 

Agim Mehmeti kësaj radhe paska vendosur që përmes gojës së Sulejman Rexhepit të na flasë për një shëmti e cila, në kushte normale të krijuara nga ndonjë strategji paraprake për mbrojtjen e pronës dhe pasurisë islame, do ta dridhte shtetin e Maqedonisë deri në rrënim total!

Agim Mehmeti mundohet që ta paraqesë Sulejman Rexhepin si shumë të mërzitur për atë se çka po ndodhkëka në xhaminë e djegur të Prilepit. Sulejman Rexhepi, pasi merr vesh nga “filmi” që po qarkullon nëpër disa protale, tmerrohet nga fakti si tashmë Xhamia e djegur në Prilep qenka shndërruar në wc publike!

Tashmë është thënë se, çdo shkrim i Agim Mehmetyit në fakt bëhet për ta ngulur Sulejman Rexhepin! Në rastin konkret Sulejman Rexhepi “tmerrohet” nga informatat që dalin nga “ky film”! Po çka ka menduar “Sulçe begu i vogël”, çka do të bëhet me atë objekt të shkatërruar që e ka lënë në atë pozitë që nga viti 2001! Sulejman Rexhepi jo njëherë ka thënë se atë objekt duhet ta lëmë ashtu që të shërbejë si monument tradhëtie e BDI-së së Ali Ahmetit! Pra, gjithnjë ka dëshiruar që, duke ikur nga përgjegjësia dhe fajësia, fajin ta kërkojë te Ali Ahmeti, të cilin sot, e shpallë si “lider i gjithë shqiptarisë”!

Agim Mehemti duhet ta dijë se kjo Xhami e Prilepit nuk është nga dita e djeshme, por, është dhe ka qenë edhe në kohën kur Sulejman Rexhepi e bekon me loçkë të zemrës Nikolla Gruevskin, i cili, personalisht ka qenë i angazhuar në djegien e asaj xhamie, pastaj në moslejimin e ringritjes së xhamisë dhe me këtë fakt ka qenë i njohtuar me kohë edhe Sulejman Rexhepi.

Pse Sulejman Rexhepi ikte në Ulqin i revoltuar nga lufta e UÇK-së dhe nuk bëhej palë me Komandantin Ali Ahmeti e ta këshillojë që mos të pajtohet me rindërtimin e Manastirit në Leshok pa u rindërtuar Xhamia në Prilep?

Që pas djegies së Xhamisë në Prilep e deri më sot, në të gjitha qeveritë ka qenë edhe Ali Ahmeti dhe BDI-ja e tij, me përjashtim të 18 muajve kur në qeveri ishte PDSH-ja dhe kur për Medrese e për xhami e detyroi qeverinë të ndajë mbi 300 mij euro! Botërisht dihet se atëherë negociatat ishin që të ndërtohet edhe Xhamia në Prilep dhe se pala maqedonase në krye me Nikolla Gruevkin kishin rënë dakord që ta rindërtojnë por të ngelë si Xhami Muze, jo aktive. Natyrisht, me një propozim të tillë raciste nuk pajtohej as Arbën Xhaferi dhe as Menduh Thaçi. Kjo si duket e ka brengosur shumë Sulejman Rexhepin, ndaj dhe me kapacitet të plotë lëshohet për ta ndihmuar BDI-në, madje qorrazi, madje edhe me financat e BFI-së, duke i lënë sot punëtorët me rroga të përgjysmuara e të sakatosura!

Le ta nxjerrë Agim Mehmeti apo Sulejman Rexhepi, qoftë vetëm një dokument ku janë arritur marrëveshjet në mes të Sulejman Rexhepit dhe Ali Ahmetit për ta rindërtuar atë xhami të vetme të qytetit të Prilepit, apo ndonjë marrëveshje koalicionuese në mes të Nikolla Gruevskit-Zoran Zajevit dhe Ali Ahmetit që në platformë qeveritare të parashihet edhe rindërtimi dhe riaktivizimi i Xhamisë së Prilepit? Nuk ka! Nuk ka, sepse, thjesht, rindërtimin nuk e do Sulejman Rexhepi, sepse, sikur ta kishte dashur, me gjithë mend, deri më tani do të kryente një apel për ta falur një xhuma në atë Xhami dhe, Sulejman Rexhepi duhet të jetë i bindur që nuk do të kishte mysliman që nuk do të vinte në atë xhami për ta falur atë xhuma të thirrur prej tij! Do t’i kishte më së paku nja 200-300 mij mysllimanë prej tërë Maqedonisë në shesh të Prilepit. E të dilte pastaj cilido kryetar komune, cilido kryeministër, apo cilido Pasko e le ta pengonte rindërtimin e xhamisë me iniciativë të Mulla Sulës!

Opinioni i gjërë e di se, djegia e asaj xhamie, në fakt nuk e vrau, por e plagosi atë bukuri dhe, është pikrisht Sulejman Rexhepi që po e le të vdesë atë bukuri nën plagët e tmerrshme që i mori që në vitin 2001. Ajo bukuri, Agim Mehmeti, është plagosur dhe Sulejman Rexhepi po e lë të vdesë! Plagët mund të shërohen por, vdekja jo dhe, pas vdekjes, hetimet nuk fokusohen vetëm te ekzekutori por, edhe te urdhërdhënësi, tek pjesëmarrësit në kryerjen e veprës, tek sjellja pasive e atyreve që u përket shërimi i plagëve. Të gjithë këta janë bashkëpjesëmarrës në vdekje të një bukurie!

Gabim e ka Agim Mehmeti kur mundohet që t’i shkruaj tekst Sulejman Rexhepit sa për ta amnistuar nga përgjegjësia e plotë për “VRASJEN E NJË BUKURIE”! Faji për shndërrimin e Xhamisë së Prilepit në wc, faji për degradimin e kësaj Shtëpie të Zotit deri në këtë derexhe, është kryekëput i Sulejman Rexhepit, o Agim Mehmeti. Por, si gazetarë që je, mos mendo se nuk të prek ky faj dhe ty! Për më tepër tashmë je edhe fajtor publik, përderisa përpiqesh që nga ky faj ta shpëtoshë fajtorin më të madh – Sulejman Rexhepin, rrënuesin e gjithçkafit që i përkiste dikur Institucionit të myslimanëve të vendit, BFI-së, të cilën, sot, me gjasë po e ndjek po ai fat i Xhamisë së Prilepit. Vrasësi i një bukurie nuk e ka dert për të vrarë edhe një bukuri, edhe një tjetër, edhe një tjetër… nuk e ka dert nëse shkatërrohet tërë BFI-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *