Ambasadori spanjoll: Shqiptarët duhet të vendosin për të dalë nga kriza, jo të huajt

Ambasadori spanjoll Vicente Canelles Montero ka komentuar situatën politike në vend, duke kërkuar zgjidhje të saj përmes dialogut mes palëve e jo nga ndërkombëtaret. Gjendja e krijuar, po ndikon sipas diplomatit të lartë në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.

“Është e vërtete që situata politike në Shqipëri është e tensionuar, por nuk janë ambasadorët e huaj ata që mund të vendosin sesi mund të kapërcehet kjo gjë. Vetëm shqiptarët mund të vendosin, sigurisht duke respektuar ligjin, shtetin e të drejtës, e Kushtetutë. Jeni ju ata që duhet të vendosni sesi mund të dilni nga ky moment i vështirë. Për mendimin tim ne të huajt jemi këtu vetëm për të vëzhguar situatën; nuk besoj se ambasadorët duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit”, tha Montero.

Diplomati spanjoll nuk ka anashkaluar as ngecin e krijuar prej mungesës të Gjykatës Kushtetuese.

“Këto janë vështirësi që duhet t’i zgjidhni. Duhet të gjendet një zgjidhje dhe pa kaluar shumë kohë madje” u shpreh diplomati.

E për sa i takon integrimit në BE, Montero u shpreh se Spanja ka qenë gjithmonë pozitive në lidhje me perspektiven e Shqipërisë, por vendit i duhet të zgjidhë fillimisht të zgjidhë problemet e tij sepse gjendja aktuale ia komplikon rrugën drejt bllokut. Komentin, ambasadori i bëri nga Korça, ku ishte i pranishëm në natën e dytë të Mik Festival.

Leave a Reply