Analistët: Debati kaotik reflekton polarizimin e thellë politik në vend

Debati i parë elektoral mes Presidentit Trump dhe kandidatit demokrat Joe Biden ishte më tepër një garë me sharje e ngritje zëri se sa një shkëmbim i strukturuar idesh. Organizatorët thonë se po punojnë për ndryshime që të garantojnë se në përballjen e ardhshme mes kandidatëve do të zhvillohet një diskutim më kontruktiv. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara bisedoi me analistë, të cilët thonë se shkëmbimet kaotike të debatit të parë ishin në një farë mase reflektim i polarizimit të thellë politik të vendit

Media sociale u mbush me meme gjatë debatit të parë presidencial mes Presidentit Trump dhe kandidatit demokrat Joe Biden. Shumë shikues u shprehën se i ngjante zënkave të fëmijëve, apo të sharave mes dy pleqve.

“Ky është problem i së majtës radikale,” u shpreh në një koment presidenti.

“Ti, mbyll gojën,” iu kthye presidentit zoti Biden.

Gjatë debatit pati plot ofeza personale:

“Ti nuk mund të konsiderohesh kurrë i zgjuar, Joe. Për 47 vjet nuk ke bërë asgjë,” tha presidenti.

“Ti je presidenti më i keq që ka pasur ndonjëherë Amerika,” tha demokrati Joe Biden.

“Ato që pamë gjatë debatit janë pikërisht problemet që brejnë demokracinë. Faktikisht, demokracia jonë është në rrezik dhe duket qartë nga mënyra se si udhëheqësit politikë i drejtohen njeri-tjetrit,” thotë analistja Jennifer Mercieca.

Diskutimet për pandeminë, rimëkëmbjen ekonomike dhe trazirat racore dolën në plan të dytë nga ofezat dhe ndërprerjet si dhe momentet e spikatura si rasti kur presidenti nuk pranoi të dënonte supremacistët e bardhë.

“Më thuaj kë do të dënoj?” pyet presidenti drejtuesin e debatit.

“Supremacistët e bardhë, grupet e ekstremit të djathtë,” i përgjigjet gazetari.

“Grupi “Proud Boys”, sprapsuni dhe prisni”, u shpreh presidenti.

“Proud Boys”, një grup i ekstremit të djathtë që ka kryer akte dhune politike, i përcolli me entuziazëm komentet e presidentit dhe krijoi një meme me përgjigjen e tij. Të mërkurën, presidenti tha se nuk e dinte kush ishte ky grup.

Ekipi elektoral i zotit Biden nxori menjëherë një reklamë ku e sulmonte presidentin se përpiqet të fajësojë të tjerët ndërkohë që kanë vdekur 200,000 vetë dhe janë mbyllur 14 milionë vende pune.

Ndërkaq, kampi i zotit Trump reagoi duke fajësuar drejtuesin e debatit dhe median se ishin sjellur keq ndaj presidentit dhe se Joe Biden ishte i dobët.

“Joe Biden ishte i shtangur, e kishte humbur gjatë pjesës më të madhe të kohës, shihte rrotull duke kërkuar ndihmë nga drejtuesi i debatit, nga dikush që do ta shpëtonte,” thotë Tim Murtaugh, zyrtar i fushatës së presidentit Trump.

Anketat e para treguan se debatit kaotik nuk i siguroi asnjërës palë përkrahës shtesë.

“Ishte zhgënjim i madh për demokracinë amerikane dhe vendin në përgjithësi. Ishte e turpshme, të them të drejtën,” thotë një votues.

Në këto javë të fundit të fushatës, të dyja kampet po përpiqen të tërheqin votuesit e pavendosur në shtetet e lëkundura që shihen si vendimtare për rezultatin. Dy debatet e tjera presidenciale do të zhvillohen në tetor.

Leave a Reply