Asambleja e OKB-së, Trump e Nikki Haley në qendër të vëmendjes

Kur presidenti Donald Trump të shfaqet në “arenën botërore” në Kombet e Bashkuara, për herë të parë gjatë kësaj jave, ai pritet të ndajë qendrën e vëmendjes së botës, së bashku me të dërguarën e tij Nikki Haley, e cila është shfaqur si fytyra surprizuese publike e politikës së jashtme të Amerikës.

Haley, 45-vjeçarja dikur guvernatore e Karolinës së Jugut, është sprovuar tashmë të jetë një anëtare e profilit të lartë në administratën “Trump”, që në kohë të ndryshme ka lënë në hije edhe Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson, ish-shefin e “Exxon Mobil Corp”, pavarësisht mungesës së eksperiencës së mëparshme në politikën e jashtme.

“Nikki Haley është e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara. Është e vështirë të gjesh një të tillë në administratën e Trumpit. Ajo është një person shumë e afrueshme dhe tepër bindëse politikisht”, thotë një diplomat i lartë europian, duke folur në kushte anonimiteti. “E kam parë atë ndonjëherë me potencial edhe më të lartë sesa Tillerson. Është e qartë se objektivi i saj afatgjatë është presidenca”, shton më tej europiani.

Haley hodhi poshtë spekulimet se mund të zëvendësojë Tillersonin, kryediplomatin amerikan, i cili shpeshherë në daljet publike ka pasur diferencime nga Trump gjatë periudhës 8-mujore të këtij të fundit në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Të dielën, ajo tha për CNN se Tillerson “nuk do të shkojë askund dhe unë do të vazhdoj të punoj sa më mirë me të”.

Fjalimi i Trumpit, të martën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do të jetë mundësia më e lartë e profilit të lartë për të, për të shpjeguar vizionin e politikës së jashtme të tij, që është shtruar edhe në axhendën e tij “Amerika e para”.

Haley u fut në trupën botërore prej 193 anëtarësh në janar, duke u zotuar të “nxjerrë emrat” e aleatëve që nuk e gëzojnë më mbështetjen e Uashingtonit. Zyrtarë të administratës amerikane thonë se Trump, tejet i kënaqur me performancën e saj, e konsideron atë të ashpër dhe të zgjuar njëkohësisht. Ai flet rregullisht me Haleyn, tha një zyrtar i administratës.

Plot dy herë në 5 javët e fundit, ajo ka bindur Këshillin e Sigurimit të OKB-së, 15 anëtarë në total, të forcojnë në mënyrë unanime sanksionet ndaj Koresë së Veriut. Gjuha e saj e drejtpërdrejtë dhe e hapur ka bërë që diplomatët të mbeten edhe të shtangur ndonjëherë. Në të njëjtën kohë, ajo ka qenë e kujdesshme që të mos tërheqë vëmendjen më shumë se ç’duhet përkundrejt Trumpit.

“Personalisht mendoj se ai godet njerëzit e duhur, përqafon njerëzit e duhur dhe rezultati është që Shtetet e Bashkuara të dalin edhe më të forta në fund”, tha Haley për reporterët e Shtëpisë së Bardhë gjatë së premtes.

Eksperti Richard Gowan, i Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme në OKB, thotë se suksesi i Haleyt mund ta bëjë nervoz ndonjëherë Trumpin dhe se “mund të jetë një marrëveshje e keqe për të”, nëse do t’i kërkohet të zëvendësojë Tillersonin si Sekretar Shteti. “Ajo mund të humbasë pavarësinë që gëzon në Nju Jork dhe do të lidhej më shumë me axhendën e presidentit. Por është një ofertë që ajo nuk mund ta refuzojë, gjithsesi. Është ironike në fakt që, një mënyrë sesi Trump mund ta dëmtojë Haleyn është pikërisht duke e promovuar atë”, tha ai.

Haley gjithsesi ia faturon Trumpit të gjitha meritat e arritjeve të Amerikës në Kombet e Bashkuara. Pasi Këshilli i Sigurimit ashpërsoi sanksionet ndaj Koresë së Veriut këtë muaj, ajo lavdëroi “lidershipin e fuqishëm të tij” me homologun kinez për rezultatin.

Leave a Reply