ASH – AAA: Dy kukulla shqiptare në Ministrinë e Kulturës (VIDEO)

Forumi Rinor i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka kritikuar sot ministren e Kulturës, Irena Stefkovska. Afan Elezi, përfaqësues i Forumit u shpreh se ministrja dëshmoi me shifrat e përqindjes së projekteve të miratuara për subjektet shqiptare se sa është qytetare dhe sa nacionaliste, pasi që sipas tij, kjo është kundër frymës së vlerësimit të kulturës shqiptare. Ai gjithashtu kritikoi rolin e Sekretarit Shtetëror dhe zëvëdnësministrit të Stefkovës, që sipas tyre ata u distancan edhe pse janë përgjegjës. Të rinjtë e koalicionit si shenjë të revoltimit të tyre para ministrisë së Kulturës kishin sjellur dy kukulla, duke bërëthirrje që kreu i këtij institucioni të mos tallet me shqiptarët.

“Reagimi i plotë i Forumeve rinore te Koalicionit Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët:

Në vend të dy funksionarëve shqiptarë në Ministri të Kulturës, po i lëmë dy kukulla Pas publikimit, nga Ministria e Kulturës, të rezultateve të programit nacional për kulturë për vitin 2021, ku ministrja Irena Stefkovska dëshmoi me shifra e përqindje se sa është qytetare dhe sa është nacionaliste, kjo kundrejt vlerësimit të kulturës shqiptare, ajo që mbeti pa u theksuar është roli i Sekretarit Shtetëror të kësaj ministrie dhe i Zëvendësministrit të saj, që të dy shqiptarë, të cilët dolën dhe u distancuan dhe, madje, e kundërshtuan atë program, sikur ata nuk kanë asnjë përgjegjësi e nuk janë funksionarë aty. Ata të dy e pranuan hapur se nuk kanë pasur qasje në atë vendim që nga momenti i përzgjedhjes së anëtarëve të komisioneve e deri te shpallja e programit. Prandaj na duhet t’i pyesin: “Pse nuk reaguan ju që nga momenti i përzgjedhjes së anëtarëve të komisionit? Pse tash duhet ta luani rolin e zëdhënësittë vendimeve të ministres?” Tjetër.

Zëvendësministri, në pyetjet e gazetarëve, ka thënë se “programi do të tërhiqet”. Prandaj ne sot e pyesim: “Nëse programi nuk tërhiqet, a do të tërhiqet ai nga funksioni Zëvendësministër apo do të vazhdojë të jetë aty kukull?”.

Kjo është arsyeja që ne – forumet rinore të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa – konstatojmë se ata dy e paskan pranuar rolin e kukullës në këtë ministri dhe thjesht janë dy administratorë që vijnë e shkojnë, marrin rroga e beneficione, se janë vetëm për të bërë foto patetike, por nuk janë asgjë më shumë se kukulla. E themi këtë për shkak se kukullat nuk i pyet askush për asgjë, njësoj siç e pranuan vetë ata. Prandaj, ne sot ia kemi sjellë ministres Stefkoska dy kukulla të bukura, bile pa gjini të përcaktuar – siç i ka qejf ajo, që të luajë me to, në vend se të tallet me funksionarët shqiptarë të kësaj ministrie, Sekretarin Shtetëror e Zëvendësministrin, e të na ofendojë të gjithë neve si shqiptarë.

E që mos të mbetemi vetëm në kritika, e këshillojmë Sekretarin dhe Zëvendësministrin që nëse mbajnë vetëm pak përgjegjësi për artistët shqiptarë e kulturën shqiptare, le ta shtyjnë – po të munden – Ligjin e ri për kulturë, versionin të cilin e kanë gati që prej kohës kur ministër ishte Hysni Ismaili, sepse aty është paraparë edhe financimi i projekteve me interes nacional për kulturë, kjo duke u bazuar në parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Nëse edhe këtë nuk mund ta bëni, atëherë ministrja për kukulla s’ka nevojë, e aq më pak për kukulla shqiptare.
Shpresoj që qytetarët dhe artistët tashmë ta kenë bërë dallimin ndërmjet juve dhe neve” tha Afan Elezi, përfaqësues i Forumit ASH-AAA./TetovaSot/

Leave a Reply