ASH: Rasti i Almirit, dëshmi se nuk mund t’i besojmë sistemit tonë të drejtësisë

Partia opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, vlerëson se rasti i Almirit është një dëshmi se nuk mund të besojmë ne sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.

“Rasti i Almirit është rast i cili fatkeqësisht në çdo aspekt dëshmon pse nuk mund t’i besojmë sistemit tonë të drejtësisë dhe pse gjithmonë jemi të detyruar drejtësinë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare! Abuzimi shtetëror ndaj lëndës, i cili me çdo kusht shpëtoi kryerësin e veprës penale dëshmon për sistemin tonë të drejtësisë që nuk shërben për gjë tjetër veç se si mjet i pushtetit ekzekutiv”, deklarojnë nga ASH-ja.

Aleanca theksoi se lënda nuk pati nevojë për rikualifikim.

“Fatkeqësisht, me një sistem të drejtësisë të kapur nuk mund të ndjejmë as siguri e as jetë në këtë vend”, deklarojnë nga ASH-ja, duke premtuar se do të vazhdojë të kërkojë reforma rrënjësore në drejtësi. Ata vlerësojnë se nuk duhet menduar asgjë tjetër, pa e pastruar sistemin e kapur të drejtësisë.

Ndryshe, vetëm 3 javë përpara katër vjetorit të vdekjes së Almir Aliut, Gjykata e Apelit ka marrë vendim për lëndën. Apeli ia ka ulur dënimin prej 6 në 4 vjet burg, Boban Iliqit, personit i cili e shkeli për vdekje vogëlushin 4-vjeçar nga Kumanova, me automjetin e tij. Gjithashtu, Apeli i ka rikonfirmuar dënimet me burg për familjarët e Almirit, në këtë rast, babai i vogëlushit Sadat Aliu do të duhet të qëndrojë në burg 6 muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu nga 9 muaj.

Leave a Reply