Azem Sylës i vazhdohet paraburgimi edhe për një muaj

Ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, i akuzuar për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar, në rastin “Toka”, i është vazhduar paraburgimi deri më 12 mars të këtij viti.

Këtë e ka konfirmuar avokati mbrojtës i Sylës, Besnik Berisha.

Përveç Azem Sylës, paraburgimi i është vazhduar edhe dy të akuzuarve tjerë, Ilaz Syla dhe Ljubisa Vujoviq.

Vazhdimin e paraburgimit e ka konfirmuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit tjetër në rastin “Toka”, Ilaz Syla, avokati Haxhi Millaku.

“Vendimi për vazhdimin e paraburgimit, është marr dhe atë e kemi pranuar sot”, ka thënë avokati Millaku për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjykimi ndaj Sylës dhe të tjerëve në rastin “Toka”, pritet të vazhdojë nesër, më 13 shkurt, nga ora 10:00.

Azem Sylës, edhe më 5 dhjetor 2017, i ishte vazhduar kjo masë edhe për dy muaj, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi i EULEX’it, Arkadius Sedek, me arsyetimin se ekziston rreziku që tre të pandehurit të pengojnë procedurën që është duke u zhvilluar ndaj tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Leave a Reply