Basha nga Elbasani: Dështimi më i madh i qeverisë, dështimi me të rinjtë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”, është ndalur pasditen e kësaj të hëne në Elbasan, ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë.

Kryedemokrati në fjalën e tij para të rinjve është shprehur se qeveria ka neglizhuar ata, duke theksuar se dështimi më i madh i kryeministrit është dështimi me të rinjtë.

Sipas tij Shqipëria është një vend i bekuar, ndërsa u shpreh se zotimi numër 1 i tij dhe i PD është kthimi i shpresës.

“Rinia është më e neglizhuara dhe dështimi me rininë është dështimi më i madh i kësaj qeverie i këtij kryeministri. Me pamundësinë për arsim, me gjendjen jashtëzakonisht të dobët të financave familjare, mund të themi që dështimi numër një i kësaj qeverie është dështimi me rininë. Sa herë që rinisë shqiptare i jepte mundësia ata shkëlqejnë njësoj si të rinjtë europian. Kjo i ka detyruar të rinjtë t’i drejtohen vetëm një shtegu, emigracionit. Nuk ka pse të jetë kështu. Jetojmë në një vend të bekuar, plot me pasuri dhe pasuria më e madhe është rinia. E vetmja gjë që na mungon është një qeveri që ka vizionin dhe dëshirën për të mbështetur investimet e huaja, të cilat janë gati. Zotimi kryesorë i imi dhe i PD-së, është të kthejmë shpresën në vendin tonë.”

Leave a Reply