Bekim Qoku porosi opozitës shqiptare: Zgjedhjet lokale te dera, reflektoni dhe hapuni

Aktivisti politik dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Bekim Qoku përmes një porosie në rrjetet sociale ka vlerësuar zgjedhjet e ardhshme lokale në Maqedoninë e Veriut dhe qasjen e opozitës shqiptare.

Ja vlerësimi i tij i plotë:

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në MV, opozita shqiptare rezultatet më të këqija i pati në njësinë zgjedhore 5. Kjo NjZ përfshin Strugën, Dibrën, Kërçovën si qytete me më shumë shqiptarë. Humbja ishte 3 me 1, pra, BDI 3 e opozita vetëm 1 deputet shqiptar.

Nga e tërë kjo disfatë nuk kemi parë deri më tani asnjë ndryshim, asnjë reflektim dhe hiç asnjë rifreskim të strukturave partiake. Kemi dëgjuar gjithfarë justifikimesh se pse e humbën betejën e radhës: pandemia, vjedhje, pushteti, blerja – shitja e votës. Të krijohet përshtypja se tashmë opozita e ka një shabllon ankesash e qaravitjesh saherë që t’i humbasë zgjedhjet.

Natyrisht se mund të marrësh shembuj për të kundërtën, por kjo nuk pi më ujë. Ilustrimi më i ri, më fuqishëm, më i afërt ishte me rastin e zgjedhjeve lokale në Podujevë. Bastioni LDK, ku u turr e tërë qeveria dhe partia me gjithë arsenalin që kishin, u turr si i tërbuar Agim Veliu – ministër i Punëve të Brendshme, që të gjihë e dimë potencialin e një kapaciteti të tillë; u blen e u vodhën vota sa mundën, u shantazhuan e u kërcënuan gjithë ata llapianë të ndershëm e nevojtarë, por rezultatin e dimë tashmë. Ajo LDK me pushtetin që nuk e ka as BDI-ja këtu, humbi turpshëm që në raundin e parë.

Jo që nuk po shohim asnjë reflektim për këtë humbje, por ç’është më e keqja, mungojnë kritikat ndaj kësaj opozite. Ajo nuk ngacmohet, nuk bezdiset, nuk stimulohet, nuk inkurajohet për të lëvizur, ndryshuar, përmirësuar. Me këtë qasje, asaj nuk i ndihmohet, përkundrazi. E lë në komoditetin dhe besimin e mefshtë se një ditë, ku i dihet, populli do të lodhet vetiu e do na japë votën. Nga 10 kritika që mund t’i bëjmë konjukturës politike në përgjithësi, 9 le të jenë ndaj pushtetit, por një edhe mund t’i drejtohet opozitës.

Zgjedhjet lokale janë te dera. Me njerëzit e njëjtë, punën dhe strategjinë e njëjtë, rezultati nuk do jetë shumë më ndryshe.

Leave a Reply