BFI-ja i vetmi Institucion ku masakrohet Kushtetuta

Shkelja dhe mosrespektimi i Kushtetutës është akt kriminal, është vepër shkatërrimtare, është hap drejt anarkisë, drejt zhdukjes së vlerave civilizuese, drejt vendimeve që sillen me dhunë, me banda kriminale, me “trupa” që gjejnë interesat e veta personale në pushtet, në Institucion ku nuk vlenë asnjë normë juridike

Shkruan Afrim Tahiri

Prej shtatorit të vitit 2011 në BFI nis mosrespektimi i Kushtetutës dhe shkelja e saj në mënyrë më flagrante! Në këtë kohë skadon mandati pesëvjeçar i Sulejman Rexhepit si Kryetar i BFI-së dhe, në po këtë kohë është dashur të shkojë në rizgjedhje, ashtu siç u rizgjodhën dy vite më parë edhe myftinjtë, në bazë të Kushtetutës së re e cila hyri në fuqi më vitin 2008. Sulejman Rexhepi nuk shkoi në rizgjedhje por, i tha vetes “prej sot unë jam “reis” i përjetshëm”! Ky ishte hapi i parë dhe më fatali që u hodh mbi Kushtetutën dhe, më pastaj, këto shkelje do të jenë përditshmëri e Sulejman Rexhepit dhe Rijasetit të tij!
Shkelja e parë e periudhës post-Sulejman Rexhepi është shkelja që e bëri Shaqir Fetai, i cili, me një grup shokësh e shkarkoi Sulejman Rexhepin dhe e cakoi vetëveten si përgjegjës për procesin zgjedhor të Reisit të ri të BFI-së ndërsa për momentin po sillet si i vetëzgjedhur “kryetar”.
Megjithatë, të kthehemi te shkelja e parë e Sulejman Rexhepit mbi Kushtetutën e BFI-së! Si reis, ai ishte me automatizëm anëtarë i Rijasetit! Sipas nenit 35 të Kushtetutës së BFI-së, Rijaseti përbëhet prej: “Reis ul Ulemasë, Sekretarit të Përgjithshëm të BFI-së, muftinjve, drejtorëve dhe dekanëve të institucioneve arsimore, kryetarëve të shoqatave të Bashkësisë Fetare Islame dhe dy anëtarëve të caktuar nga ana e Reis ul Ulemasë me përvojë në organizimin e jetës fetare në radhët e BFI-së.”
Pra, po e nënvizj se, kordinatorët e Myftinive si dhe drejtorët e shërbimeve profesionale, nuk janë anëtarë të Rijasetit! Kordinatorët ndoshta edhe kanë mundur të marrin pjesë në ndonjë mbledhje të veçantë të Rijasetit, por, në asnjë rast nuk kanë pasur të drejtë vote, sepse nuk janë anëtarë.
Gjithësesi, anëtarë të Rijasetit, sipas Kushtetutës, janë edhe sekretari i përgjithshëm si dhe dy anëtarë të propozuar nga vetë Reis ul Ulema.
Me shkarkimin e Sulejman Rexhepit, shkarkohen edhe të caktuarit e tij si anëtarë të Rijasetit! Meqë sekretari i përgjithshëm emërohet me propozim nga reisul ulema (Nenin 37), pas skadimit të mandatit apo edhe pas shkarkimit, automatikisht largohet nga ky organ kolektiv edhe sekretari i BFI-së.
Pra, shkarkimi apo dorëheqja e Sulejman Rexhepit për pasojë ka edhe tërheqjen e tre personave të caktuar prej tij, që do me thënë se, Rijaseti automatikisht pakësohet për katër anëtarë.
Nga ana tjetër, sa mund të jenë legjitim organet e caktuar nga Sulejman Rexhepi në periudhën deri sa ai ka qenë “organ i egër” në BFI, deri sa ka qenë, thjesht, uzurpator?
Në afatin e tij pesëvjeçar, nga viti 2006-2011, Sulejman Rexhepi çoi në rizgjedhje Myftiun e Tetovës, Alifikri Esatin, Myftiun e Gostivarit, Shaqir Fetain, të Kumanovës, Abedin Imerin, të Dibrës, Ruzhdi Latën, të Kërçovës, Murat Huseinin dhe të Shtipit, Isa Ismailin, të cilët u rizgjodhën sipas të gjitha akteve normative dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e BFI-së! Kurse pas afatit të skaduar dhe me mandat të uzurpuar, në vitin 2015, emërohen dy myftinjë, Myftiu i Tetovës, Qani Nesimi, dhe disa muaj më vonë edhe ai i Shkupit, Jusuf Rexhepi, të cilët pranojnë nga një MURASELE jo të vlefshme, nga personi ilegjjitim, nga ai që ishte uzurpator i postit të Kryetarit të BFI-së. Në dhjetor të 2017-ës, e njëjta përsëritet edhe në rastin e emërimit të Qenan Ismailit për Myfti të Shkupit, i cili, erdhi në këtë post jashtë të gjitha kritereve të parapara si në Kushtetutën e BFI-së ashtu edhe në Rregulloren e Myftinive! Qenan Ismali, nuk ka përvojë pune pesëvjeçare të suksesshme në BFI, kurse përplotë 15 vite jo vetëm që ka punuar kundër BFI-së por nuk e ka njohur BFI-në! Edhe ky e mori MURASELEN nga një person tashmë të dëshmuar si uzurpator i BFI-së dhe vjedhës i titullit Kryetar i BFI-së!
Anëtarë të Rijasetit, janë edhe Drejtori i Medresesë, në rastin konkret, Ibrahim Idrizi, si dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Shaban Sulejmani!
Rijaseti i BFI-së ngeli edhe pa një anëtar tjetër, pa Myftiun e Kërçovës, i cili ka ndërruar jetë, si dhe pa Myftiun e Dibrës, Ramazan Hasa, të cilin Sulejman Rexhepi e shkarkoi për faktin që nuk i përmbushi disa kërkesa personale të “reisit”.
Veç kësaj, neni 35 i Kushtetutës së BFI-së parasheh që anëtarë të Rijasetit të jenë edhe kryetarët e shoqatave, që i bie të jetë kryetari i Shoqatës “Ilmije” (rolin e të cilit e aktronte sekretari i Shoqatës) dhe i Shoqatës Humanitare “Hilal”! Kryetari i shoqatës së parë (sekretari i Shoqatës), kurrë as nuk u zgjodh, as nuk u rizgjodh, as nuk e mblodhi ndonjëher bordin themeltar. Do me thënë që ky kryetar është “emërtim i dhunshëm” dhe, në një Rijaset normal nuk ka se çka kërkon. Një situatë të ngjashme e kemi edhe me Shoqatën “Hilal” “kryetari” i së cilës u zgjodh me mandat katërvjeçar në vitin 2013, dhe më kurrë as nuk u rizgjodh dhe as nuk u emërua nga asnjë organ i BFI-së. E kundërta e këtij konstatimi nuk mund të provohet me asnjë zgjedhje, me asnjë propozim, me asnjë procesverbal nga ndonjë proces zgjedhor. Të theksojmë se shoqata humanitare tashmë është shuar dhe ka kaluar në “Fondacion”, “shoqatë” kjo e panjohur për Kushteutën e BFI-së.
Sipas këtyre vlerësimeve del puna që sot, Rijaseti, ka ngelur vetëm në katër anëtarë të rregullt, Myftiun e Gostivarit, Myftiun e Kumanovës, Drejtorin e Medresesë dhe Dekanin e FSHI-së. Të tjerët janë vetëm emra që kanë qenë në funksion të Sulejman Rexhepit dhe, me shkarkimin e tij duhet të shpallen nult të gjitha vendimet që mbajnë nënshkrimin e tij që nga shtatori i vitit 2011 dhe, për këtë manipulim përgjatë viteve deri në ditën e shkarkimit të tij, ai duhet të mbajë përgjegjësi para organeve të drejtësisë.
Ajo çka i ka ndodhur Bashkësisë Fetare Islame nuk i ka ndodhur asnjë Institucioni kushtetutar në vend, në rajon, në Evropë dhe në botën normale!
Për momentin, fati i Bashkësisë Fetare Islame është në duart e një organi kolektiv në përbërjen e të cilës marrin pjesë vetëm katër anëtarë të rregullt, të cilët nuk përbëjnë as numrin minimal për kurrfarë mbledhje të Rijasetit dhe për kurrfarë vendimi e qëndrime të një organi kolektiv. Prandaj, nisja e procesit për zgjedhje të reisit të ri është një urgjencë që nuk pret asnjë sekond. Maqedonia e Veriut për momentin është vetëm me një ndërtesë të vjetër të BFI-së dhe pa Institucion të rregullt të Bashkësisë Fetare Islame. Kjo periudhë dhe kjo situatë është jashtëzakonisht e pavolitshme dhe e rrezikshme për shoqërinë tonë, në përgjithësi. Reisi i ri tashmë duhej të ishte zgjedhur, të shtohej numri i Rijasetit me emërtimet e tij, sa për ta krijuar kuorumin e nevojshëm për punë legale dhe legjitime të këtij Organi. Kjo nuk mund të arrihet me vjedhje të posteve dhe me uzurpime të zyreve duke u vetëshpallur si “reisa” apo “kryetara”! Nga ana tjetër, edhe neni 67 dhe ai 68, pamundësojnë çfarëdo qoftë aktiviteti që në mënyrë të falsifikuar të arrihet deri te “kyçja legale” në kolltukun e kryetarit të BFI-së.
Si njohës i mirë i çështjeve fetare si dhe i punëve teknike në BFI, por edhe hartues si dhe interpretues me kompetencë i Kushtetutës së BFI-së, ftoj intelektualë, ftoj faktorë nga vendi por edhe nga ndërkombëtarët që të ndihmojnë në tejkalimin e këtyre problemeve jetike për Institucioni tonë, për komunitetin si dhe për mbarë shoqërinë tonë. Heshtja që ka pllakosur mbi këtë Institucion, dhe mosangazhimi i faktorëve me relevancë, mund të jetë shumë i dëmshëm dhe ekskluzivisht në dobi të anarkistëve.
Kjo situatë e tmerrshme na ka nxitur që vazhdimisht të kërkojmë debate publike, sepse këto gjëra duhet të dihen, t’i shpjegohen opinionit të gjërë. Ngulfatja e kësaj të vërtete e ndihmon vetëm të keqen dhe dashamirët e së keqes.
Në fund po nënvizoj se, çdo përpjekje për të falsifikuar kuorum si dhe për ta vjedhur “me elegancë” BFI-në, do të pengohet kategorikisht, përmes formave të ndryshme, duke iu drejtuar organeve të drejtësisë e deri te format që njohin edhe protesta demokratike gjithëpopullore. Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI nuk do të mundet edhe më gjatë të jetë “fre dore” e masave që popullata planifikon për t’i ndërmarrur për ta shpëtuar BFI-në nga matrapazët dhe nga ata që janë shndërruar në matrapikë për rrënimin e këtij Institucioni të vetëm të myslimanëve të vendit.

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

Leave a Reply