Biden: SHBA po analizon mundësinë e sanksioneve kundër Mianmarit

Presidenti Joe Biden tha të hënën se SHBA do të analizojë mundësinë e sanksioneve për të marrë “masat e duhura” në përgjigje të grushtit të shtetit në Mianmar.

“Për pothuajse një dekadë, populli i Mianmarit ka punuar për të krijuar kushtet për zgjedhje, qeverisje civile dhe një transferim paqësor të pushtetit,” tha përmes një deklarate Presidenti Biden. Ai nënvizoi se Uashingtoni kishte hequr sanksionet kundër Mianmarit, gjatë tranzicionit të këtij vendi drejt demokracisë.

“Kthimi pas i këtij procesi do të kërkojë një analizë të menjëhershme të ligjive tona për sanksione, pasuar nga masat e nevojshme,” thoshte deklarata, duke bërë thirrje për qëndrim të ngjashëm nga vende të tjera.

Shtetet e Bashkuara janë mes një numër qeverish, përveç Kombeve të Bashkuara, që kanë shprehur shqetësim lidhur me futjen e vendit nën kontrollin e udhëheqësve ushtarakë dhe kanë bërë thirrje për lirimin e të burgosurve politikë.

Disa orë pasi ushtria e Mianmarit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të hënën, ende ka plot të panjohura për ngarjet dhe shkakun.

Ndërprerja masive e komunikimit, vendosja e orës policore dhe kufizimet e mëparshme në përgjigje të pandemisë kanë reduktuar qasjen e qytetarëve të Mianmarit tek informacioni.

Të hënën në mëngjes, një komunikatë e transmetuar nga kanali televiziv nën kontrollin e ushtrisë njoftoi se kishte pasur “mashtrime të tmerrshme në listat e votuesve në zgjedhjet e përgjithshme, gjë që bie ndesh me garantimin e një demokracie të qëndrueshme”.

Deklarata thoshte se mashtrimet në zgjedhjet e nëntorit kishin çuar në protesta dhe akte të tjera që kërcënonin sigurinë kombëtare dhe se zyrtarët po shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë vendin për një vit “për të realizuar një kontroll të listave të votuesve dhe për të marrë masa”.

Shërbimi i Zërit të Amerikës në gjuhën birmaneze bisedoi me ligjvënës dhe qytetarë në vend. Edhe udhëheqja e re ushtarake u kontaktua për të komentuar, por nuk reagoi.

Zin Mar Aung, Ligjvënëse, aktiviste për të drejtat e grave dhe aktiviste politike

“Kjo nuk është shenjë e mirë për demokracinë. Duam të ecim përpara dhe kjo nuk ndihmon për ripajtimin kombëtar dhe për forcimin e demokracisë. Në fakt është irrituese. Nuk është shenjë e mirë për vendin dhe për komunitetin demokratik në botë, ndërkohë që vendi ynë përpiqet të angazhohet me botën. Situata kërkon vëmendje të kujdesshme. Ne tani ndjehemi si pengje”.

Bo Kyi, Shoqata Për Ndihmë ndaj të Burgosurve Politikë

“Publiku është shokuar. Ky është lajm i keq për pjesën më të madhe të popullit, por lajm i mirë për një grusht njerëzish. Fati i vendit tonë po shkon në drejtim të gabuar. Eshtë tronditëse që ushtria të interpretojë Kushtetutën e 2008 si t’i dojë qejfi. Destabiliteti politik nuk është i dëshiruar nga shumica e njerëzve, vetëm nga disa. Dëshira e njerëzve duhet respektuar dhe jo injoruar në këtë mënyrë”.

Aye Thaung, President, Zona Industriale Shwe Lin në Jangon

“Ne në komunitetin industrial kemi shqetësime se pagesat për punonjësit këtë javë mund të hasin në probleme, pasi bankat janë të mbyllura. Disa fabrika përdorin kreditë dhe kartat bankare për pagesa dhe tani me ndërprerjen ose ngadalësimin e internetit, ka mungesa dhe probleme në sistemin e pagesave. Në orët e para të ditës ka pasur dyndje në dyqane për blerje të nxitura nga paniku gjë që ka çuar në rritje të çmimit të orizit dhe mallrave të tjera. Jemi të shqetësuar për familjet e varfra”.

Thet Hnin Aung, Industritë e Mianmarit; Federata Sindikaliste e Shërbimeve Artizanale

“Kemi dëgjuar shqetësime nga pronarët e fabrikave, të cilët kanë dërguar punonjësit në shtëpi pas njoftimit të ushtrisë. Por ende nuk është e qartë se cilat fabrika janë mbyllur. Thanë thjeshtë se operacionet janë pezulluar. Me sa kemi parë, shumë fabrika vazhdojnë punën”.

Kaung Htet, ish-praktikant në Zërin e Amerikës, njoftoi se është arrestuar nëna e tij, Daw Yee Yee Cho, ministre e planifikimit dhe financave për rajonin Tanintharyi në jug të vendit. Ajo u arrestua së bashku me të gjithë kabinetin. “Aktivistë të njohur u arrestuan. Nëna u arrestua në shtëpi në 5:30 të mëngjesit. Në të gjithë zonën patrullojnë grupe policore e ushtarake,” tregon ai./VOA

Leave a Reply