Britania do të vendosë për ekstradimin e Julian Assange drejt SHBA-së

LONDËR – Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange do të mësojë të hënën nëse ai do të ekstradohet nga Britania e Madhe në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat e spiunazhit mbi botimin e dokumenteve sekrete ushtarake amerikane.

Skicë e Julian Assange-it gjatë një seance dëgjimore në gjykatën e Londrës
Skicë e Julian Assange-it gjatë një seance dëgjimore në gjykatën e Londrës

Gjykatësja Vanessa Baraitser pritet të japë vendimin e saj në gjykatën e Londrës në orën 10 të ditës së hënë. Nëse ajo e miraton kërkesën, atëherë sekretarja e brendshme e Britanisë, Priti Patel, do të marrë vendimin përfundimtar.

Pala humbëse pritet të apelojë, gjë që mund të çojë në vite të mëtejshme betejash ligjore.

Sidoqoftë, ekziston një mundësi që forca të jashtme mund të hyjnë në lojë që mund t’i japin fund menjëherë sagës prej mbi një dekade.

Stella Moris, partnerja e zotit Assange dhe nëna e dy djemve të tij, i ka bërë thirrje Presidentit amerikan Donald Trump përmes Twitter-it për t’i dhënë falje Assange-it përpara se të largohet nga detyra më 20 janar.

Dhe edhe nëse Presidenti Trump nuk e bën këtë, ka spekulime se pasardhësi i tij, Joe Biden, mund të ketë një përqasje më të butë ndaj procesit të ekstradimit të Assange-it.

Prokurorët amerikanë ngritën ndaj 49-vjeçarit Assange 17 akuza spiunazhi dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuteri që mbartin një dënim maksimal prej 175 vitesh burgim.

Juristët që veprojnë në emër të qeverisë amerikane thanë në argumentet e tyre përfundimtare pas seancës katër-javore në vjeshtë se ekipi i mbrojtjes i Assange-it kishte ngritur çështje që nuk ishin as të rëndësishme as të pranueshme.

“Në mënyrë të vazhdueshme, mbrojtja i kërkon kësaj gjykate të bëjë konkluzione, ose të veprojë sipas kërkesës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fajtorë për tortura, krime lufte, vrasje, shkelje të ligjit diplomatik dhe ndërkombëtar dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ‘një shtet pa ligje’, ” thanë ata. “Këto deklarata jo vetëm që nuk janë të drejta në këto procedime, por nuk duhet të ishin bërë kurrë”.

Ekipi i mbrojtjes i Assange-it pretendon se ai duhet të gëzojë mbrojtjen e Amendamentit të Parë për botimin e dokumenteve që ekspozuan shkelje të ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan dhe se kërkesa e Shteteve të Bashkuara për ekstradim ishte e motivuar politikisht.

Në argumentet e tyre përmbyllëse me shkrim, ekipi ligjor i Assange-it akuzoi Shtetet e Bashkuara për një ndjekje penale “të jashtëzakonshme, të paprecedent dhe të politizuar” që përbën “një mohim flagrant të së drejtës së tij për lirinë e shprehjes dhe përbën një kërcënim themelor për lirinë e shtypit në të gjithë botën”.

Avokatët e mbrojtjes gjithashtu thanë se Assange vuante nga probleme të gjera të shëndetit mendor, përfshirë tendencat vetëvrasëse, të cilat mund të përkeqësohen nëse ai vendoset në kushte të pavolitshme burgimi në Shtetet e Bashkuara.

Julian Assange duke u transportuar për në gjykatë
Julian Assange duke u transportuar për në gjykatë

Ata thanë se shëndeti i tij mendor u përkeqësua ndërsa ai përfitoi azil brenda ambasadës ekuadoriane në Londër për vite me radhë dhe se ai ishte diagnostikuar me një çrregullim të spektrit të autizmit. Assange theu lirinë me kusht në 2012 kur kërkoi azil në ambasadë, ku qëndroi për shtatë vjet para se të dëbohej dhe arrestohej. Ai është mbajtur në burgun Belmarsh në Londër që nga prilli i vitit 2019.

Ekipi i tij ligjor argumentoi se Assange, nëse ekstradohet, ka të ngjarë të përballet me izolim që do ta vinte atë në një rrezik të shtuar të vetëvrasjes. Ata thanë se nëse ai do të dënohej më pas, ai ndoshta do të dërgohej në burgun famëkeq ADX Supermax në Colorado, ku ndodhen gjithashtu terroristi Ted Kaczynski dhe baroni meksikan i drogës Joaquin “El Chapo” Guzman.

Juristët e qeverisë amerikane argumentuan se gjendja mendore e Assange-it “nuk është aq e rëndë sa të përjashtojë ekstradimin”.

Assange ka tërhequr mbështetjen e figurave të profilit të lartë, përfshirë artistin disident kinez Ai Weiwei dhe aktoren Pamela Anderson.

Daniel Ellsberg, informatori i mirënjohur amerikan, gjithashtu doli në mbështetje, duke i thënë seancës se ata kishin “mendime shumë të krahasueshme politike”.

89-vjeçari, i vlerësuar gjerësisht për ndihmën për t’i dhënë fund Luftës së Vietnamit përmes nxjerrjes së Dokumenteve të Pentagonit në 1971, tha se publiku amerikan “duhej urgjentisht të dinte se çfarë po bëhej rregullisht në emrin e tyre, dhe (se) nuk ishte asnjë mënyrë tjetër që ata ta mësonin këtë përveç zbulimit të paautorizuar (të informacionit)”.

Ka ngjashmëri të qartë midis Assange-it dhe Ellsberg-ut, të cilët zbuluan mbi 7’000 faqe dokumentesh të klasifikuara në shtyp, duke përfshirë në gazetat The New York Times dhe Washington Post. Zoti Ellsberg më pas u gjykua për 12 akuza në lidhje me shkelje të Ligjit për Spiunazhin, të cilat ndëshkoheshim me deri në 115 vjet burg. Akuzat u hodhën poshtë në 1973 për shkak të sjelljes së papërshtatshme të qeverisë ndaj tij.

Assange dhe ekipi i tij ligjor shpresojnë që zhvillimet në Shtetet e Bashkuara t’i japin fund kalvarit të tij nëse gjykatësi miraton kërkesën e ekstradimit të Shteteve të Bashkuara./VoA/

Leave a Reply