Britania ndalon fluturimet e modelit të Boeing 777, të përfshirë në incidentin në Denver

Sekretari Britanik i Transportit Grant Shapps tha se në Britani do të ndalohen përkohësisht fluturimet e aeroplanëve Boeing 777 me motorë të ngjashëm me atë që mori flakë në një avion amerikan gjatë fundjavës në Denver.

Njoftimi i së hënës vjen dy ditë pasi njëri nga motorët e një avioni të kompanisë ajrore United Airlines u dëmtua pak kohë pas nisjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Denverit në Kolorado, në fluturimin drejt Havait. Pjesë të mëdha mbetjesh ranë mbi qytetin fqinj të Brumfieldit, disa prej tyre në oborre, fusha dhe mbi shtëpi. Asnjë lëndim nuk u raportua në tokë ose gjatë fluturimit të avionit me rreth 240 persona në bord. Piloti ishte në gjendje të kthehej i sigurt në Denver.

Motorët e avionit janë prodhuar nga kompania Pratt & Whitney.

Sipas Autoritetit Britanik të Aviacionit Civil, linjat ajrore britanike nuk operojnë aeroplanë me motorë të tillë. Linjat ajrore të huaja që operojnë aeroplanë të tillë nuk do të lejohen të hyjnë në hapësirën ajrore britanike për momentin.

“Pas incidentit të motorit Pratt & Whitney 4000-112 në një aeroplan Boeing 777, ne kemi pezulluar përdorimin e këtij modeli në hapësirën ajrore të Britanisë së Madhe”, thuhet në një deklaratë të Auotritetit Britanik të Aviocionit civil. “Ai nuk përdoret nga asnjë kompani ajrore e Britanisë. Ai motor përdoret nga linjat ajrore në SHBA, Japoni dhe Korenë e Jugut, ku autoritetet gjithashtu kanë ndaluar përdorimin e tij. “

United Airlines gjithashtu njoftoi se “në mënyrë vullnetare dhe përkohësisht” po pezullonte përdorimin e 24 aeroplanëve Boeing 777. “Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me rregullatorët për të vendosur se çfarë hapa shtesë duhet të ndërmerren”, tha linja ajrore në Twitter.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) në SHBA tha se “ekzaminimi fillestar i aeroplanit tregoi se shumica e dëmtimit ishte e kufizuar në motorin e dytë; aeroplani pësoi dëme të vogla. Ekzaminimi dhe dokumentimi i aeroplanit është duke vazhduar.” NTSB gjithashtu tha se regjistrimi i zërit dhe të dhënat e kutive të zeza të avionit janë dërguar në një laborator në Uashington për analiza.

Administrata Federale e Aviacionit e Shteteve të Bashkuara (FAA), gjithashtu bëri thirrje për “intensifikimin e inspektimeve” të aeroplanëve Boeing 777 të pajisur me motorë të caktuar të kompanisë Pratt & Whitney./VoA

Leave a Reply