Bullgaria, kundër çeljes së negociatave

Bullgaria është e prerë: nuk ka arsye t’i jep dritë jeshile kornizës negociese e as konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe BE-së. Kryediplomatja bullgare, Zaharieva ritheksoi se Sofja nuk e konteston identitetin aktual, por se Shkupi duhet të heq dorë nga historia bullgare, respektivisht ta pranojë realitetin historik. Sipas saj, progresi rreth emrit të shkurtër dhe pretendimeve territoriale është i pamjaftueshëm. Ajo tha se historia nuk është problemi i vetëm, por edhe gjuha e urrejtjes dhe pretendimet për pakicë.- Advertisment –

“Nuk ka se si në këtë moment të themi “Po”. Unë këtë e theksova edhe në konferencën për media kur u ktheva nga Berlini. E dini se Bullgaria është një nga shtetet që vazhdimisht i mbështet shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt perspektivave të tyre evropiane, por mbështetja jonë për Republikën e Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk ka qenë pa kushte’ deklaropi Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Ministri i Jashtëm, Osmani tha se fillimi i negociatave këtë vit do ta ruante besueshmërinë e BE-së. Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Varhelyi tha se për këtë qëllim duhet angazhim i të gjitha palëve.

“Ftoj miqtë tanë evropian që ta njohin momentumin dhe të mos lëshojnë shansin që të finalizohet fundi i vitit mrekullueshëm, ashtu sikur filloi. Dëshiroj fqinjët tanë të jenë motor dhe jo frenues të procesit tonë eurointegrues dhe së bashku t’i gëzojmë përfitimet nga transformimi politik, ekonomik dhe social i rajonit- pohoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

“Ky vit ka qenë shumë dinamik dhe sfidues. Pandemia konfirmoi nevojën për bashkëpunim evropian dhe ndërkombëtar me rajonin, por duhet të angazhohemi në këtë, që ekonomitë të rimëkëmben më shpejtë dhe të punojmë bashkë që t’i mbajmë konferencat e para ndër-qeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë- tha Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE-së për Zgjerim.

Kërkesa e Sofjes për ekzistencën e popullit dhe gjuhës maqedonase nga viti 1944 nuk janë përfshirë në propozim kornizën negociese të përgatitur nga Gjermania, që po kryeson me BE-në. Në dokumentin që pritet të diskutohet nesër në Komitetin e ambasadorëve të shteteve anëtare, gjuha emërohet si maqedonase, nuk parashikohen afate për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, vetëm kërkohet që marrëveshja e 2017-tës të zbatohet me vullnet të mirë. Në dokument gjithsesi nuk parashikohet data e fillimit të negociatave me Shkupin.

Leave a Reply