Çavusoglu: NATO-ja t’i bëjë thirrje Armenisë për t’u tërhequr nga territoret e Azerbajxhanit

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të hënën se të gjithë dhe sidomos NATO-ja duhet t’i bëjnë thirrje Armenisë për t’u tërhequr nga territoret e Azerbajxhanit.

Çavusoglu mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili po qëndron në Ankara për kontakte zyrtare, pas takimit ndërmjet tyre në Ministri.

Shefi i diplomacisë turke bëri me dije se Armenia po shënjon direkt civilët në Karabakun Malor, gjë që është krim lufte.

“Kurse Azerbajxhani po lufton për të rimarrë territoret e tij”, tha Çavusoglu duke potencuar se të gjithë dhe sidomos NATO-ja duhet t’i bëjnë thirrje Armenisë që të tërhiqet nga territoret azerbajxhanase.

Jens Stoltenberg, nga ana e tij tha se siguria e Turqisë është e rëndësishme për Aleancën.

“Turqia është një aleate shumë e çmuar. Ajo kontribuon për NATO-n në Afganistan, Kosovë dhe Irak gjithashtu”, u shpreh ai.

Duke tërhequr vëmendjen se qëllimi i tyre është reduktimi i tensionit në Mesdheun Lindor, Stoltenberg theksoi se problemet duhet të trajtohen me anë të negociatave dhe dialogut.

Ai vuri në pah gjithashtu se kanë mundësuar vendosjen e një linje telefonike të sigurt ndërmjet Turqisë dhe Greqisë.

Sa i përket zhvillimeve në Karabakun Malor, Stoltenberg shprehu shqetësimin e tij të thellë për rritjen e sulmeve.

“Ne jemi të shqetësuar dhe shqetësimi ynë rritet më shumë kur shohim civilët të vdesin. Dëmtimi i burimeve të energjisë është po ashtu një nga burimet e shqetësimit. Ne duhet t’u japim të gjitha palëve mesazhin se ata duhet të ndalin përplasjet sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka zgjidhje ushtarake për problemin e Karabakut Malor”, saktësoi ai.

Stoltenberg nënvizoi edhe se NATO-ja vlerëson me seriozitet maksimal gjendjen e sigurisë përreth Turqisë.

“Aleatët tanë të tjerë gjithashtu kanë vendosur për të rritur mbështetjen e tyre për Turqinë. Siguria e Turqisë është e rëndësishme për NATO-n”, shtoi kreu i Aleancës.

Ndërkaq, Stoltenberg do të pritet në mbrëmje nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Tjetër ndalesë e sekretarit të NATO-s në Ankara pritet të jetë edhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare.

Bëhet e ditur se gjatë këtyre takimeve do të diskutohen mes të tjerash zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe NAVTEX-i i shpallur nga Greqia.

Agjenda e sekretarit Stoltenberg parashikon edhe një vizitë të martën në Greqi, ku pritet të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me autoritetet zyrtare të Athinës.

Leave a Reply