Deputeti Halit Valteri kërkon mbledhje urgjente të komisionit hetimor: Të shkarkohet menjëherë Ilir Meta

Deputeti Valteri shpreh dyshime të forta se mazhoranca po e zvarrit komisionin për shkarkimin e Metës, për shkak të pasigurisë së votave.

Deputeti Halit Valteri, anëtar i komisionit hetimor për kontrollin e veprimtarisë së Presidentit Ilir Meta në raport me zgjedhjet e 30 qershorit, kërkon zhvillimin e një mbledhje urgjente të këtij komisioni, për të finalizuar shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, për shkelje të Kushtetutës me dekretimin e dy datave për një palë zgjedhje, shkelje e cila sipas tij u konfirmua edhe nga Komisioni i Venecias. Deputeti Valteri tha për Shqiptarja.com se komisioni hetimor duhet të respektojë detyrën që i ka caktuar Kuvendi i Shqipërisë dhe opinionin e Komisionit të Venecias, duke shkarkuar sa më parë nga detyra Presidentin Ilir Meta, i cili sipas tij, po vijon të ndërmarrë shkelje të tjera të rënda, siç janë manovrat e tij me dublimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Kërkoj urgjentisht mbledhjen e komisionit hetimor për finalizuar shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Nuk ka asnjë arsye pse të zvarritet veprimtaria e komisionit. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë tallje. Komisioni duhet të çojë deri në fund detyrën që i ka caktuar Kuvendi me vendim nr. 84/2019. Komisioni i Venecias është shprehur shumë qartë që Presidenti i Republikës ka tejkaluar kompetencat, duke deklaruat dy data për një palë zgjedhje. Komisionit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të respektojë këtë opinion dhe të shkarkojë nga detyra Presidentin Ilir Meta, i cili po ndërmerr aktet të tjera të rënda antikushtetuese, siç janë manovrat e fundit me dublimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ne duhet t’i kalojmë sa më parë vendimin e shkarkimit Kuvendit. I takon Kuvendit më pas nëse e voton apo jo vendimin e komisionit hetimor. Më pas do të vendosë Gjykata Kushtetuese për fatin e Presidentit”, u shpreh Valteri.

Leave a Reply