Distria Krasniqi fiton medaljen e artë në Mastersin e Kinës

Distria Krasniqi e ka mposhtur mongolezen Narantsetseg Ganbaatar me ippon për të fituar medaljen e artë në Mastersin e xhudos, që po mbahet në Qingdao të Kinës.

Pejania arriti të fitojë të artën në kategorinë deri në 48 kilogramë, duke shënuar katër fitore më mastersin që morën pjesë 32 garuesit më të mirë në kategori.

Medalistja e bronztë e botës e mbylli këtë vit me medaljen e artë dhe me plot 1800 pikë të fituara për normën Olimpike ‘Tokio 2020’.

Xhudistja jonë e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa më pas mposhti Katharina Menz të Gjermanisë, në çerekfinale mundi Orgintsetseg Galbadrakh të Kazakistanit dhe në gjysmëfinale e kaloi pengesën Urantsetseg Munkhbat nga Mongolia.

Sot garoi edhe xhudistja tjetër, Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë, por që kampionia dhe nën-kampionia e Evropës u ndalë në luftën e parë nga Jisu Kim e Koresë së Jugut.

Nesër (e premte) garon Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kilogramë./Telegrafi/

Leave a Reply