Do të shfuqizohet dekreti që e bëri djalin e Haxhi Shalës konsull

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas emërimit të djalit të deputetit Haxhi Shala në pozitën e konsullit të përgjithshëm në kryeqytetin e Çekisë, duke thënë se do ta shfuqizojë dekretin e ish-presidentit Hashim Thaçi që mundësoi këtë emërim.

Ajo ka sqaruar se ky emërim është bërë nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ndërsa ka thënë ndonëse ka insistuar, s’ka marrë asnjë dokument nga Qeveria në lidhje me shërbimin diplomatik.

“Emërimi i konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera që po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-Presidenti Thaçi, e jo nga unë si ushtruese e detyrës. Përkundër kërkeses sime, deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk më është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se ky emërim është në kundërshtim me praktikat diplomatike të vendeve demokratike, duke thënë se do ta shfuqizojë këtë dekret dhe të tjerët të këtij lloji.

“Konsullata e përgjithshme në Pragë dhe emërimi i konsullit të përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me cdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen konsullata të Pergjithshme në të njejtin qytet ku kemi edhe Ambasade. Fatkeqesisht, ky nuk eshte rasti i vetem. Eshte praktike e mbrapshte, te cilen duhet ta kthejme mbare. Prandaj ato dekrete do te shfuqizohen”, ka shkruar Osmani.

Leave a Reply