Dramë në Kili, digjen dhjetëra shtëpi

Së paku 120 shtëpi janë shkatërruar nga zjarret pyjore në qytetin e Kilit, Valparaiso, duke nxitur evakuime masive, kanë thënë zyrtarët.

Zjarret kanë prekur kodrat, Rocuant dhe San Roque dhe më pas janë zgjeruar në dy zona të varfra, por të banuara.

Të gjithë zjarrfikësit e qytetit janë angazhuar.

Kryetari, Jorge Sharp ka thënë se zjarret janë nisur “me qëllim”, derisa ende nuk është bërë e ditur për ndonjë viktimë.

Erërat e forta dhe temperaturat e larta është thënë të kenë përkeqësuar situatën.

Energjia elektrike është ndërprerë për rreth 90,000 banorë në zonat e prekura si masë parandaluese.

Dy shkolla janë kthyer në qendra strehimi për banorët e prekur, të cilët janë detyruar të ikin teksa kanë qenë duke festuar Krishtlindjet.

Sharp ka thënë se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Valparaiso, qytet rreth 100 kilometra larg kryeqytetit, Santiago.

Në rrjetet sociale janë publikuar disa pamje të një makine që ka qenë afër vendit ku ka nisur zjarri.

Prokurorët janë duke hetuar pamjet, ashtu sikurse raportimet e banorëve se makina është parë në kodrat e prekura pak para se zjarri të niste, ka raportuar faqja online, Emol./REL/

Leave a Reply