E vranë dhe e dogjën me benzinë, shoqërohen familjarë të ish gruas së Flamur Duçit

Ngjarje e rëndë në fshatin Mborje, ku një person është gjetur pajetë në rrugë mëngjesin e sotëm. Flamur Duçi 45 vjeç banor i këtij fshati i divorcuar pak vite më parë sipas policisë është sulmuar të paktën nga dy persona me mjet prerës në pjesët jetësore të trupit.

Nga goditjet e shumta 45 vjeçari ka gjetur vdekjen poshtë shkallëve të biznesit të tij.

Burimet e siguruara thanë se personat fillimisht janë konfliktuar brenda ambjenteve të minimarketit në pronësi të 45 vjeçarit aty ku duket se njëri prej të kërkuarve nga policia ka marrë thikën mbi banakun e marketit duke e goditur disa herë në trup.

Gjithashtu burimet tregojnë se personat e konfliktuar me 45 vjeçarin e kanë spërkatur në trup me benzinë dhe i kanë vënë flakën, çka tregon se kanë dashur edhe të humbin gjurmët e krimit. Si pasojë e flakëve viktima ka marrë plagë djegieje në kokë.

Policia nuk ka gjetur në vendin e ngjarjes armën e ftohtë me të cilin është kryer vrasja e 45 vjeçarit, por ka gjetur prova të tjera përfshi dhe gjurmë gishtash në vendngjarje, çka do të ndihmojë grupin hetimor të shkojë tek autorët e kësaj vrasjeje që ka shokuar banorët e fshatit të njohur.

Sipas Pëllumb Hotit, i afërm i viktimës, 45 vjeçari jetonte i vetëm pasi ishte i divorcuar dhe kishte dy vajza të martuara. 45 vjeçari Flamur Duci, jo vetëm për banorët por edhe për policinë lokale nuk ishte person me precendent të mëparshëm penal.

Deri tani policia ka shoqëruar disa persona përfshi edhe familjarë të ish bashkëshortes së viktimës edhe për atë se pista kryesore e kësaj vrasjeje dyshohet të jetë ajo e një konflikti me familjarët e ish gruas.

Leave a Reply