Eksperti i sigurisë kibernetike nxjerr prapaskenat e rënda, zbulon se çfarë po përgatit Kina

Qeveria ushtarake në Mianmar (Birmani) është gati të miratojë një projekt-ligj të ashpër të çensurës kibernetike, i cili ka shkaktuar kundërshtim të gjerë brenda dhe jashtë vendit.

Një ekspert i sigurisë kibernetike në Rangoon i tha Zërit të Amerikës se Kina ka siguruar ndihmë teknike në mënyrë që ushtria birmaneze të mund të zhvillojë një firewall (mur rrethues) kibernetik të ngjashëm me Firewall-in e Madh që kufizon aktivitetet në internet të qytetarëve kinezë. Eksperti, i cili është i njohur për Zërin e Amerikës, kërkoi të mos i përmended emri për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Eksperti i sigurisë kibernetike tha se teknikët dhe pajisjet kompjuterike kineze ishin dërguar me kërkesë të qeverisë ushtarake për të ndihmuar ushtrinë të zbatonte ligjin e sigurisë kibernetike për të eliminuar disidentët dhe protestat pro-demokracisë në internet.

“Këto janë firewall-e nga Kina. Këto firewall-e u janë dërguar kompanive të shërbimeve të Internetit, dhe kompanive të telekomunikacionit, si Ooredoo dhe Telenor”, tha eksperti. “Të gjitha këto… do të jenë operacionale para datës 15 shkurt”.

Sipas një kopjeje të projekt-ligjit të censurës kibernetike prej 36 faqesh të marrë nga agjensia e lajmeve Reuters dhe e përkthyer nga Financial Times, ligji do të kërkojë që ofruesit e shërbimeve online në Mianmar të ruajnë të dhënat e përdoruesve në një vend të identifikuar nga qeveria për tre vjet.

Rregullat e reja gjithashtu do të kërkonin që kompanitë të dorëzonin informacionin tek autoritetet “sipas çdo ligji në fuqi” dhe do t’i jepnin shtetit kompetenca për të ndërhyrë në rastet që kërcënojnë “sovranitetin dhe integritetin territorial të Mianmarit”. Nëse dënohen për dështim në administrimin e të dhënave në përputhje me ligjin, individët mund të burgosen deri në tre vjet, me gjobë deri në 7’500 dollarë, ose të dyja.

Eksperti tha se parashikimet ligjore do të monitorohen nga pajisjet e firewall-it të ofruara nga Kina.

Eksperti shtoi se, “Firewall-i i teknologjisë së fundit ka karakteristika të quajtura inspektim në thellësi. Ata mund ta përdorin këtë trafik dhe ju mund të filloni të shihni se çfarë të dhënash po transferohen. Kështu që mendoj se ata po përpiqen të kontrollojnë internetin me teknologjinë më të fundit”.

I intervistuari gjithashtu tha se pajisjet mund të kenë ardhur nga gjigandi kinez i telekomunikacionit Huawei, por Zëri i Amerikës nuk mundi ta konfirmonte këtë. Uashingtoni ka ndaluar firmat amerikane të bëjnë biznes me Huawei-n për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Fotot që qarkullojnë në Twitter dhe Facebook tregojnë njerëzit duke shkarkuar kuti me mallra nga një avion i ardhur nga Kina në Mianmar. Shumë birmanezë besojnë se kutitë përmbajnë pajisje teknike të përdorura nga Kina për të kufizuar aktivitetet në internet.

Kina i mohoi akuzat. Wang Wenbin, një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Kinës, tha në një konferencë të rregullt për shtyp të mërkurën se ai nuk kishte dëgjuar që Kina t’i siguronte pajisje dhe ekspertë të teknologjisë Mianmarit. Ai gjithashtu u kërkoi njerëzve të mos përfillnin “deklarata dhe thashetheme të tilla të rreme” në lidhje me përfshirjen e Kinës në Mianmar.

Qeveria kineze ka përvojë të gjerë në censurimin e internetit. Për shkak të “firewall-it në Internet”, njerëzit në territorin e Kinës nuk mund të përdorin media sociale perëndimore si Facebook, Twitter dhe Instagram dhe programet e medias dhe mediave sociale në Kinë i nënshtrohen një censure të rreptë.

Kina ka interesa të konsiderueshme ekonomike dhe gjeopolitike në Mianmar./voa

Leave a Reply