Emergjencë nazismi në Gjermani, shqetësim për të djathtën ekstreme në Dresden

Qyteti gjerman i Dresdenit ka shpallur “gjendjen e emergjencës naziste”, në vazhdën e një problemi serioz me ekstremistët e djathtë.

Këshilltarët e qytetit të Gjermanisë Lindore shprehen për mediat vendase se kanë miratuar një rezolutë ku thuhet se duhet të bëhet më shumë për të zgjidhur këtë çështje në një nga qytetet që është cilësuar si bastioni i së djathtës ekstreme.

Një nga anëtarët e këshillit lokal u shpreh se “gjendja emergjente kundër nazizmit është e ngjashme me emergjencën kundër klimës, që nënkuptohet se ekziston një problem serioz. Shoqëria e hapur demokratike sipas tij, është e kërcënuar”.

Miratimi i kësaj rezolute është i nevojshëm për shkak se politikanët nuk po bëjnë sa duhet për ta pozicionuar veten në mënyrë të qartë kundër të djathtës ekstreme.

Madje mediat shkruajnë se qëndrimet dhe veprimet ekstreme të të djathtëve, janë bërë shumë prezentë.

Vetëm orët e fundit, 2 politikanë, Cem Özdemir dhe Claudia Roth janë kërcënuar me jetë nga ekstremistët e Djathtë në Gjermani.

Politikani Özdemir ka marrë në e-mailin e tij një paralajmërim ku thuhet se “emri i tij është lartë në listën e personave që do të vriten”. E-maili është dërguar nga Divizioni i Armëve Atomike nga SHBA.

Duke i konsideruar kërcënimet shumë serioze, Özdemir dhe Roth kanë kërkuar menjëherë mbrojtje, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në mbrojtje të dy politikanëve.

Në qershor politikani Walther Lübcke u vra në një atentat të paralajmëruar në Gjermani, ndërsa muajt e fundit janë kërcënuar me vdekje nga ekstremistët e djathtë edhe politikanë të tjerë federalë, ndër ta edhe kandidati i CDU për kryeministër në zgjedhjet e fundit të Tyringisë Mike Mohring.

Dresden në fakt është qyteti ku lëvizja ekstremiste PEGIDA (Evropianët Patriotë kundër islamizimit të Perëndimit) u themelua në vitin 2013.

Ndërsa në zgjedhjet federale në 2017, forca e ekstremit të djathtë AfD u bë partia e parë që hyri në parlament.

Leave a Reply