Erdogan: Shpresojmë në përmirësimin e raporteve me SHBA-në dhe BE-në

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha të mërkurën se Turqia shpreson “të hapë një faqe të re” në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian dhe se Ankaraja është subjekt i standardeve të dyfishta edhe nga aleati i NATO-s, Uashingtoni, por edhe nga blloku evropian.

Këtë muaj, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Turqisw, për shkak të blerjes së sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia dhe BE-ja po ashtu po përgatit masa ndaj Turqisë, për shkak të eksplorimeve për gaz që ka kryer në ujërat e Greqisë dhe Qipros. Megjithatë, vendimi për sanksione ndaj Turqisë nga blloku evropian, është shtyrë për në muajin mars.

Duke folur para ligjvënësve të partisë turke AK që është në pushtet, Erdogan tha se “agjendat artificiale” kanë vënë në sprovë marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-në dhe BE-në më 2020, por ai tha se shpreson se raportet do të përmirësohen.

“Turqia po përballet me standarde të dyfishta edhe për Mesdheun Lindor (v.j. ku Ankaraja ka kryer eksplorime për gaz) si dhe për sistemin S-400. Ne duam të hapim një faqe të re me SHBA-në dhe BE-në vitin e ardhshëm”, tha Erdogan.

“Ne nuk e shohim bashkëpunimin shumëpalësh politik, ekonomik dhe ushtarak si një alternativë ndaj marrëdhënieve tona me SHBA-në, që kanë rrënjë të thella. Dhe ne po ashtu shpresojmë se BE-ja do të heqë dorë nga verbëria strategjike që po krijon distancë me Turqinë”, shtoi presidenti turk.

Sanksionet amerikane erdhën në një moment të ndjeshëm në marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Uashingtonit, teksa pritet që presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden të inaugurohet më 20 janar.

Ankaraja ka dënuar sanksionet amerikane, duke i cilësuar si “gabim të madh” dhe shpreson se Biden do të jetë më konstruktiv në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me aleatët sesa presidenti aktual, republikani Donald Trump. Ankaraja pret se Biden do të ketë një qasje tjetër për shumë çështje që dy vendet kanë mospajtime, duke nisur nga politika mbi Sirinë e deri te sistemet S-400.

Presidenti turk, Erdogan po ashtu tha se Turqia “nuk do të gjunjëzohet karshi sanksioneve dhe shantazheve”, por shtoi se beson se Biden do të shfaq “rëndësinë e nevojshme” në marrëdhëniet Turqi-SHBA./Rel

Leave a Reply