Facebook-u në botën e hajnive!

Shkruan: Shkëlzen Halimi /

Facebook-u është një rrjet shoqëror pa fund, i cili jep mundësi të shumta komunikimi, por është edhe një instrument për të ndarë përvoja të ndryshme. Ky rrjet shpesh përdoret edhe për çështje bizare. Tashmë është e qartë se Facebook-u, në të shumtën e rasteve përdoret për ta përmbushur një nevojë të çuditshme: marrjen e sa më shumë “likeve” (pëlqimeve), të cilat për dikë, çuditërisht, janë me rëndësi të veçantë (shpirtërore). Në këtë rrjet, mbase tash për tash më atraktivi në tërë rruzullin tokësor, individë të profileve të ndryshme, por edhe portalet, shpërndajnë lloj –lloj shkrime dhe informacione në kohë reale. Brenda pak kohë mund të lexosh një fjalë të urtë, një poezi, një kritikë letrare, analizë, mund të shohësh ndonjë fotografi, pikturë dhe të dëgjosh ndonjë këngë, por edhe të lexosh njoftime për lindje e vdekje.

Në Facebook mund të lexoni ndonjë poezi vërtet mahnitëse, mund të lexoni ndonjë përkthim brilant, ndonjë tregim tërheqës…Por, Facebook-u duron edhe shkrime që nuk lexohen, që janë plagjiatura… Facebook-u duron edhe hajnitë e ndryshme, vjedhjen e pasueseve të teksteve të ndryshme, vjedhje e vargjeve sa që shpesh të duket se je duke i lexuar të njëjtat vargje, por të shkruara nga autorë të ndryshëm. Poezia nuk e duron këtë model të bërjes së saj, poezia është çështje shpirtërore dhe natyrisht e vështirë, por ja që ka shumë “poetë” e “poete” që zgjedhin rrugën më të shkurtë, duke përpiluar poezi (thuajse janë dadaistë) përmes vjedhjes së vargjeve nga qindra e mijëra poezi, të shpërndara në profilet e atyre që i shkruajnë apo që i përkthejnë. Pra, Facebook-u keqpërdoret edhe për hajni të ndryshme, përmes të cilëve shumë të pafytyrë tentojnë ta prezantojnë jo vetëm fytyrën e tyre të zbehtë, por edhe mjerimin e tyre të brendshëm. Dhe, çuditërisht janë pikërisht këta individë, të cilët marrin shumë pëlqime, ndërkaq kjo flet se hajnat e Facebook-ut kanë shumë miqësi e ndjekës.

Në fakt, është një kategori e individëve në numër të madh, të cilët “kujdestarojnë” në Facebook, duke pritur shkrime të gjinisë femërore, për t’u shpërndarë pëlqime jo shkrimeve të kësaj gjinie, por fotove të tyre. Pra, ndër ne ka edhe këso maskarenj (në të shumtën e rasteve janë disa pensionistë), të cilët fare nuk bëjnë përpjekje për ta tërhequr një vijë midis asaj që është vlerë dhe asaj që është anti-vlerë.

Facebook-u vërtet ofron mundësi të shumta në aspektin pozitiv, por e keqja qëndron në faktin se ka me qindra e qindra individë që këtë rrjet global e shfrytëzojnë për lloj-lloj marifete negative, për të cilat mendojnë se janë në qendër të vëmendjes. Kësaj i thonë të bëhesh budalla me zor …

Leave a Reply