Florida përgatitet për “përbindëshin absolut” të një stuhie, uraganin “Dorian”

Një uragan me forcë të madhe shkatërruese po pritet të godasë shtetin amerikan të Floridës në jug të vendit. Presidenti, Donald Trump, madje ka anuluar vizitën e planifikuar në Poloni të dielën për të përkujtuar fillimin e Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se prioritet është siguria e popullit të tij.

Banorët e Floridës në SHBA po përgatiten për pasojat katastrofike, madje vdekjeprurëse të uraganit “Dorian” që pritet të përshkojë shtetin jugor gjatë fillimjavës.

Ndërkohë që në vend është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të enjten se do të anulojë një vizitë përkujtimore në Poloni me rastin e fillimit të Luftës së Dytë Borore.

“Prioriteti ynë janë siguria e njerëzve në rrugën e uraganit. Ai po merr trajta të mëdha dhe duket se do të jetë një monstër i vërtetë. Ne jemi gati, po shpërndajmë ushqim dhe ujë, por edhe mund të duhet të braktisen banesat pasi stuhia do të kalojë mespërmes qyteteve,” deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke e krahasuar erën e fuqishme me uraganin “Endrju” që shkatërroi Floridën Jugore në vitin 1992.

Të mërkurën uragani “Dorian” kaloi në Ishujt Virxhin dhe në Puerto Riko duke mos shkaktuar dëme të mëdha.

Gjatë fundjavës stuhia pritet të forcohet në kategorinë 4, që konsiderohet e aftë të shembë shtëpitë, të shkulë pemët dhe të rrëzojë shtyllat elektrike.

Guvernatori i shtetit u ka bërë thirrje banorëve të furnizohen me ujë dhe ushqime për të paktën 7 ditë.

Qytetarë të tjerë janë pajisur me thasë me rërë, karburant dhe produkte të tjera emergjence në pritje të uraganit që planifikohet të zbresë në brigjet e Floridës të hënën dhe të hyjë më në brendësi ditën e martë.

Leave a Reply