FOTO/ 2 të vdekur dhe mbi 25 të zhdukur, moti i keq godet Italinë dhe Francën

Të paktën dy persona kanë vdekur dhe të paktën 25 janë zhdukur pas një stuhie të fuqishme që goditi Francën Jugore dhe Italinë Veri-Perëndimore.

E njohur me emrin Aleks, stuhia solli erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm duke shkaktuar përmbytje të mëdha.

Një numër fshatrash pësuan dëme serioze rreth qytetit jugor të Nicës. Kryebashkiaku i saj e përshkroi atë si përmbytjen më të keqe në kujtesën e gjallë.

Në veri të Italisë, rrugët dhe urat u morën nga ujërat e përmbytjes, ndërsa disa lumenj dolën nga shtrati i tyre.

Njëra nga viktimat në Itali ishte një zjarrfikëse në Luginën Aosta, ndërsa tjetra ishte një burrë rreth të 30-ave makina e të cilit u fut në një lumë në rajonin e Piemonte.

17 njerëz të tjerë thuhet se janë zhdukur në veri-perëndim të vendit pas reshjeve të mëdha të shiut brenda natës. Midis tyre është një grup prej të paktën katër gjermanësh, të cilët nuk u kthyen nga një udhëtim në male, thanë zyrtarët, citon BBC.

Në Piemonte, disa fshatra ndërprenë lidhjet tokësore me zona e tjera të vendit pasi shirat i bënë rrugët të pakalueshme. Situata atje u përshkrua si “jashtëzakonisht kritike” nga zyrtarët.

Qindra punonjës ndihmës janë dërguar për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit në fshatra të tillë. Stuhia preku gjithashtu rajonet veri-perëndimore të Lombardisë dhe Ligurias.

Qyteti i Venecias, i cili ishte përgatitur për ujëra të larta pasi pësoi stuhi të dhunshme në gusht, u mbrojt me sukses nga një sistem pengesash kundër përmbytjes i shpallur së fundmi plotësisht si funksional.

Në Francë, tetë persona thuhet se janë zhdukur. Disa fshatra në veri të Nicës, të vendosura në lugina të pjerrëta, kanë mbetur pa lidhje rrugore.

Pasi fluturoi mbi zonën e goditur më keq me helikopter, Kryetari i Komunës së Nicës Chistian Estrosi tha për kanalin francez të lajmeve BFM: “Rrugët dhe rreth 100 shtëpi u morën me vete ose u shkatërruan pjesërisht“.

Agjencia meteorologjike Météo-France tha se në disa zona ra shi rreth 450 mm përgjatë 24 orëve, ekuivalenti i gati katër muajve të shiut në këtë kohë të vitit, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Plazhet në Nice dhe qytete të tjera bregdetare u mbyllën dhe njerëzve u kërkua të qëndronin në shtëpi, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Leave a Reply