Franca sërish në karantinë?

Shëndetësia paralajmëron masa të rrepta, shkak numri i lartë i infektimeve

Rritja e rasteve me COVID-19 në Francë po rrit frikën tek autoritetet të cilat pritet që të marrin masa të ashpra. Në vetëm 24 orët e fundit janë regjistruar afro 100 mijë raste, shifra më e lartë e regjistruar që nga marsi kur pandemia shpërtheu.

Krerët e shëndetësisë do të mblidhen sot për të vendosur nëse vendi do të futet sërish në një karantinë të dytë. Autoritetet iu kanë bërë thirrje të rinjve që të tregohen vigjilentë pasi spitalet janë të tejmbushura me këtë grupmoshë, të ruajnë distancën, të mbajnë maskë dhe të mos frekuentojnë ambiente ku ka grumbullime.

Presidenti Emmanuel Macron disa ditë më parë bëri thirrje se do të ngrihet një ekip për të monitoruar situatën dhe përmendi faktin muajt në vazhdim do të jenë edhe më të vështirë. Javën e kaluar autoritetet në Francë vendosën të mbyllin 12 shkolla në qytetin verilindor të Roubaix (Rube) pasi një fëmijë rezultoi i prekur me koronavirus.

Ndërkaq sot shënohen 6 muaj që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin si pandemi. Që nga ajo kohë e gjithë bota përjetoi një izolim total gjë që më pas solli pasoja shumë të mëdha në ekonomi.

Tashmë, kur kanë kaluar 6 muaj trajektorja e COVID-19 po merr një tjetër drejtim ku rastet dhe vdekjet po rriten gjithnjë e më shumë duke detyruar autoritetet që të rikthejnë izolimin dhe të mbyllin institucionet sërish. Që nga nisja e pandemisë  janë regjistruar rreth 28 milionë persona të infektuar, ndërsa numri i viktimave është shumë pranë shifrës 1 milion.

Leave a Reply