Frika për ndikim rus në Europë

Rinis puna për shtrirjen e tubacioneve të Gazprom për Gjermaninë

Gazprom do të rifillojë pas një pauze 1-vjeçare ndërtimin e tubacionit të diskutueshëm të gazit Nord Stream 2. Ky projekt prej 9 miliardë Eurosh kalon nën Detin Baltik dhe do të dyfishojë eksportet e gazit rus në Gjermani. Vështirësitë gjeo-politike dhe grindjet kanë nisur që nga fillimi i ndërtimit të këtij tubacioni.

SHBA dhe disa partnerë evropianë të Gjermanisë e kanë kundërshtuar projektin, duke paralajmëruar se Berlini do të bëhet shumë i varur nga Rusia. Kjo për shkak jo vetëm të sanksioneve kundër Rusisë, por edhe mosmarrëveshjet gjeo-politike me Ukrainën dhe gjithë pjesën tjetër të saj. Gazsjellësi Nord Stream 2 me gjatësi prej 1,230 kilometra do të transportojë gazin natyror nga fushat e gazit siberian të Rusisë në Gjermani.

Ndërtimi i projektit gati ka përfunduar, por puna u ndal në Dhjetor 2019 pranë ishullit danez Bornholm kur dy anije zvicerane pushuan së punuari, pasi SHBA kërcënuan të vendosnin sanksione ndaj kompanive që punojnë në projekt. Presidenti Trump paralajmëroi sanksione ndaj kompanive të përfshira në projekt duke ngritur shqetësimet se Evropa është shumë e varur nga Moska për furnizimet e saj të energjisë.

Ky projekt nuk ka mbështetjen as të BE-së, ç’ka e ka vendosur Gjermaninë në dilemë. Pavarësisht nga rifillimi i punës, disa analistë shprehen se ka shumë pengesa për suksesin e projektit. Sipas analistëve, Bashkimi Europian kurrë nuk e mbështeti ndërtimin e këtij gazsjellësi. Parlamenti Europian votoi kundër dhe e ka bërë shumë të qartë qëndrimin e tij. Komisioni Europian po ashtu ka qenë vazhdimisht kundër.

Leave a Reply