Gjeneralët e NATO-s në Tiranë, Pavel: Aleanca ka sfida të rëndësishme

Në Tiranë u mbajt sot Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO-s ku të pranishëm ishin shefat e shtabeve të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Tema kryesore e diskutimeve ishte situata e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhënia e rekomandimeve për vazhdimësinë e misioneve “Resolute Support” në Afganistan dhe KFOR në Kosovë.

Shqipëria konfirmon vazhdimin e misionit të saj në Afganistan dhe shtimin e prezencës së saj atje.

Kryetari i Komitetit Ushtarak, gjenerali Peter Pavel ka theksuar se NATO do të vazhdojë të ndjekë politikën e dyerve të hapura.

Por aleanca ka sfida shumë të vështira përpara, tha ai. “Jemi të sfiduar nga aktorë shtetërorë e jo shtetërorë, forca ushtarake, grupe terroriste dhe sulmet kibernetike. Përgjegjësia jonë mbetet mbrojtja e territorit dhe popullsisë sonë”, tha Gjenerali Pavel.

“Shqipëria do të mbetet e angazhuar për sa kohë të mbetet e nevojshme në misionin e NATO-s ‘Resolute Support’. Përpjekja jonë e përbashkët është Afganistani të mos kthehet në një vend të sigurt për terrorizmin ndërkombëtar. Prandaj, vitin që shkoi Shqipëria e dyfishoi prezencën e saj në dhe unë gjej rastin sot të ju bëj me dije që u deklarua në konference që ne do të shtojmë edhe me një togë tjetër prezencën në Afganistan. Kjo është vendosmëria e Qeverisë dhe e Forcave të Armatosura për të vijuar kontributin në Afganistan”, u shpreh Bardhyl Kollçaku, shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA.

“Sa i përket Kosovës nuk themi që nuk ka të drejtë të krijojë ushtrinë e saj, por kjo duhet bërë sipas procedurës së duhur dhe një afati kohor të caktuar. Për sa i takon anëtarësimeve të reja, NATO ka deklaruar të ashtuquajturën “politikë të dyerve të hapura” dhe nuk ka asnjë dyshim në këtë aspekt. Ka disa kritere që duhen plotësuar, interesi i përbashkët dhe konkurueshmëria e Forcave të Armatosura. Kemi disa vende aspirante që po punojnë për reformën në mbrojtje dhe ne po i asistojmë ato. Pasi të arrijmë nivelin që lejon anëtarësimi, besoj se procesi i negociatave politike do t’i hapë rrugë anëtarësimit të plotë. Ndërsa sa i përket çështjes së Rusisë, ne po ndjekim zhvillim atje, konkretisht stërvitjen që po zhvillojnë së fundmi, por nuk ka asnjë tregues që do të përbënte kërcenim direkt apo që Rusia po përdor stërvitjen si maskim për mësymje reale”, tha Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

/ Top Channel 

Leave a Reply