Gruaja që nuk u thye as kur e mbyllën në burg me burra

Rrugëtimi shqiptar nëpër shekuj, është i mbushur përplot me ngjarje dhe protagonistë që kanë lënë gjurmë në epoka të ndryshme, por jo të gjitha këto ngjarje i gjejmë nëpër libra historie.

Disa prej tyre jetojnë në kujtesën e njerëzve të kohës.

Historia e një gruaje nga Gjilani, dallon nga të tjerët. Ajo nuk u dorëzua para sfidave jetësore, që ishin tepër të rënda.

Hatixhe Rexhepi nuk u thye dhe nuk u dorëzua as kur e mbyllën në një dhomë burgu me burra, as kur ia dogjën të gjallë burrin dhe as atëherë kur e kërcënuan se do t`ia vrisnin fëmijët.

Kjo grua, bashkëshorte dhe nënë, përjetoi dhe përballoi tortura shumë të egra në burgjet komuniste të ish-Jugosllavisë.

Fjeti ulur për disa ditë e net, kur e mbyllën në një dhomë burgu me burra.

I biri i saj, Isaja e rrëfen për portalin mediafokus.info një pjesë të historisë së nënës së tij, dyzet e sa vjet pas vdekjes.

Ajo nuk kishte bërë shkollë, por shkrimin dhe leximin e kishte mësuar prej burrit të saj, Mulla Idriz Gjilanit, të cilit i ishte bërë krah në aktivitetin e tij kombëtar, qysh prej vitit 1937.

Lufta e Mulla Idrizit për pavarësinë e Shqipërisë dhe bashkimin e trojeve etnike, u bë pjesë e jetës së Hatixhesë, e cila do të bëhet edhe gruaja më e persekutuar në Gjilan dhe më gjerë, pas dështimit të forcave kombëtare për çlirimin e të burgosurve në Gjilan, më 23 dhjetor 1944.

OZNA e arrestoi dhe burgosi atë, duke ia lënë shtëpinë në duart e nënës plakë, 75-vjeçe dhe të fëmijëve të vegjël.

Sikur nuk u mjaftuan me kaq, por i konfiskuan edhe shtrojën dhe mbulojën për fëmijë dhe i lanë edhe pa bukë.

Fillimisht, Htixhen e ndaluan në burgun e Gjilanit dhe pastaj e dërguan në burgun e Ferizajt, ku e vendosën në një dhomë me burra, pa asnjë femër tjetër.

Për një muaj, sa qëndroi në një dhomë burgu me burra, Hatixheja kurrë nuk u shtri për gjumë.

Gjithmonë qëndroi ulur dhe ulur bëri edhe gjumë. Kishte një karakter të fortë dhe si e tillë ishte bërë shembull i qëndresës edhe për burrat, të cilët gjendeshin në atë burg.

Hetuesit e merrnin në pyetje çdo ditë, e kërcënonin se kanë për t’ia vrarë edhe fëmijët, poqë se nuk tregon për burrin e saj, duke i thënë se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë të rriten fëmijët e armikut të përbetuar.

“Jam grua dhe kam për detyrë që t’i rris fëmijët”, u përgjigjej ajo hetuesve dhe nuk fliste më shumë.

Ata vazhdonin ta kërcënonin, duke i thënë se nuk do t`i shoh më kurrë fëmijët, nëse nuk tregon se ku gjendet Mulla Idrizi.

“Zoti është i madh dhe në dorën e tij i kam lënë fëmijët”, thoshte ajo, duke i bërë hetuesit që t’i shanin tokën dhe zotin.

Hatixhesë nuk i shkonte kush në burg që ta vizitonte. Kush t’i shkonte? Mulla Idrizi ishte i plagosur dhe rrinte i mbyllur në Gallap, Tugjec e Gjurishec.

Babanë e tij e kishin vrarë çetnikët, po ashtu edhe vëllain e tij, Bajramin. Kunatin Mehmetin, më shumë e mbanin në burg.

Meqë kaloi një kohë dhe Mulla Idrizi, as nuk vritej dhe as nuk kapej, OZNA e liroi nga burgu Hatixhenë.

Ia hapen derën e burgut në Ferizaj dhe e hodhën në rrugë. U kthye në shtëpi tjetër njeri. Gjashtë muaj pa i ndërruar rrobat.

Hatixheja nuk do të rehatohet asnjëherë, deri në vdekje.

Dy javë pas lirimit nga burgu, hetuesit e OZNA-së trokitën në derën e saj të shtëpisë dhe e urdhëruan që së bashku me kunatin, Mehmetin, ta gjenin Mulla Idrizin, të gjallë a të vdekur.

U nisën maleve, prej katundit në katund. Një rrugëtim plot tmerre. I shqyhen opingat dhe nuk kishte as çorapë. Këmbët po i gjakosnin dhe mezi qëndronte, aq sa në një moment kishte menduar të kërcente nga një shkëmb dhe të mbytej.

Kunati, i cili e kishte hetuar qëllimin e Hatixhesë, e kishte ndaluar, duke i thënë se edhe e keqja e ka fundin e saj dhe se ti duhet të jetosh për fëmijët.

Pas dy javësh rrugëtimi fshat më fshat e mal më mal, kur më nuk kishin forcë për të ecur, u kishin thanë zyrtarëve të OZNA-s se nuk ia dolëm ta gjejmë.

Më 22 nëntor 1949, në orët e vona të natës, një korrier i OZNA-s trokiti në derë dhe u dha lajmin se Mulla Idrizi ishte zënë.

Pas tri ditësh, korrieri i OZNA-s rikthehet për të kumtuar lajmin se “Mulla Idrizi e kalli veten”, por në të vërtetë, atë e kishin kallur me flakë, për ta zhdukur nga faqja e dheut, nga inati që nuk pranoi t’i zbulojë fshehtësitë e Lëvizjes Popullore për Shqipërinë Etnike, përkundër torturave që i kishin bërë në burg.

Edhe pas kësaj tragjedie, Hatixheja do të gjejë fuqi që ta vazhdojë jetën dhe t’i shkollojë fëmijët.

Deri në vdekje, mbeti një grua e pathyeshme. /Mediafokus/

Leave a Reply