Hapja e kufijve pa kushte, pritet vendimi i qeverisë

Komisioni i Sëmundjeve Infektive i rekomandon Qeverisë heqjen e PCR testit negativ të obligueshëm për të hyrë në Maqedoni të Veriut. Rekomandimi i tyre do të diskutohet në mbledhjen e parë të Qeverisë. Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë janë në koordinim me autoritetet rajonale, prej ku presin të reflektojnë ndaj vendimit për heqjen e testeve në mënyrë të koordinuar. Drejtori i ISHP-së, Shaban Memeti thotë se heqja e testeve është interes rajonal.

Ne mendojmë se është interes rajonal dhe ndër shtetëror që testet PCR të hiqen. Shtete të caktuara kanë rritje ose ulje të caktuara të rasteve me Kovid-19, ndërsa ne si vend kemi analiza për atë se çfarë mund të na presë. Nuk mendoj që do të jenë kundër heqjes së testeve PCR”-tha Shaban Memeti, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.

Në rast se nuk ka marrëveshje rajonale, autoritetet do të vendosin për heqjen e testeve me shtete të caktuara si Republikën e Kosovës dhe Serbinë.

Ne si vend duhet të kemi marrëveshje multilaterale ndërmjet shteteve. Por nëse nuk arrijmë diçka të tillë, neve duhet të bëjmë marrëveshje bilaterale me shtete të caktuara”-pohoi Shaban Memeti, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.

Nevojën për heqjen e testeve PCR negativ si mekanizëm për rimëkëmbje ekonomike e kanë potencuar edhe hotelierët e rajonit të Ohrit dhe Strugës.

Nëse nuk hiqet PCR testi negativ dhe nuk hapen kufijtë, nuk e di se si do të punojmë tutje sepse neve gjatë sezonit 90 për qind punojmë me turistë të huaj”-tha Ana Jançeva, Menaxhere hoteli.

Vendimi i Qeverive do të sillet ndërkohë që Ambasada e SHBA-ve në Shkup ka caktuar ndërmjetësues për efikasitetin e procesit. Kosova ditë më parë hoqi testin negativ vetëm për transit, ndërsa kjo masë mbetet në fuqi në Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Bosnjë. Mali Zi kërkon vetëm teste që dëshmojnë ekzistimin e anti-trupave./Alsat/

Leave a Reply