Harrohet ekonomia, prioritet zgjidhjes së problemeve politike

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni vlerësojnë se realizimi i reformave në planin ekonomik, ec me dinamike tejet të ngadalësuar, sepse Ekzekutivi, kryekëput është e fokusuar në problemet politike, ndërkohë që theksojnë se efektet nga masat e ndërruara nga Qeveria, qytetarët pothuajse nuk i ndjejnë.

Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar një varg masash për subvencionimin e kompanive të vogla dhe atyre të mesme, si dhe kushte të njëjta si për investitorët e huaj ashtu dhe ata vendorë. Në bazë të planit të Qeverisë për vitin 2018 janë caktuar 3,1 miliardë denarë ose 50 milionë euro për programin për zhvillim ekonomik. Në mënyrë plotësuese janë caktuar edhe një miliardë denarë për masat aktive për punësim.

Përfaqësues nga komuniteti i biznesit shpresojnë se deri në fund të vitit 2018 do të prodhojnë efekte pozitive masat që janë paraparë nga Qeveria aktuale. Ata kërkojnë më shumë transparencë për mjetet që ndan shteti në formë subvencionesh për zhvillimin e kapaciteteve të kompanive të vogla dhe atyre të mesme. Arben Halili, ekspert i ekonomisë, i cili ka drejtuar dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se kjo qeveri është e fokusuar në problemet politike, masat ekonomike vështirë zbatohen, sepse ka ngecje gjatë përkthimit në ligje konkrete, ndërkohë që kjo strukturë qeveritare votat i siguroi duke premtuar jetë më të mirë për qytetarët.

“Strategjia politike e Qeverisë aktuale të Maqedonisë, më tepër është e drejtuar në drejtim të, siç thuhet, politikave të mëdha siç është zgjidhja e kontestit për çështjen e emrit, sigurisht dhe miratimi i ligjeve që u prezantuan si ligje me siglën evropiane. “Gjithsesi se kjo në asnjë moment nuk mund të shërbejë si alibi për t`u neglizhuar mosefikasiteti i masave të propozuara nga ana e Qeverisë e që kanë të bëjnë me përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve në vend, njëkohësisht masave që kanë të bëjnë me mbështetjen e sektorit të bizneseve, sepse kaloi një kohë e konsiderueshme e kësaj garniture qeveritare dhe nuk mund të themi se pritshmërinë e qytetarëve dhe sektorit të biznesit kanë filluar të materializohen”, thotë Halili.

Sipas tij, masat e Qeverisë duhet të jenë në nivelin “shok terapi”, që do të thotë që bizneseve, për problemet, me të cilat ballafaqohen, t’u ndihmohet me masa konkrete që mbase edhe mund të jenë të dhimbshme, por në periudha afatgjate do të jenë më efektive. Por, me këto qëndrime nuk pajtohet Vanco Uzunov, këshilltar për çështje ekonomike në kuadër të kabinetit të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ai thotë se një ekonomi e gjunjëzuar më shumë se një dekadë kundrejt politikave të gabuara ekonomike nga ish-qeveria, është vështirë të prodhojë efekte të menjëhershme që do të ndihen nga qytetarët.

“Më me rëndësi për momentin është që njëherë e përgjithmonë gjërat të vendosen në binarë të duhur. Politikat populiste, siç ishte rritja e pensioneve ose qarkullimi pa pagesë me transportin urban për një kategori të caktuar, ndonëse ndihen menjëherë, ato nuk prodhojnë rritje të standardit jetësor, synimi kësaj qeverie është vendosja e një bazamenti të qëndrueshëm të zhvillimit të ekonomisë. Kjo kërkon kohë, por edhe guxim, sepse jo të gjithë do të jenë të kënaqur nga këto masa”, thotë Uzunov. Nga Ministria e Financave, duke iu referuar të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, janë lëvduar se në muajin janar rroga mesatare për herë të parë ka tejkaluar shumën prej 24 mijë denarësh.

Në krahasim me rrogën mesatare të janarit të vitit të kaluar, ajo shënon rritje prej 1 mijë e 275 denarësh, që është një rritje prej 5,6 për qind, që siç theksoi ministri i Financave i Maqedonisë, Dragan Tevdovski, paraqet rritjen më të madhe të rrogave që nga viti 2010. Ndërkaq, Mare Ançeva, nga Sindikatat e Industrisë, Energjetikës dhe Minierave në Maqedoni, thotë se rrogat realisht janë rritur, por kjo rritje nuk prodhon efekt përderisa kemi dhe inflacion.

Ançeva, madje, thekson se rritja e pagës mesatare vjen si pasojë e rritjes së pagës minimale, si masë e Qeverisë që të subvencionojë nga arka e shtetit bizneset që do të thotë, harxhim i financave publike, për të cilën gjë në një mënyrë fatura do të bie mbi kurriz të qytetarëve. “Bëhet fjalë për një rritje minimale të pagës mesatare dhe nëse Maqedonia krahason shkallën e të ardhurave me vendet e tjera të rajonit mbetet në tri vendet e fundit. Pra, nevojiten politika që do të garantojnë rritjen e pagës minimale për një përqindje disa herë më të lartë nga kjo që të kemi efekte të dukshme“, vlerëson Ançeva.

Leave a Reply