“Hoti i dha Serbisë, liqenin e Ujmanit”

Lëvizja “Vetëvendosje” e konsideron pikën 7 në marrëveshjen e Uashingtonit të firmosur nga Hoti e Vuçiç në praninë e Trump si antikushtetuese.

Deputeti Liburn Aliu tha para mediave se pika për Liqenin e Ujmanit, tregon qartë që Hoti, i dha presidentit serb, atë që Beogradi kishte kërkuar prej vitesh.


LIBURN ALIU

DEPUTET I LEVIZJES VETEVENDOSJE

“Kjo pikë e marrëveshjes është në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës. Në atë dokument thuhet qartë që palët do të bashkëpunojnë për studim të fizibilitetit për ndarjen e liqenit të Ujmanit. Pra sipas këtij dokumenti, liqeni i Ujmanit do të ndahet. Pra Serbia do të jetë bashkëpronare. Kjo pikë përbën hapjen e një dere të madhe për Serbinë në Kosovë, derën që tash e sa vite Serbia synon ta hapë me presion, për të qenë bashkëpronare në Kosovë. Këtë e arriti në Uashington me nënshkrimin e palës kosovare. Pranimi që të diskutohet mbi pronësinë mbi Ujman dhe pranimi që të ndahet me Serbinë është precedent i rrezikshëm që në fund ka shkatërrimin e shtetit të Kosovës”

Deputetët e Vetëvendosjes, i kanë kërkuar kryeministrit Hoti të raportojë në komision edhe për paralajmërimet e zbatimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas “Vetëvendosjes”, Gjykata Kushtetuese në dhjetor të 2015-s, ka gjetur dhe konstatuar se kjo marrëveshje bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Leave a Reply