Hoxha

(Motivuar nga shkrimi me titull: “Reisi politik që injoron bazën dhe të gjitha organet e BFI-së”, të autorit Abaz ef. Islami, botuar në disa portale shqiptare)

Shkruan Shaban Aziri

Ku mbeti autoriteti i imamëve? Ku mbeti epiteti i imamëve si prijës i xhematit? Çka po ndodhë me hoxhallarët? Pse të vijmë në derexhe që të na vie turp nga profesioni hoxhë? Çka ndodhi që sot hoxhallarët të përfshihen të gjithë në një thes dhe të trajtohen si “hajna”, “çivijashë”, si “gurmazë”, si të “pangopshëm”, si “lypsarë”, si “dallaverxhinjë”…
Imamët janë prijësa! Hoxhallarët janë udhëdrejtus shpirtëror të xhematit të vet. Teologët duhet të jenë njerëzit më të respektuar të një shoqërie. Teologët i nënshtrohen vetëm parimeve islame përgjatë drejtimit shpirtëror të xhematit dhe as që duhet të kenë ndonjë prirje që ta shohin veten “ushtarë” të thjeshtë të administratës drejtuese të organeve dhe enteve të një Instiucioni që merret me organizimin institucional të jetës fetare islame. Asnjë personalitet nuk guxon të jetë mbi hoxhën, asnjë “reis” nuk guxon të jetë mbi imamin! Postet administrative duhet të respektohen vetëm për hirë të gatishmërisë për organizimin institucinal të jetës fetare dhe, vetëm përderisa ky organizim rrjedh konform parmeve islame. Nëse shkilen këto parime, imamët, hoxhallarët, teologët, pa kurrfarë turpi e frike duhet të ngrisin zërin, madje këtë gjest e kanë të porositur nga mësimet e shenjta, që i dinë, që i interpetojnë, që i porosisin dhe që i zbatojnë çdo orë të ditës, çdo sekond të jetës!

A është hoxha “shërbetorë” apo prijës

Çka po ndodhë me hoxhallarët tanë? Cili është motivi i hoxhallarëve tanë të sotëm që t’i nënshtrohen një prijësi politik, një dallaverxhiu partiak, një matrapazi injorant që manipulon edhe në emër të fesë por, edhe në emër të politikës? Pse hoxhallarët të sulmohen si hajna, si keqpërdorues të ndihmave humanitare, si vjedhës të fitrit, zeqartit, lëkurave të kurbanit, haxhit… Pse hoxhallarët tanë kanë rënë kaq poshtë, duke humbur çdo autoritet, duke u bërë objekt loje e tallje në çdo darkë, në çdo mevlud, në çdo aktivitet fetar!
I pamoralshmi duhet të distancohet dhe të luftohet, i pandershmi duhet të mbështetet për muri, i poshtri duhet të dëbohet nga rrethi, nga komuniteti. Manipulatorët partiakë, matrapazët politikë, të gjithë duhet të jenë jasht rrethit të xhematit dhe, për këtë gjë duhet të përkujdeset ekskluzivisht imami, hoxha, teologu. Sepse, çdo imam, çdo hoxhë, mbanë përgjegjësi për xhematin e vet. Hoxha, imami, teologu, konsiderohet i suksesshëm vetëm nëse arrinë që ta mbajë dhe ta kultivojë pastërtinë, respektivisht, devotshmërinë e xhematit të vet. Imami, hoxha i mirë është vetëm ai që arrinë ta ruajë kompaktësinë e xhematit të vet, duke e orientuar kah parimet islame dhe duke e penguar në tundimet politoko-partiake.

Po pse s’po ndodhë kjo?

Sepse, dikush ka arritur që ta devalvojë imamin, hoxhën, teologun në shërbëtor! Imami duhet t’i “shërbejë xhematit”, imami është shërbëtor i xhematit, rrjedhimisht i elekoratit partiak, rrjedhimisht i strukturave partiake.
Imami, hoxha, teologu, tashmë ka shitur autoritetin e vet, personalitetin dhe integritetin e vet, në të mirë të “autoritetit” i cili e shton “peshën” e vet në emër të “unitetit të komunitetit”! Sa më unik të jemi aq më të fortë do të jemi!!! Në çka unikë? Në shkatërrim të BFI-së? Në shkelje të Kushtetutës dhe të akteve të ndryshme të BFI-së? Unikë në shërbim të partisë që na e ruan autoritetin e “prijësit fetar”!?
Prandaj sot nuk kemi asnjë hoxhë, nuk kemi asnjë imam, nuk kemi asnjë teolog me karizëm, me peshë të fjalës? Dikur hoxhallarët tanë, të grumbulluar rreth një ideali, rrreth një halli, drejtonin revolucione kombëtare, drejtonin lëvizje kombëtare, e nënshtronin politikën kombëtare në të mirë të organizimit institucional të jetës fetare, ishin burrshtetas, ishin personalitete me famë botërore.
Sot, hoxha, imami, teologu ka frikë të dalë në sokakun e vet, i bezdiset të hyp në taksi sepse menjëherë do të pyetet për Shaqir Fetain. Ka frikë të dalë në takime me xhemat, qoftë edhe për një çaj, sepse do të dëgjojë lloj-lloj fjalësh nga qytetarët që do t’i shigjetojnë në drejtim të tij!
Sot, hoxhallarëve, imamëve, teologëve më lehtë dhe më mirë po u vie të jenë shërbëtorë, “t’i shërbejnë xhematit”, dhe me këtë ta dëshmojnë rrejshëm unitetin duke i shërbyer edhe autoritetit të rrejshëm të personit që ua ka rrëmbyer integritetin e lidershipit të çdo hoxhe në vend.

Teologët që i shërbyen UDB-së vdiqën në anonimitet total

Hoxhallarët nuk pyeten, hoxhallarët kanë ngelur pa të drejtën e tyre për të vendosur ne emër të xhematit të tyre; kanë humbur peshën e prijësit të xhematit, kanë vendosur të kenë një “prijës” para të cilit duhet të përjargen për një copë kocke. Jo për dinjitet, jo për rrogë, jo për pagë që u vidhet nga kafshata e gojës, jo për pagimin e kontributeve pensiono-invalidor, jo për ruajtjen dhe shtimin e vakëfit por, thjesht, për një copë kock!
Kurrë nuk kanë qenë në pozita kaq të disfavorshme hoxhallarrët siç janë sot! Pak edhe për faktin se dikur hoxhallarët, edhe ata që ishin autodidaktë, ishin të brumosur prej personaliteteve kombëtare e fetare. Sot, kemi hoxhallarë me diploma, me fakultete e me mësime të blera, të falsifikuara e në shërbim të djallit!
A mbahen në mend ndonjë hoxhë apo teolog që i ka shërbyer, për shembull, Aleksandar Rankoviqit, apo UDB-së? Të tillët nuk mbahen mend! Kanë vdekur në anonimitet! “Teologët” keqbërës i ka mbuluar mallkimi dhe nuk kanë zënë vend as në margjinat e faqeve të historië. Ndërsa historia jonë kombëtare është përplotë me personalitete hoxhallarësh qe i kanë prirë popullatës në luftë kundër Rankoviqëve e udbashëve, kundër matrapazëve, dallkaukëve e tradhëtarëve. Ai që tradhëton nuk mund të ketë tjetër prijës përveçse shejtanit! Hoxhallarët kurrë nuk guxojnë t’i tradhëtojnë dhe as t’i fshehin parimet islame, prandaj janë të graduar me titullin prijës, janë të gatuar për lidership që të kujdesen, veç të tjerash, edhe për ruajtjen e parimeve islame si dhe të të gjitha akteve që mbështeten në këto parime, dhe t’i luftojnë pa kompromis shkelësit e vlerave për të cilat angazhohen dhe është detyrë ekskluzive e imamëve, hoxhallarëve, thirrësve të devotshëm.

P.s.

Një reis nuk mund të jetë simbol i unitetit të ummetit! Një reis mund të jetë vetëm shëbëtor i nëpunësve fetarë, i cili mbanë llogari për mirëvajtjen e punëve institucionale në organizimin e jetës fetare si dhe një person i zgjedhur që para politikës apo pushtetit duhet t’i mbrojë interesat e imamlerëve, hoxhallarëve, teologëve. Interes e mbi interesat e hoxhallarëve është që të ruhet autoriteti dhe personaliti i tyre, e jo të përkujdesen për karrierën e “reisit” i cili kërkon që të nënshtrohen të gjithë para tij, ta demonstrojnë unitetin duke i shërbyer atij dhe vetëm atij! Një koncept ky shumë i shtrembëruar, i gabuar dhe i manipuluar i lidershipit! Një i tillë nuk mund të jetë lider, një prijës, një “reis”, por, vetëm shejtan që shembëllen në një dallkauk dhe asgjë më shumë!

Leave a Reply