Bisedë me H. Afrim ef. Tahirin, udhëheqës i Lëvizjes opozitare për reforma në BFI të RM-së  

E vërteta është shpirti i drejtësisë

Bashkësia Fetare Islame në RM nuk po e gjenë rehatin e vet. Ditë e për ditë po përballet me skandale e me kritika të shumta. Së fundmi, mbi këtë Institucion u diskutua edhe në Parlamentin e Maqedonisë, ku drejtpërdrejt u kërkua largimi i Sulejman Rexhepit nga BFI-ja dhe përballja e tij me drejtësinë! Opinioni i gjërë është shumë i interesuar të dijë edhe mendimin e opozitës së BFI-së. Për këtë qëllim, zhvilluam një bisedë me njërin prej udhëheqësve të Lëvizjes opozitare për reforma në BFI, H. Afrim ef. Tahirin, ish-sekretari gjeneral dhe i vlerësuar si më i sukseshmi i këtij Institucioni

Intervistoi Andi Rakipi

Para tri viteve keni ndërmarrur një iniciativë për ta delegjitimuar Sulejman Rexhepin si kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në RM! Sot, emri i këtij personi është absolutisht emri më i lakuar nëpër faqet e shtypit shqiptar dhe të huaj, qoftë i shkruar qoftë elektronik. Megjithatë, ai vazhdon të jetë në krye të këtij Institucioni?

Sulejman Rexhepi, që nga miratimi i Kushtetutës së re të BFI-së, është i delegjitimuar! Ne, para tri viteve në fakt filluam betejën tonë për ta treguar të vërtetën rreth këtiij Institucioni të cilin me këmbëngulje ekstreme po e fshihte Sulejman Rexhepi. Elhamdulilah, sot kjo e vërtetë, përkundër pengesave që po i vijnë nga Sulejman Rexhepi, po depërton dhe po përhapet furishëm në opinionin e gjërë. Kjo e vërtetë e padiskutueshme tashmë ka krijua “masën kritike” e cila gjithnjë rezulton me eliminimin e objektit që mundohet t’i qëndrojë si digë prej letre këtij “cunami”!

Për cilën “të vërtetë” pretendoni ju?

Ne qysh para tre viteve filluam një betejë përfundimin e të cilës e kishim kristal të qartë! Vjedhja, zhvatja, keqpërdorimi me vakëfin, manpulimi dhe keqërdorimi me aktet normative të BFI-së, nepotizmi, klientelizmi, korrupsioni, familjarizmi, uzurpimi familjar i aksioneve fetare të cilat krijojnë buxhetin vjetor të BFI-së, si dhe një sërë anomalishë, të cilët po e determinonin atë thënien shpesh të dëgjuar “lideri fetar më i pasur i myslimanëve më të varfër në rajon”, janë vetëm disa “substanca” të një të vërtete shumë të madhe, të cilën nuk do të mund ta mbulonim më as ne, as vetë Sulejman Rexhepi, por as shumë faktorë në vend. Kulmoi me margjinalizimin e tërësishëm të BFI-së nga faktori ndërkombëtar si dhe me shpalosjen e kësaj të vërtete të turpshme në Parlamentin e Maqedonisë. Kjo nuk është aq e thjeshtë! Stenogramet janë faqe më të sakta të historisë. Një ditë do të zbulohet se, moti dikur, në Pralament qenka biseduar për njëfarë Sulejman Rexhepi si dhe për një Bashkësi Fetare Islame të zhytur në kriminalitet e në veprime të cilat i paskan detyruar institucionet shtetërore të marrin masa drastike.

Megjtihatë, mund të na i numëroni dy-tri të vërteta mbi Reisul Ulemanë aktual të BFI-së?

Jo dy-tri, mund të numëroj njëzet-tridhjetë të vërteta të tmerrshme. Megjithatë, të vërtetat tona janë breda dosjeve të lëndëve që i kemi deponuar në prokurori e për të cilat po presim procese gjyqësore kundër të gjitha këtyre manipulimeve, keqpërdorimeve dhe shkeljeve flagrante të normativës së BFI-së nga ana e Sulejman Rexhepit. Pra, për të vërtetat tona, nëse janë të sakta apo “sajesa”, do të flasin organet e drejtësisë, kurse ne, deri në atë çast, duhet të heshtim, kështu e do rregulli!

Megjithaë, Reisul Ulema gëzon përkrahjen e të gjithë organeve të BFI-së?

Nuk e gezon përkrahjen e masës së gjërë! Nga një studim që e patën porositur vitin e kaluar nga një kompani me renome ndërkombëtare, rezultoi se besueshmëria e imamëve në Sulejman Rexhepin kishte rënë në 25 % kundrejt 69 % që i shprehnin pabesueshmëri. Besueshmëria e nëpunësve të BFI-së ishte vetëm 28 % kurse e xhematit ishte 12 për qind! Sot, “masa kritike” flet se besueshmëria e komunitetit mysliman në Maqedoni ndaj Sulejman Rexhepit ka rënë vetëm në 8 %. Pra, 92 për qind e besimtarëve dëshirojnë që Sulejman Rexhepi të përballet me drejtësinë dhe të përgjigjet për të gjitha të bëmat e tij të jashtëligjshme, të cilat për më keq, janë në kundërshtim flagrant me fenë islame dhe me etikën njerëzore.

Mbështetësit aktual të Sulejman Rexhepit, ata që ai i quan si bashkëpunëtorë, në fakt janë armiqtë më të mëdhenj të tij! Këtë do ta kuptojë së shpejti Sulejman Rexhepi. Të solidarizhesh me krimin, të mos jeshë në gjendje që t’i dalësh përballë krimit, ta ushqeshë dhe ta fshehish krimin, në fak është veprimi armiqësor të cilin me aq lehtësi nuk mund ta bëjë madje as vetë “armiku agresiv”! Po pse këta “organe” e mbështesin Sulejman Rexhepin? Sepse, e dinë fare mirë se “organ” mund të jenë vetëm nën diktatin e tij, shpresojnë se një ditë njëri prej tyre do të emërohte Reis dhe, me këtë traditë mbështetjeje, do t’i përjetojë edhe ai të gjitha ato ditë, të gjitha ato veprime dhe benifite që i përjetoi pararendësi i tij, Sulejman Rexhepi. Pra, këta “organe” në fakt po i ujisin rrënjët e një tradite shumë të shëmtuar të një “politike udhëheqëse” e bazuar në parimet e drejtimit mafioz të organizatave nëntokësore. Me rënien e “prandorisë së Sulejman Rexhepit”, do të dorëzohen të gjithë ushtarët, kalorësit, shigjetarët dhe palaçot e kësaj “perandorie”! Në fakt, para ligjit dhe drejtësisë të gjithë do të përgjigjen njësoj, si në veprimin ashtu edhe për përkrahjen e këtyre vprimeve destruktive.

Po flitet se, ditën kur drejtoresha e DAP-it theksoi se nuk kanë të drejtë ligjore që të futen në BFI, nëpunësit e këtij Institucioni kanë pasur festë të vërtetë?

Po, kam dëgjuar edhe unë se kanë përjetuar një gëzim të madh nga lirimi i këtij makthi që i kishte mbërthyer në shpirt e palcë! Pse ky gëzim? Pse nuk kërkojnë që të gjithë të lirohen nga kjo akuzë? Pse nuk insistojnë që urgjentisht të sillet një ligj i ri që ia lejon futjen e inpektorëve të këtij institucioni shtetëror dhe të shihet se sa “i pastër” është kreu i dhunshëm i BFI-së si dhe organet e saj! Pse kjo frikë vdekatare nga inspektoratet shtetërore. Këto kontrolle duhet të llogariten si “kontroll sistematik mjekësor” për parandalimin dhe eliminimin e ndonjë virusi apo bakterie që mund ta sëmurë organizmin deri në përfundim fatal! Një kolektiv i pastër dhe i shëndoshë do t’i gëzohej kontrollove, dhe nuk do të frikësohej deri në vdekje!

Ju keni qenë brenda dhe, për më tepër, keni qenë njeriu i dytë i këtij Instiitucioni. Sa aty brenda punohet në transparencë?

Unë gjithnjë kam qenë i transparencës! Jo rastësisht edhe daljen time e bëra me pompozitet, e bëra me zhurmë (të cilën Mulla Sula ka qejf ta quajë “puç”), sepse, doja ta bëja transparete tërë atë që po ndodhte në BFI e që dikush po mundohej ta mbante përjetë nën rrogoz. Sot, në BFI, ekziston një panik dhe një paranojë totale. Asnjëri nuk i beson tjetrit, gjithçka bëhet e flitet fshehurazi! Sulejman Rexhepi ka blinduar kabinetin e vet, brenda nuk mund të hyjë asnjëri, sepse, planet mafioze që bëheshin dekonspiroheshin prej tjetrit i cili rastësisht futej në kabinet. Logjikë e paranojakut, a? Pastaj, aty brenda nuk dihet se kush ku do të udhëtojë, kush çka do të flasë, kush me kë do të takohet, nuk dihen projektet, planet, raportet, proçesverbalet! Dhe, në një atmosferë të tillë ju mendoni se të gjithë përkrahin “reisin”? Dyshoj!

Tahiri, kjo “masë kritike” për të cilën po flisni ju, shumë teologë e intelektualë të ndryshëm, tashmë në ju po shohin liderin e një lëvizje opozitare!

Po, falë Zotit, ia dolëm që përpjekjet tona si Lëvizje për reforma në BFI, më në fund të ngriten në nivel institucional shtetëror. Lëvizja jonë për reforma në BFI tashmë nuk është vetëm e jona, por është një lëvizje imamësh, është një lëvizje gjithëpopullore dhe, një shoqëri e shëndoshë, një shtet i mirëfillë, nuk do të dëshironte që të përballet me pezmatimin e më tejmë të kësaj Lëvizje. Shteti është i detyruar që të ndërhyjë dhe ta pastrojë situatën. Nëse Lëvizja jonë është e dyshimtë, po shpifë e po gënjen, le të ndëshkohet, le të heshtet përgjithmonë, por ama, nëse e vërteta është në anën tonë, le të përgjigjen para drejtësisë banda e kriminelë që manipulojnë në emër të fesë. Manipulimi në emër të fesë në rastin konkret, është ana tjetër e përgjumur e ekstremizmit dhe radikalizmit. Sot, Sulejman Rexhepi, sapo të zgjohet nga gjumi është në gjendje që menjëherë të hedhë “bombë atomike” mbi të vërtetat rreth tij. E vërteta duhet të jetë një – ajo siç e interpreton vetëm ai! Ekstremist dhe radikalist i skajshëm e i papërmirësueshëm! E tërë kjo nga frika që tashmë i është futur në palcë dhe jo nga ndonjë trimëri që i vjen nga aleanca me të vërtetën!

Si të dilet nga kjo situatë e palakmueshme ku gjendet për momentin BFI në RM?

Largimi i Sulejman Rexhepit është punë më e vogël. BFI-në e pret një punë shumë e madhe! Fillimisht desulizmi rrënjësor, pastaj, ngritja e kapaciteteve të shëndosha për të punuar me xhematin me qëllim për ta rikthyer besimin e myslimanëve në BFI, në Institucionin e tyre që duhet ta ketë vlerën e shenjtë. Kjo punë do të jetë shumë e vështirë. Kthimi i besimit në organet e BFI-së do të jetë punë e gjatë dhe e mundimshme. Pa kthimin e këtij besimi nuk do të jetë e mundshme mirëmbajtja e institucioneve edukative-arsimore. Ne duhet të jemi të zëshëm në shpjegimet se si Institucion tërësisht jemi të varur nga myslimanët tanë, para të cilëve duhet të jemi skajshmërisht transparent, duke u dhënë llogari për çdo qindarkë. Popullata jonë është e devotshme, është më humanja në botë, me një sens solidarteti të paparë, me një përgjegjësi kolektive karshi institucioneve të veta, por, nga ana tjetër, është armikja më e madhe e padrejtësive, e gënjeshtrave, e vjedhjeve, shantazheve e devijimeve nga vijat e përcaktuara kombëtare e fetare.

Pa dyshim, duhet ta rikthejmë edhe besimin tek faktorët e jashtëm që janë me shumë relevancë. Jemi të bllokuar e të margjinalizuar nga shumë organizata ndërkmbëtare, nga shumë donatorë potencialë, nga shumë ish-miq të BFI-së. Askush nuk dëshiron të ndihmojë e të donojë në një mjedis ku gëlon hajnia dhe korrupsioni. Kjo e vërtetë del nga konstatimi i tyre dhe jo nga “shpifjet” tona!

A keni ju si Lëvizje stategji si të dilet nga kjo situatë? A keni plane, premtime…

Po po, pa dyshim! Sapo të krijohen kushtet për ta drejtuar BFI-në, sapo të gjejë zbatim urgjent Platforma jonë tashmë e bërë publike, paralelisht do të sigurohen edhe të ardhurat që garantojnë rrogë të rregullt dhe, rikthim në po atë nivel që e kanë pasur deri para 7-8 muajve, me tendenca për t’i rritur ato. Në BFI do të rikthehet meritokracia, profesionalizmi dhe respektimi i dinjitetit dhe personalitetit të çdo të punësuari. Nuk mundet më që, një “sekretareshë” në rolin e “shefit të kabinetit” të tallet me të gjithë të punësuarit në BFI, nuk mundet që një shofer analfabet e dy-tri truproje të jenë “alfa-omega” e BFI-së. Nga BFI-ja do të zhduket klientelizmi, korrupioni, frikësimi, shantazhimi, dhe çdo aspiratë imorale: zhvatja dhe vjedhja e vakëfit, vjedhja e ndihmave humanitare, korrupsioni, ngulfatja e debatit, imponimi i së vërtetës së njëanshme, emërtime dhe shkarkime sipas nevojave momentale të të parit…

A qëndroni ju pas një “thirrje elektronike” të këtoditshme që thërret në protesta kundër Sulejman Rexhpit deri në largimin e tij nga BFI?

Jo, nuk jam i kësaj iniciative, ndonëse protestat i kuptoj si veprime normale në një shtet demokratik. Megjithatë, unë do të parapëlqeja që ky largim të bëhet nga drejtësia, sepse efektet do të ishin afatgjate, për të mos thënë të përjetshme. Ata që bëjnë shkelje flagrante, gjithësesi që duhet të përballen me drejtësinë. Ne këtë përballje po e presim tash e tri vite. Po e presim sepse jemi të vetëdijshëm dhe pajtohemi me atë thënien “drejtësia vonon por nuk harron”! Ja, gjithnjë e më shumë po kërkohet që edhe gjyqësori ynë të ndjek rrugën e gjyqësorit të Shqipërisë i cili po kalon nëpër dhëmbëzorët bluajtëse të “vetingut”! Mbase edhe këtu do të gjendet një mekanizëm i cili do t’i sanskionojë të gjithë ata prokurorë e gjykatës që mund të jenë të korruptuar, që mund t’i vonojnë qëllimisht lëndët e t’i mbajnë nëpër sirtar. Drejtësia duhet të vijë dhe të prek çdo qytetar, nëse dëshirojmë të bëhemi shoqëri e denjë për t’u kyçur në familjen evropiane. Fundja, kjo është edhe kërkesë e mekanizmave ndërkombëtarë. Gjyqsori i Maqedonisë, i gjendur para këtij fakti të kyer, gjithësesi që do të detyrohet t’i shpalosë edhe lëndët që kanë të bëjnë me rastin “Sulejman Rexhepi”!

Leave a Reply