Intervista/ Flet kreu i Kushtetueses: Ky institucion ka vështirësi, jo ngërç

Megjithëse nga Gjykata Kushtetuese janë larguar dy prej anëtarëve të saj, kjo gjykatë do vijojë të funksionojë normalisht me përbërjes e saj të mbetur, prej 7 anëtarësh. Bashkim Dedja, kryetari i kësaj gjykate në një intervistë për “Shqiptarja.com” deklaron se Gjykata Kushtetuese funksionon pasi ligji dhe Kushtetuta e ka parashikuar që seanca quhet e rregullt dhe që gjykata të shkojë në vendimarje, duhet të marrin pjesë të paktën 6 gjyqtarë dhe vendimarja është për pranimin ose rrëzimin e kërkesës me 5 gjyqtarë.

“Pra ekziston mundësia qoftë e kourumit apo edhe e vendimarjes. Largimi i dy anëtarëve ka krijuar vështirësi patjetër sepse ulja e numrit të gjyqtarëve çon në vështirësi në vendimarje, sepse votat mund të ndahen në mënyrë të atillë që s’mund të formohet shumica prej 5 gjyqtarësh”-shprehet Dedja. Kryegjyqtari nënvizon se mungesa e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë sjell edhe pasuja për Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tij qytetarët nuk ankimojnë në kohën e duhur vendimet e Gjykatës së Lartë.

“Në bazë të ligjit tonë dhe të rregullores së brendshme kemi një afat që i mbajmë kërkesat e rregjistruara në rrugë administrative dhe pas përfundimit të këtij afati këto kërkesa duhet ti kthejmë si të paplota dhe të paplotësuara. Por në qoftëse ato kthehen jo për fajin e qytetarit por për fajin e Gjykatës së Lartë, atëherë shteti këtu ka detyrime që tu shërbejë qytetarëve duke përfshirë dhe vetë gjykatën. Kjo bën që në qoftëse qytetarët nuk plotësojnë dokumentat brenda një afati, ata humbasin dhe afatin ligjor për tju drejtuar gjykatës Kushtetuese”-thotë Dedja.

Zoti Dedja, dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Sokol Berberi dhe Vladimir Kristo tashmë janë larguar nga organika e kësaj gjykate, duke bërë që në këtë institucion të mbeten vetëm 7 gjyqtarë dhe jo 9, siç parashikon ligji. Nisur nga këto kushte a mund të themi se Gjykata Kushtetuese është futur në ngërç dhe e ka të pamundur të marrë vendime?

Jo Gjykata Kushtetuese nuk është futur në ngërç dhe nuk e ka të pamundur për të marrë vendime. Fakt është që ka rënë numri i kourumit të gjyqtarëve, të cilët ligji dhe kushtetuta ka parashikuar të jenë nëntë. Aktualisht janë në detyrë 7, pasi dy gjyqtarë të kësaj gjykate ju ka mbaruar mandate dhe janë larguar nga qëndrimi në detyrë.

Është dhe një gjyqtare, të cilës i ka mbaruar dhe asaj mandati por vazhdon të qëndrojë në detyrë. Gjykata Kushtetuese funksionon pasi ligji dhe Kushtetuta e ka parashikuar që séanca quhet e rregullt dhe që gjykata të shkojë në vendimarje, duhet të marrin pjesë të paktën 6 gjyqtarë dhe vendimarja është për pranimin ose rrëzimin e kërkesës me 5 gjyqtarë. Pra ekziston mundësia qoftë e kourumit apo edhe e vendimarjes. Largimi i dy anëtarëve ka krijuar vështirësi patjetër sepse ulja e numrit të gjyqtarëve çon në vështirësi në vendimarje, sepse votat mund të ndahen në mënyrë të atillë që s’mund të formohet shumica prej 5 gjyqtarësh. Por njëherësh lidhet dhe me ngarkesën, shtimin e numrit të ngarkesës së gjyqtarëve të cilët janë prezent.Natyrisht që ngarkesa shpërndahet midis këtyre gjyqtarëve që janë dhe kjo çon në mbingarkimin e tyre dhe sjell tejzgjatjen e kohës dhe afatet e gjykimit.

Aktualisht sa çështje janë të rregjistruara në Gjykatën Kushtetuese dhe që presin për tu gjykuar?
Deri ditën e djeshme janë rregjistruar 261 çështje. Këto çështje kanë kaluar procedurën administrative dhe janë futur në rrjedhën e gjykimit.
Me 8 gjyqtarë të dorëhequr dhe një të shkarkuar për shkak të dënimit për akuzën e korrupsionit, mund të funksionojë normal Gjykata e Lartë, në muajin Shtator e në vijim?
Nuk kam një informacion të saktë lidhur me dorëheqjen e këtij numri gjyqtarsh, por natyrisht nëse është kështu siç thoni ju, sigurisht që probleme krijon për funksionimin e saj, për shkak të ngarkesës së madhe që ajo ka, të numrit të madh të çështjeve stok që ajo ka. Sigurisht që sjell vështirësi edhe në arsyetimin e vendimeve, të cilin edhe neve e kemi problem në gjykatën tonë, pasi shumë herë qytetarët i drejtohen Gjykatës Kushetuese kundër vendimeve të Gjykatës së Lartë.

Por sipas ligjit të ri ankimet ndaj këtyre vendimeve është katër muaj. Qytetarët vijnë i drejtohen Gjykatës Kushtetuese por nuk e kanë të shoqëruar kërkesën me vendimin e Gjykatës së Lartë të arsyetuar.Ky vendim është një nga kërkesat e domosdoshme të ligjit tonë organik që të pranohet kërkesa dhe të marrë rrugën e shqyrtimit administrativ.Sa më pak gjyqtarë të ketë, sigurisht aq më e madhe do jetë ngarkersa në Gjykatën e Lartë, por kjo sjell edhe probleme në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.Në bazë të ligjit tonë dhe të rregullores së brendshme kemi një afat që i mbajmë kërkesat e rregjistruara në rrugë administrative dhe pas përfundimit të këtij afati këto kërkesa duhet ti kthejmë si të paplota dhe të paplotësuara. Por në qoftëse ato kthehen jo për fajin e qytetarit por për fajin e Gjykatës së Lartë, atëherë shteti këtu ka detyrime që tu shërbejë qytetarëve duke përfshirë dhe vetë gjykatën. Kjo bën që në qoftëse qytetarët nuk plotësojnë dokumentat brenda një afati, ata humbasin dhe afatin ligjor për tju drejtuar gjykatës Kushtetuese.

Cila do ishte zgjidhja e menjëhershme e kësaj situate dhe pse erdhën këto pasoja, në një kohë kur po flitet shumë për modernizimin e gjyqësorit në vend?
Zgjidhje të menjëhershme nuk ka pasi ligji i ka parashikuar procedurat se si duhet të zëvendësohen gjyqtarët me përfundimin e mandatit të tyre, qoftë në Gjykatën e Lartë qoftë në Gjykatën Kushtetuese. Ajo që do ti shërbente sistemit do të ishte zëvendësimi sa më shpejt i gjyqtarëve me mandat të përfunduar me gjyqtarë të rinj.Por siç e dini edhe ligjet e reja që janë miratuar bashkë me paketën kushtetuese, ka një procedurë të përshpejtuar se si përzgjidhen kandidaturat e gjyqtarëve, se si filtrohen deri sa arrijnë në përzgjedhjen e tyre.

Një nga kushtet kryesore është dhe kalimi i procesit të Vettingut, të kandidatëve që do vijnë qoftë për Gjykatën Kushtetuese por edhe për Gjykatën e Lartë.Gjykata Kushtetuese ka vënë në dijeni që përpara mbarimit të mandatit të gjyqtarëve, ku njërit i ka mbaruar në prill të vitit 2016 dhe një gjyqtari tjetër në mars 2017, i kemi njoftuar muaj përpara organet kopetente por procedurat nuk janë kryer, zëvendësimi nuk është kryer edhe për arsye ligjore që përmenda pak më sipër, që është procesi i Vettingut që duhet të bëhet nga ato kandidatë që do të jenë për Gjykatë Kushtetuese apo Gjykatën e Lartë.

Jo më pak se katër ditësh një nga koleget tuaja Fildeze Hafizi u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj. A keni një koment për këtë ngjarje zoti Dedja?
Është një ngjarje shumë e rëndë dhe e trishtueshme, jo vetëm për familjen, të afërmit dhe fëmijët e asaj gjyqtareje por edhe për drejtësinë dhe sistemin në tërësi.Natyrisht që është ngjarja më ekstreme që mund ti ndodhë dikujt dhe kësaj doze i shtohet e fakti të qënurit gjyqtare. Pavarësisht se ngjarja nuk ka ndodhur për shkak të detyrës, por për shkak të një marrëdhënie të posaçme që ata kanë pasur ndërmjet tyre, si ish-bashkëshortë.

Ajo që mendoj se vlen edhe për raste të tjera, dhe mos ndodhshin kurrë raste të tilla, jo vetëm për rastin e gjyqtares por tek askush,është marja e masave parandaluese në ato raste ku ka kërkesë, në ato raste ku ka informacion ose kur ka sinjale.Strukturat përkatëse që janë ngarkuar me marjen e masave paraprake mbrojtëse duhet ti zbatojnë ato deri në fund.Natyrisht që çdo masë ka një afat dhe unë nuk e di se si ka qënë rasti konkret, por kjo masë duhet të vazhdonte deri sa ekziston rreziku.

E dyta që është bërë shumë problematike, ka njerës tës cilët janë rrezik për shoqërinë për shkak të problemeve mendore që ata kanë. Ka një ligj të vitit 1999 që i detyron organet shtetërore që të marrin masa ndaj personave, të cilët kanë probleme me shëndetin mendor dhe kjo duhet të bëhet edhe kundra dhe vullnetit e dëshirës së tyre.Ne hasim çdo ditë në rrugë nga këta njerëz të cilët janë rrezik për shoqërinë, për fëmijët dhe për fat të keq nuk shikojmë një rreagim ndaj kësaj.

Ju jeni për ndërmarjen e një nisme ligjore që do të sjellë rritjen e politikës penale ndaj rasteve të dhunës në familje apo të qëndrojmë tek këto ligje që kemi?
Kjo është kopetencë e parlamentit. Vetëm ky institucion ka të drejtë të bëjë ligje dhe të bëjë dekriminalizimin e një vepre penale. Kjo nuk është e thënë ta bësh njer e përgjithmonë por kjo shikohet rast pas rasti. Në qoftëse një fenomen bëhet i shpeshtë dhe problematik, shteti ndërmer hapat e tij.

Në qoftëse një fenomen një ngjarje një veprimtari e cila dikur quhej kriminale por që nuk ka më vlerë, parlamenti e shfuqizon atë.Natyrisht Gjkykata Kushtetuese ka rastet e shfuqizimit vetëm nëse ligjet dhe nenet vijnë në kundërshtim me kushtetutën dhe me marëveshjet ndërkombëtare.Nëse duhet apo jo për të bërë ndryshime ligjore, këtë nuk mund ta them pasi kljo është kopetencë vetëm e parlamentit dhe inisiativa u takon atyre që ligji ua ka njohur shprehimisht. /Shqiptarja.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *