“Negociatat, kanabisi dhe refugjatët”, Rama flet për median austriake

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për portalin austriak Profil.at, ku ka folur për vendimin e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave në datën 28 qershor.

I pyetur nga gazetari austriak, Otmar Lahodynsky, Rama ka thënë se Shqipëria ka bërë çdo gjë që BE ka kërkuar, që prej ndryshimeve kushtetuese në kompromis me opozitën e deri tek zbatimi i Reformës në Drejtësi.

Rama është ndalur edhe tek çështja e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE-së, si një problem i ngritur nga vendet skeptike dhe ka thënë se Shqipëria është gati t’i kthejë të gjithë shqiptarët në atdhe nëse BE e vendos si kusht për hapjen e negociatave.

Intervista e plotë

Gazetari: Në fund të qershorit, Këshilli Evropian në Bruksel do të vendosë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Për momentin kjo gjë nuk duket shumë mirë.

Rama: Nëse vonesa e hapjes së negociatave për Shqipërinë, do ta ndihmonte Bashkimin Europian të frenonte rritjen e populizmit në BE atëherë unë jam gati.

Por ne kemi bërë gjithçka që BE na ka kërkuar të bëjmë. Ne e ndryshuam kushtetutën në kompromis me opozitën, e cila nuk pajtohet me pothuajse asnjë çështje.

Tani po vendosim në punë një sistem të ri emërimi për gjykatësit dhe prokurorët. Natyrisht, Shqipëria ka nevojë ende për shumë kohë për t’u bërë anëtare e BE-së, por ne nuk jemi aktualisht të interesuar për anëtarësim. Nisja e negociatave për pranimin do na ndihmonte për zbatimin e reformave.

Gazetari: Disa shtete si Franca, Hollanda dhe Danimarka kanë ende rezerva për hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Rama: Është e vështirë për mua të kuptoj se pse vendimi i Komisionit të BE për të filluar bisedimet me ne nuk duhet të jetë detyrues për shtetet anëtare. Ne jemi gjithashtu të gatshëm t’i kthejmë bashkatdhetarët që banojnë ilegalisht në Francë ose në vende të tjera të BE. Por besimi i shqiptarëve në BE dhe gjendja e mirë këtu do të dëmtohen.

Nëse numri i refugjatëve rritet, ne presim ndihmë nga BE. Kjo është ajo që i thashë kancelarit federal Kurz në Vjenë.

Gazetari: Sipas kancelarit austriak Sebastian Kurz ekziston një rrugë e re kalimi në Ballkan për refugjatët nga Shqipëria dhe Bosnja.

Rama: Ne kemi të regjistruar rreth 2200 refugjatë nga Siria dhe Pakistani që nga fillimi i vitit. Ka rritje, por ende është një numër i vogël.

Ne nuk duam të ndërtojmë barriera kufitare. Megjithatë, nëse rritet numri i refugjatëve, ne do presim ndihmë nga BE.

Gazetari: Ka akuza kundër ministrit të Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, se ai ka mbrojtur të vëllain e tij, të dënuar për trafik droge.

Rama: Italia nuk ka kërkuar kurrë ekstradimin e tij. Çfarë duhet të bëjmë?

Gazetari: E ndaluat dot ju kultivimin në shkallë të gjerë të kanabisit në Shqipëri gjatë vitit 2016?

Rama: Ne e luftuam në mënyrë efektive. Por kush flet për problemet e drogës në Holandë apo në Francë? Gjithmonë të akuzuar jemi ne shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *