Ish-kreu i sigurisë së zgjedhjeve hedh poshtë aludimet për manipulime

LOS ANXHELOS – Ish-zyrtari më i lartë për sigurinë kibernetike, i shkarkuar nga Presidenti Trump pasi deklaroi se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin më të sigurtat në historinë amerikane, tha të premten se akuzat për manipulime zgjedhore nga Presidenti Trump dhe aleatët e tij janë një “farsë”.

Chris Krebs, ish-drejtori i Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën, në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, tha gjatë emisionit “60 minuta” të kanalit televiziv CBS, se aludimet se makineritë e votimit janë manipuluar nga vende të tjera janë të pabaza.

Sidney Powell, një avokate e ekipit elektoral të Presidentit Trump që u shkarkua këtë javë, kishte dalë me një teori konspiracioni, se sistemet zgjedhore të krijuara në Venezuelë nën drejtimin e ish-udhëheqësit të ndjerë venezuelian Hugo Chavez, ndihmuan për t’i dhënë fitoren Presidentit të zgjedhur demokrat Joe Biden.

Ajo dhe persona të tjerë gjithashtu kanë pohuar se makineritë e votimit kishin kaluar vota të hedhura për Presidentin Trump tek zoti Biden dhe se disa informacione të votimit në Shtetet e Bashkuara ishin ruajtur në serverat në Gjermani.

“Të gjitha votat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numërohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikë”, tha zoti Krebs, në një ekstrakt të transmetuar në CBS Evening News. Intervista e plotë prej 60-minutash do të transmetohet të dielën. Zoti Krebs u pushua nga Presidenti Trump në 17 nëntor pasi i quajti zgjedhjet “më të sigurtat në historinë amerikane”.

“Nuk ka asnjë provë që ndonjë makineri për të cilën unë jam në dijeni të jetë manipuluar nga ndonjë fuqi e huaj”, tha zoti Krebs, duke i quajtur akuzat e tilla “pretendime farsë”. Ai shtoi se “populli amerikan duhet të ketë 100% besim në votën e tij”.

Zoti Biden fitoi në tre nëntor me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor, përkundër 232 të Presidentit Trump. Ai kryeson ndaj Presidentit Trump me mbi gjashtë milionë më shumë në votën popullore.

Presidenti Trump dhe avokatët e tij vazhdojnë të pretendojnë, por pa ofruar prova, se zgjedhjet u vodhën përmes mashtrimit në masë dhe se Presidenti Trump është fituesi. Presidenti Trump tha të enjten se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Zgjedhor voton për zotin Biden./VoA/

Leave a Reply