Ish-ministri i Informacionit: Kishte sinjale për vrasjen e Ahmet Krasniqit

Ish-ministri i Informacionit në Qeverinë e Kosovës në ekzil në vitet nëntëdhjetë, Xhafer Shatri, ka thënë se rreth vrasjes së Ahmet Krasniqit ka pasur sinjale se mund të ndodhte.

“Por, kurrë nuk do ta besoja se shqiptarët në ato rrethana, në orën më të ligë të Kosovës do ta vrasin njëri-tjetrin. Aq më tepër një kuadër si Ahmet Krasniqi, i cili me mish e shpirt donte t’i bashkonte shqiptarët, për ta formuar një ushtri të mirëfilltë”, ka thënë ai në KTV.

Shatri ka shtuar se Adem Demaçi pas kësaj vrasjeje është larguar.

“Ka thënë për shkaqe shëndetësore, por realisht është ndier i tradhtuar. Ahmet Krasniqi është vrarë gjithashtu për ta penalizuar Adem Demaçin, që vërtetë nuk e shihte luftën si çështje sektare, të vetëm një grupi individësh që duan ta marrin historinë dhe fatin e Kosovës në duart e veta. Ai e ka parë Kosovën shumë më gjerë”, ka vazhduar Shatri.

Shatri po ashtu ka bërë të ditur se pas vrasjes së Krasniqit, në qeverinë e atëhershme është folur nëse duhet lëshuar komunikatë apo jo.

“Iu kam thënë: ‘Si guxoni të mos lëshojmë komunikata që është vrarë ministri i Mbrojtjes?’”, ka treguar ai, duke shtuar se “në asnjë rrethanë nuk do ta kishte lejuar mosreagimin e qeverisë së atëhershme”.

Ai ka zbardhur se kishte dëgjuar që ka pasur të tillë brenda qeverisë që kanë thënë që “kjo punë të lihet kështu”.

“Këtë e ka thënë njëri prej njerëzve kryesorë të qeverisë, por unë nuk e kam lejuar një gjë të tillë dhe e kam telefonuar z. Asllan Bajramin që asokohe ka qenë redaktor i redaksisë sonë në televizionin satelitor dhe ai e ka dhënë informatën”, ka thënë ai.

Leave a Reply