Kancelarja Merkel: Vaksinimet për covid-19 mbeten vullnetare

Qeveria gjermane ka rikonfirmuar pozicionin e saj se vaksinat kundër koronavirusit duhet të mbesin vullnetare. Në Bundestag, megjithatë, kancelarja Merkel u bëri thirrje qytetarëve të përfitojnë nga opsioni i vaksinimit.

Objektivi është imuniteti i tufës. Po të mos vaksinohen më shumë se 40, 50 ose 60 përqind e njerëzve, do t’u duhet të gjithëve të mbajnë maskë për një kohë të gjatë, tha kancelarja. Merkeli nuk i përjashtoi ndryshimet në strategjinë e vaksinimit kundër Covid-19. Procedura varet gjithashtu edhe nga ajo që do të konstatojnë autoritetet e licencimit të vaksinës në lidhje me përshtatshmërinë e vaksinave për secilin grup të popullatës. Për shembull, ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për fëmijët, tha kancelarja gjermane.

Një studim i Universitetit të Leipzigut kohët e fundit evidentoi se vetëm një në dy qytetarë dëshirojnë të vaksinohen. Në prill, gatishmëria për vaksinimin ishte 79 përqind. Përballë gatishmërisë në rënie për të vaksinuar popullatën, shoqata e mjekëve Marburger Bund foli në favor të organizimit të një fushate të gjerë mediatike.

Borxhi jo me taksë për pronën

Për të financuar borxhin shtesë të shkaktuar nga pandemia e Coronas, Kancelarja Merkel e përjashtoi futjen e një takse për pronën. Gjithashtu nuk do të ketë shkurtime në shpenzimet sociale, tha Merkeli në një orë pyetjeje për qeverinë në Bundestag. Detyrë kryesore është krijimi i rritjes ekonomike, në mënyrë që të gjenerohen të ardhura, tha ajo.

Angela Merkel

Në të njëjtën kohë, kancelarja mbrojti vendimin e qeverisë që farmacitë të shpërndajnë maska ​​FPP-2 për njerëzit mbi 60 vjeç. Merkeli theksoi se kjo formë e shpërndarjes ishte aktualisht e realizueshme. Në një hap të dytë, maskat mbrojtëse do të shpërndahen ndryshe. Ajo e dha këtë shpjegim pas kritikave të djeshme për radhët e gjata, që u formuan dje para farmacive.

Temë qendrore e pyetjes së qeverisë nga parlamenti ishin gjithashtu bisedimet midis ministrive, në lidhje me zbatimin e ligjit të planifikuar të zinxhirit të furnizimit. Merkel foli në favor të projektit, por në një formë të zbutur. Ajo ishte skeptike në lidhje me mbajtjen e përgjegjësisë sipas së drejtës civile, në bazë të së cilës kompanitë gjermane mund të mbanin përgjegjësi sipas ligjeve gjermane. Ajo tha se kjo nuk përmendet në marrëveshjen e koalicionit midis partive unioniste dhe SPD.

Ligji i zinxhirit të furnizimit duhet të garantojë që të mos ketë fëmijë ose punë të detyruar për prodhimin e produkteve nga sipërmarrjet gjermane, që të paguhen pagat minimale dhe të respektohet orari i punës. Me kërkesë të partive unioniste dhe SPD, Bundestagu do të diskutojë gjithashtu zbatimin e strategjisë kombëtare të vaksinimit./DW/

Leave a Reply